E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berati, ky qytet i heshtur

Nga Kozeta Boçi

Ky qytet që përpiqet pareshtur të fshihet pas mbulesës së kohës nuk flet me zë. Në fazën e heshtjes të ciklit të vet mblidhet brenda gurëve dhe një cope qielli që prej kohësh ka pranuar t’ia njohë drojen. Ka ujë të rrjedhshëm, ka ajër dhe tym, ka njerëz që gjithsesi bëjnë shumë zhurmë e megjithatë qetësia vjen pas kuptimit të parrullës “Ëelcome to our city!”. Është një hendek hapur pa ndonjë qëllim, thjesht sa për ta shtyrë kohën e për t’ua bërë jetën të durueshme banorëve gjithnjë e më të rinj. Madje askush nuk ka pësuar mundimin më të vogël në zgjerimin prej milingone të tij. Hapat e rutinës së përditshme i larguan në fillim nga leximi e gurëve, më pas nga lëmimi i sokakëve, nga parmakët, dyert dhe nga vetja. Një mbi një dritaret si një mbi një shkallë ishin të mjaftueshme për t’i kapërcyer kufijtë e vjetër dhe për të mbërritur në botën e re.

Ja ku u bë shkëmbimi; 2400-vitet stampuar në një guidë turistike dhe të gjitha shenjat të lira për t’u ndierë, shijuar nga të gjithë ata që janë sadopak të aftë t’i ngjërojnë e të nuhasin në ajër aromën magjepsëse, ndërsa qytetarët tanë e dinë fare mirë çfarë u ka munguar. “Ëelcome to our city!” dhe guida turistike janë si rrugë të ndehura për të huajt mbi qiellin e përditshëm të banorëve që duan të fitojnë kohën me rrugë më tokësore.

Kjo s’do të thotë se qyteti tashmë është vetëm një relike jashtë mendjes dhe shpirtit të tyre. Vetëm se ndihen të velur nga vjetërsia dhe shterpësia që shkakton lindja e vazhdueshme e magjisë së gurëve dhe peizazhit e nuk ka se si të jetë ndryshe ndërkohë që vuajnë nga anoreksia. Ndihet nevoja e një menyje dietike nga njerëz që dinë lexojnë tej drojës fisnike të qytetit, brenda lagjeve të vjetra e që flasin. Në këtë fazë të heshtjes duhet zë.

S’e kisha menduar Beratin të tillë, më thotë dikush që, ndërsa e shëtisja, e nxisja të shihte këndet ndërmjet të cilave konturohej qyteti. Po t’i heqësh sytë nga asfalti i plasaritur i rrugëve, trotuaret që fillojnë valëzimin ende pa u larguar dora e punëtorit të fundit, plehrat e hedhura me kujdesin e dukshëm për t’u shpërndarë gjithandej, sheh një peizash të mrekullueshëm. Të më ndjejnë punonjësit e bashkisë, se nuk ia drejtoj thjesht atyre fjalët e mia dhe as është ky qëllimi i shkrimit. Nuk mund të mohoj atë që bëhet për të rregulluar e sistemuar pjesë-pjesë këndet e qytetit, madje kohët e fundit me një cilësi dukshme të ngritur, por do ishte shumë më mirë nëse pjesë-pjesë do të fillonte seriozisht të sistemohej dhe infrastuktura njerëzore.

Është e vështirë që në një vend kaq poetik të bësh mospërfillësin. Do të jesh ose i ndjeshëm, ose shkatërrues. Por qyteti ynë, duam apo s’duam, nuk ka ndër mend të shkatërrohet. Brenda druajtjes së tij fsheh shumë thesare të bukurisë dhe jetës së qëndrueshme. Çdo përpjekje për molepsje ai me kohë e zhbën me magjinë e tij të vjetër. Qenka e thënë të urtësohet e të rishfaqet me malet që të dalin kthjellët e kaq të ndryshëm para syve, me lumin që çan përmes e gërryen pasigurinë e të jetuarit në një qytet të heshtur, me njeriun e dikurshëm që e njohu dhe iu përgjigj po aq poetikisht.

Lagjet e vjetra që ata ngritën mbeten sot e gjithë kohën mburrja e qytetit. Ato janë aty, dhe pikturat e vjetra në kishat dhe xhamitë, dhe rrënojat e objekteve ku mësoheshin dija dhe poezia, dhe njerëzit e mençur që më kot mendojnë se nuk është çasti i tyre. Koha u takon gjithnjë atyre që dinë ta përdorin.

Prej kohësh Berati është gdhendur nga Zoti dhe më pas nga njeriu i Zotit që ka dashur ta endë jetën e vet ndërmjet të bukurës dhe shpirtërores. Njeriu i sotshmëm i ri ndoshta jo, por qyteti dhe banorët e tij të kahmotshëm meritojnë fjalët më të mira dhe të gjitha përpjekjet për të zgjuar zërin e tyre. Zejet e artit që dikur gëlonin janë edhe sot mirëseardhja më mikluese e tij. Njerëzit gdhenden frymë-frymë nga ajri i qytetit dhe shpresoj që të mos jetë e largët dita kur shpirti i ndjeshëm ta zgjedhë si dikur këtu shtëpinë e tij për të jetuar.

Është vendi më i bukur në të cilin kam lexuar ndonjëherë poezi, tha një prej poeteshave pjesëmarrëse në Poeteka 2008, që lexoi në Ditën e Beratit poezinë e saj në Sheshin e Kostandinit të Kalasë. Në fakt poezia dhe gurët e vjetër lexuan njeri-tjetrin dhe thyen për këtë ditë heshtjen. Është një heshtje që, falënderuar këtij organizimi, ka disa vjet që thyhet. Diçka prej vitesh ka filluar të ziejë për mirë. Janë më të shpeshta ditët e poezisë, panairet e librave, ekspozitat figurative dhe dëshirat e etshme për të bërë diçka fisnikëruese pasi u ndien të tejngopur prej diskove dhe klubeve buzë rrugësh.

Poezia, piktura, arti në përgjithësi janë sot zhanre të vështirë. Nuk mund të kuptohen e të ndihen mjaftueshëm nga ata që rrjepin kalldrëmet apo hedhin plehrat ku të mundin, ndaj dhe dëgjuesit tani për tani janë të paktë. Janë ata që i kanë mbetur besnikë qytetit dhe ngjiten brenda mureve të kalasë për të zhbiruar formulën e mbijetesës së tij. Shpresohet që cikli tashmë e ka kapërcyer pikën e vdekjes dhe Berati do t’ua rinjohë shkëlqimin e tij njerëzve me zë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›