E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ata që votojnë për herë të parë

16/05/2005  Kur provuam ne, më të vjetrit votën e herës së parë, edhe pse na e vodhën që në orën 7 e pesë të mëngjesit mes zhurmës, daulles e muzikës soc-realiste, u gëzuam. Sepse, më parë na kishin tredhur trurin me dogmat dhe 99 përqind, është e famshme. Vota e jonë ishte ajo gropa e bardhë ku të gjitha shkonin nga zero në zero. Ndërsa tashmë jemi sikur të jetë një kohë dhe erë tjetër. E ka rradhën një brez tjetër që do të përjetojë votën e herës së parë. Ata janë votues te herës së parë. Mosha 18 vjeç kushedi se ku i gjen. Është një grupim i madh të rinjsh, të cilëve do t’u kujtohet emri se duhet të shkojnë në kutinë e votimit në tre korrik 2005. Dhe duhet të shkojnë, që të mësojnë rrugën e vështirë drejt demokratizimit të shpirtit e vetëdijes së tyre, që fëmijët e këtyre, dhjetë dy apo tre dekada më vonë, ta kenë gjithmonë e më të lehtë ndërgjegjësimin për atë që prezantojnë. Natyrisht, kjo kujtesë e institucionit përkatës për këto lista të rinjsh, është e ftohtë dhe flegmatike, herë-hereë e mbushur me pasionin e partiakëve përkatës, për të marrë dashurinë e votës së këtij grupimi…dhe në mos u arriftë kjo paqësisht, ka shumë gjasa që në atë shtresë të asaj nën-klase të rinjsh të cilët ende nuk e kanë identifikuar veten e tyre në asnjë lloj tjetër liste, veç atyre të bukës me mbiemrin e familjes, ka gjasa që vota e tyre “të përdhunohet”, apo “çvirgjërohet” nën zë, pa bujë, sidomos në ato zona elektorale, ku të rinjtë prej kohësh kanë ikur me gjithë lecka e, dikush do palosë për nder të emrit të tyre. Dhe vota e tyre e herës së parë, do të jetë vota e një të papuni, e një të humburi, e një të ikuri, e një të rrituri me zor, vota e një të mosndodhuri askgjëkund. Këmbët i kanë çuar e vazhdojnë t’i çojnë dëshpërimisht të rinjtë e paidentifikuar, në cepa qytetesh të mëdhenj, në një vend të panjohur që ka qënë ndoshta për ta, endrra e një Eldoradoje të gënjeshtërt.

Emrat e këtyre dhjetra e qindra të rinjve, janë edhe në një listë tjetër të zezë, listë ne papunësisë. I kanë shpëtuar kësaj liste një grup i vogël guximtarësh që marrin rrugën për 17 mijë dollarë në Irak, me shpresë së ndoshta do t’u lindë një ditë dashuria për atdheun(?!). Që shoqëria shqiptare të ketë elemente të shoqërisë moderne, ajo duhet të rrëfejë veten si shoqëri e punës, të jetë ndërtuar mbi bazën e etikës së punës dhe të aftësive profesionale, dhe për më tepër, ajo motivohet nga pamja gjithmonë realiste në dukje e një bote pa punë. Vendet e punës janë bileta hyrëse në botën e kushtëzimeve, por njëkohësisht, janë pasaporta identifikimi për personalitetin e dinjitetin e kësaj shtrese të shoqërisë. Prej saj përcaktohet politika shoqërore, dinjiteti dhe mënyra e organizimit të jetës, duke i shpëtuar këmbëve të urave, apo një rruge që duket sikur të çon në një fund, por nuk të përfundon askund veç vërtitet rreth një shprese të pashpresë. Fati i të papunëve na konfirmon se jetojmë në një shoqëri pune. Të papunët dalin jashtë çdo llogarie. Të jesh student dhe i papunë, apo djalë trotuaresh dhe i papunë, të jesh vajzë e mbyllur për të mos u lexuar kurrë, gjithmonë e papunë, nuk është e pëlqyeshme. Të jesh handikapat fizik e mendor e i paaftë për punë, është e pashmangshme, por të jesh votues i herës së parë i papunë, do të thotë të prezantohesh si një i ri me dinjitet të shkatërruar, të duash rregullat e jetës e t’i prishësh ato me të dyja duart. Papunësia i ka bërë shumë njerëz e sidomos të rinjtë, të zhvendosen nga vendet ku kanë qënë gjithmonë e të grumbullohen në rrethinat e qyteteve të mëdha. Kjo ka çuar në krijimin e një shtrese të tërë, të cilët kanë humbur dhe hallkën kryesore të ekzistencës së tyre, që është përfshirja dhe përjashtimi. Njerëzit që mbetën pas ikjes së shumë banorëve nga vendet e tyre fillestare, bëhen pre e izolimit shoqëror. Ka filluar të ndjehet efekti i një polarizimi shoqëror. Janë krijuar tashmë getot dhe qendrat e mëdha. Dallimi midis getove të rrethinave dhe qendrës është, si e zeza me të bardhën, si nata me ditën, si materia me antimaterien. E krijuar pa dashje, apo si pjellë e domosdoshme e kapitalizmit të llojit kazino, ajo është një konfigurim i depresionit, i stresit, i vizionit gri, për atë ç’ka do rrëfejë më pas kutia e votimit kur të hapet dhe vapa të rëndojë mbi kokat e tyre të zbuluara mes muzikës pop e stresit –shok, apo kushedi se ku. Kjo nënklasë mbetet e paintegruar, e gatshme për të kapërcyer provën e rinisë së plotë e hedhur në një parapleqëri të tërhequr deri në indiferentizëm mendor dhe fizik, e ngurtësuar në mjerimin e vet të llojit të nën-urave.

