“Ata nuk turpërohen, edhe pas 20 vjetësh, përballë kemi koalicionin e Partisë së Punës”

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, në përkujtimin e 2 prillit 1991
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli përkujtoi dje në Shkodër 20 vjetorin e protestave kundër regjimit. Sipas Topallit, ajo ditë për të cilën ranë dëshmorë 4, ndryshoi historinë. “Duke u përkulur me nderim përpara familjes së Arben Brocit, familjes Ceka, Bishanaku, Kryeziu dhe përpara çdo familjeje të Shkodrës, që atë ditë, më 2 prill, 20 vite më parë ndryshuan historinë”, u shpreh Topalli.
Sipas saj, “çdo vit, ne përkujtojmë 2 prillin, të gjithë bashkë ne kemi qenë këtu, përballë kësaj përmendoreje të një ngjarjeje të veçantë, shumica prej nesh, në këtë shesh jemi dëshmitarë të asaj dite shumë të veçantë”.
“Por, sot nuk është si vitet e tjera, 20 vjetori ka një domethënie dhe një simbolikë krejt të veçantë. Shumica prej jush e kujtojnë atë ditë, si një ditë në të cilën Shkodra, do ishte diçka krejt tjetër, një ditë në të cilën ky qytet do të jepte kthesën zhvillimeve që do të pasonin ngjarjet e mëdha që ne i kemi përjetuar bashkë. Shumica prej jush janë dëshmitarë të asaj që ndodhi pikërisht përballë kësaj godine. 20 vite më përpara aty, tek ajo godinë ishte Komiteti i Partisë së Punës, aty ishte stema e një ylli të kryq, por sot ajo godinë është një Universitet, i kthyer nga emërimi që Presidenti Berisha i dha kësaj godine”, u shpreh kryeparlamentarja Topalli, ndërsa shtoi se tashmë Shqipëria gëzon lirinë, dinjitetin dhe shpresën e kombit, për të cilën ranë 4 të rinjtë e Shkodrës.
Duke iu referuar zgjedhjeve të 8 majit, Topalli tha se alternativa e Partisë Demokratike është ajo për qytetarin, ndërsa përballë këtij koalicioni vlerash është përsëri Partia e Punës. “Ne jemi optimist se zgjedhjet e 8 majit do të jenë zgjedhjet më të mira, zgjedhjet më të lira, do të jetë një ditë në të cilën çdo qytetar do të votojë për lirinë e tij kundër kulturës së dhunës, terrorit, të mospranimit të institucioneve dhe të ligjit. Alternativa jonë kërkon të bëjë më të lehtë shërbimet ndaj qytetarit, një alternativë në funksion të interesave të qytetarit, të çdo gruaje, burri, fëmije, të moshuari. Unë nuk e kisha besuar kurrë se përballë në këto zgjedhje do të kishim një koalicion të Partisë së Punës dhe ata nuk turpërohen. Më 8 maj edhe Tirana do të jetë një qytet që do të zhvillohet në funksion të qytetarit, në funksion të atij që jeton aty, të fëmijëve, të të rinjve që kërkojnë hapësira, parqe, të kenë një qytet ashtu si qytetet e tjera të Europës”, u shpreh ndër të tjera kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.