“Giffoni Albania”, gara e filmit për fëmijë nis nga Elbasani
12 filma për fëmijë e të rinj nga mosha 12-18 vjeç garojnë mes tyre në “Giffoni Albania 4”. Pjesa më e madhe e filmave janë me metrazh të gjatë, (vetëm katër prej tyre janë metrazhe të shkurtëra). Pas përfundimit të projektimeve në Elbasan, Festivali do të vazhdojë në Durrës dhe Shkodër, për të zhvilluar finalen e tij në kryeqytet. Filmi më i mirë do të shpallet në mbrëmjen “Gala”, e cila do të zhvillohet më 18 tetor në Tiranë në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, ku filmat do të votohen jo vetëm nga juria e fëmijëve shqiptarë, por edhe prej fëmijëve nga Greqia, Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi. I ftuar special në natën finale është këngëtari Italian Simone Cristiçhi, fitues i edicionit të fundit të Sanremos me këngën “Ti regalero una rosa”.
Kështu, të hënën nisi për të dytën herë zhvillimin e tij në qytetin e Elbasanit festivali i filmit për fëmijë dhe adoleshentë “Giffoni Albania”, i mbërritur tashmë në edicionin e katërt të tij. Në kinemanë Millenium të Elbasanit janë shfaqur në praninë e nxënësve të shkollave 9-vjeçare të këtij qyteti filmat e dy kategorive “Free to fly” dhe “Y-Gen”. Fëmijët e Elbasanit janë bërë edhe njëherë ata që startojnë Giffoni-n shqiptar, duke vendosur nëpërmjet votimit edhe për filmin fitues të festivalit. Producenti Namik Ajazi shprehet për gazetën se “e nisim këtë festival në qytetin e Elbasanit pasi eksperimenti që u bë vitin e kaluar ishte më i sukseshmi se qytetet e tjera. Shpresojmë që ky festival, i cili startoi në Elbasan dhe mbyllet më 18 tetor në Tiranë në natën ‘Gala’ në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, ku parashikohen të bëhen pjesë e tij mbi 15 mijë fëmijë të jetë i sukseshëm”. Festivali ka gëzuar dhe mbështetjen maksimale të kryetarit të bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, i cili thotë se “Elbasani është një qytet që e meriton ta ketë këtë festival dhe këtë vit. Anëtarët e jurisë që do të vlerësojnë festivalin janë edhe fëmijët e këtij qyteti, të zgjedhur nga shkollat”. Filmat e parë të projektuar në Millenium në Elbasan kanë qenë “Ura e Tenapidias” dhe “Efekte të rrezikshme”, të cilat ishin të subtitruara në gjuhën shqipe, ndërkohë që dita e tretë shfaq dy filma të tjerë për fëmijët e Elbasanit siç janë “I verbër” dhe “Miq për jetë”. Në emër të presidentes së nderit në tre edicionet e kaluara, regjisores Xhenfize Keko, asaj që krijoi filmat e mrekullueshëm për fëmijë do të jepet edhe një çmim. Organizuesi i këtij Festivali është Mediavision, nën kujdesin e veçantë të zotit Namik Ajazi me mbështejen e Qëndrës Kombëtare Kinematografike dhe Bashkitë e qyteteve përkatëse.
P. GROSI
8 Tetor 2008