E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shqipëria mes Mbrojtjes dhe Ndryshimit

16/05/2005  Edhe po të përpiqesh të tërhiqesh dhe të mos marrësh pjesë në debatet politike, minimalisht e ke të pamundur të mos ndikohesh nga gjithë ai Show i papërshkrueshëm mediatik, që po karakterizon këtë fushatë elektorale. Duket se zgjedhjet e sivjetshme kanë atë nervin e ndryshimit, diçka e madhe po lëviz në krejt venat e votuesve shqiptarë. Kësaj here, gjithçka është marrë shumë seriozisht nga të dyja forcat e mëdha politike të vendit.

Të përpiqesh të bësh një analizë të hollësishme të kësaj situate, ndoshta do të ishte një punë shumë e vështirë, por e gjitha kjo lehtësohet duke e parë në këndvështrimin e thjeshtëzuar të asaj çfarë përpiqen të mbrojnë (në këtë rast socialistët), dhe nga ana tjetër, çfarë ndryshimi afrojnë demokratët.

Për të qënë më i lexueshëm, më i thjeshtë në ato që do të parashtrohen më poshtë, do ishte me vend, të bëhet një vështrim i detajuar i mbrojtësve të së ardhmes nga njëra anë, sigurisht duke parë përballë tyre ndryshuesit. Këtu duhet kërkuar me dashamirësi vëmendja e lexuesit, se nuk bëhet fjalë për propagandë elektorale, as për përfitime të tjera mediatike ose materiale. E thënë ndryshe, ka vetëm një arsye: Shqipërisë i duhet ky ndryshim për dhjetra arsye të mëdha dhe për qindra arsye më të vogla. Mbase ndryshimi nuk duhet të vijë vetëm për Partinë Socialiste, Komitetin e Përgjithshëm Drejtues të saj, për një pjesë nga 200 vipat e biznesit, për lidhjet e shkurtra të të cilit, vetëm shqiptari më naiv nuk di gjë.

Të futemi në hollësi. Fatmirësisht, nuk është shumë e vështirë të gjesh argumenta, ato t’i kapin veshët kudo, krejt hapësira e çdo lloj mënyre informimi është e mbushur me ngjarjet, ndodhitë, punët, bizneset, mënyrën e jetesës të asaj çfarë sot e gjithë ditën, e quan veten Parti Sociale. Kështu që, nuk është e nevojshme të përmendësh emra, të kujtosh ngjarje dhe punë të mbaruara e të pambaruara të qeverisë shqiptare, por shumë lehtë do arrish në një përfundim: Partia Socialiste dhe njerëzit afër saj i kanë ngatërruar keq punët e shtetit me punët e tyre private, ajo nuk është fare parti me parime sociale dhe që mbështet shtresat në nevojë (mendohet se rreth 70 % e popullsisë së vendit është në nevojë), ajo në një mënyrë ose në një tjetër, po e mban peng zhvillimin minimal dhe normal të vendit, po pengon, ndoshta pa dashjen e vet, edhe afrimin më të shpejtë me Bashkimin Europian. Ka edhe arsye të forta ekonomike; për pjesën më të madhe të popullsisë së vendit, arsye psikologjike, morale, arsye të forta njerëzore, gati po kthehet në një kusht madhor për aftësitë ndryshuese dhe regjeneruese të popullit shqiptar. Pra, a jemi ne të aftë të rrokim ndryshimin, të futemi në rrjedhat normale të ndryshimeve të pushtetit politik, ashtu si gjithë popujt e tjerë të botës së civilizuar? E parë në këtë pikëpamje është kjo një sfidë e vërtetë. Ndoshta arsyeja më e fortë pse duhet të vijë ky ndryshim është shumë më njerzore, më e prekshme: duhet të jepet sinjali i shpresës, se diçka e madhe do të ndryshojë, se më në fund, Shteti nuk do të jetë një punë e rëndomtë private ku bëhen shumë para dhe shpejt, e mbi të gjitha sinjali duhet të mbërrijë tek shpresëhumburit e shumtë që, përditë tentojnë ose arrijnë të vrasin veten!!