Në këtë shtresë, patjetër që është një grup i madh të rinjsh, të cilët kërkojnë vlerën e mirëfilltë të lirisë, nga e cila kërkojnë të udhëhiqen. Njerëzit janë ngopur deri në fyt me pesimizmin e kësaj periudhe. Paniku që i ka kapur politikanët, është se vjen një çast që njerëzit pushojnë së dëgjuari. Dy rrugë u dalin përpara këtyre të rinjve të strehuar në dëshpërimin dhe ftohtësinë e fundit të marshimit të tyre drejt qendrave të mëdha : Rendja drejt parasë dhe tërheqja nga ideja e marrjes së frenave në dorë. Të dyja, janë jashtë hapësirës që u krijon emocioni i votës së herës së parë.

Emëruesi i përbashkët i zgjedhjeve të të rinjve, është armiqësia ndaj një realiteti të mërzitshëm e të palëvizshëm. E keqja është se në thelb alternativat janë negative. Të rinjtë ndjehen të çorientuar.

Çështja është të krijosh një mënyrë jetese që nuk është as obsesion, as burokraci. Duhen dekada dhe shekuj që njerëzit të fitojnë shprehitë dhe institucionet e një rendi demokratik, sa kohë që njerëzit nuk e ngrenë zërin për pjesëmarrje, për ta kujdeset elita, që pjell sundimtarë shpirtmirë dhe shpirligj. Por mjafton vetëm që këta votues të herës së parë të dalin nga barku i mjerë i poshtë urave ku i ka katandisur kjo kohë shterpe dhe hipokrite, mjafton të kuptojnë se në fund të fundit, një zë nuk është njëlloj me njëmijë zëra, mjafton të kutojnë se, nëse ata do të dinë të votojnë me mendjen dhe dorën e tyre, do arrijnë të dallojnë se shpresa nuk lind e vdekur, edhe pse janë pjesa më e paprogramuar në programet e servirura në sërën e kostumografomanëve dhe biznesmenëve të gënjeshtrës e hipokrizisë politike. Është naturale, që në kohë zgjedhjesh vihen në lojë gjysmat e disiplinave të panumërta psikologjike e sociologjike, që në të vërtetë në një moment të caktuar, kanë bërë të vijë në ndihmë fjala e filozofëve, për të diskutuar e debatuar per rolin e të rinjve, të cilët kanë nuhatur apo kanë qënë vetpërcjellës të prurjeve problematike. Nga e folmja e dëgjuar në TV, nga e shkruara në gazeta apo nga interneti, arrihet një bashkim trasmesionesh automatike që vetëm tek veshi dhe mendja e kësaj moshe nuk shkon. Shumë prej emisioneve në mënyrën se si e përdorin fjalën, janë sugjestionuese deri në modifikimin e perceptimit tonë dhe më tej, duke na çuar në përzgjedhje. Nëse kjo është e drejtë apo jo, është një dilemë komplekse dhe patjetër një problem i madh. Nuk jam unë problem për formën dhe mënyrën si do votoj, as një pensionist, as një profesor, as një murator, sepse ne e kemi kaluar atë lloj dogane ku kanë bërë me votën tonë si kanë dashur. Ne e dimë si duhet votuar, por ata që shkojnë për herë të parë, nuk duhet të bëjnë gabimin me dashje apo pa dashje të etërve. Të shpenzosh një kohë për të biseduar dhe dëgjuar të rinjtë, do kuptosh se nuk është njëlloj sikur të kesh zgjedhur detergjentin e duhur larës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›