Këtu duhet shtuar edhe problemi i madh i Kosovës, i cili është i lidhur ngushtë me zhvillimet politike në Shqipëri, e rrjedhimisht edhe me zhvillimin e zgjedhjeve të lira. Duke pas në vëmendje shpërndarjen gjeografike të shqiptarëve në Europë, në rajonin më të trazuar të saj, vetëm Shqipëria ka zyrtarisht shtet të konsiloduar, “zyrtarisht” sepse demokracia shqiptare akoma ka nevojë për asistencën ndërkombëtare në zgjedhjet elektorale, kjo që nga hartimi i Kodit Zgjedhor, ndërmjetësimi, hartimi i listave zgjedhore, etj. Nëse në Kosovë kishte zgjedhje të një niveli shumë të mirë, edhe pse kjo është meritë e shqiptarëve, vlerësimi nga të huajt i jep rëndësi faktit se, Kosova ndodhet nën mbikqyrjen dhe qeverisjen ndërkombëtare të UNMIK-ut dhe të NATO-s. Në Maqedoni, zgjedhjet ishin më tepër produkt i Marrëveshjes së Ohrit, të cilat u zhvilluan nën trysninë ndërkombëtare. Pasqyra e situatave zgjedhore të shqiptarve në rajon, merr vlerë të madhe dhe rrit shumë bonuset e pavarësisë së Kosovës, nëse Shqipëria kësaj rradhe zhvillon vërtet zgjedhje të lira dhe të pranueshme për standartet e demokracive perëndimore. Nëse ndodh e kundërta për Shqipërinë, shtetin ku shqiptarët janë plotësisht të pavarur, atëherë merret lehtë me mend, se çfarë ndikimi do të ketë kjo në imazhin e Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi.

Që Shqipëria është vend në zhvillim, që ka ndryshuar, që rritet përditë, kjo është e dukshme. Që edhe nevojat e njerëzve për jetë më të mirë rriten, që koha kërkon ritmin e duhur, që të gjithë përpiqen të kapin kohën e humbur; duket qartë. Për çfarë u tha më sipër, duhet pasur parasysh një detaj i vogël, kjo për të qartësuar se e gjithë kjo nuk është arritur në sajë të qeverisjes sociale të Partisë Socialiste, por sepse këtu jetojnë rreth 3 milion banorë, ndër më vitalët dhe më të rinjtë e Europës, që në hapësirën e BE-së ndodhen rreth 800 mijë emigrantë shqiptarë, të cilët vazhdojnë ende të ushqejnë me Euro tranzicionin tonë dhe të familjeve të tyre, por fatkeqësisht edhe bizneset dhe punët e qeverisë shqiptare.

Nuk do ishte me vend të arsyetohej kështu, sikur vërtet të mos kishte mundësi të tjera për të ndryshuar. Asnjëherë nuk mund të mendohet se nuk ka rrugëzgjidhje, kjo aksiomë vlen edhe për njerëzit në rrethanat më të pashpresa. Duket se rruga është gjetur, mbase për herë të parë në historinë e re të pluralizmit shqiptar, shumica e shqiptarëve kërkon ndryshimin. Dhe këtë ndryshim nuk e kërkon me metodat tradicionale të politikës shqiptare, por së pari, me mbledhjen e energjive pozitive të krejt shoqërisë, të një brezi vërtetë të ri dhe pa asnjë ndenjë faji për të kaluarën e largët dhe të afërt. E kërkon, jo thjeshtë se ashtu duhet të bëjë opozita, por se duket qartë se ka çfarë afron, ajo ka ide, alternativa, plane konkrete zhvillimi, arsye të plota dhe argumenta, sepse oferta e saj është më e mira. Duhet thënë se ajo e ka edhe për detyrë, madje kjo nuk është më thjeshtë punë e saj, por ky ndryshim është vetë qëllimi pse egziston opozita në Shqipëri.

Ky shkrim mund të ishte shumë më i gjatë, por duket nuk ka arsye që të flasësh shumë. Shkurt: Është vërtetë koha për ndryshim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›