E Hënë, 2 Nëntor 2026

Një vend në treshe për LSI-në

15/05/2005  LSI nuk ka çuditur shumëkënd dje me mitingun e saj të suksesshëm në Sheshin “Skënderbej”, duke shënuar partinë e tretë, e cila thekson praninë e militantëve në radhët e saj.

Pra, me siguri tashmë mund të thuhet se do të jetë partia e tretë në zgjedhjet e ardhshme. Pra, ajo është parti me mitingashë, të cilës, duke i hequr pezhorativin, që ka marrë kjo fjalë, është një formacion politik me mbështetës masivë.

Asnjë parti tjetër, veç dy partive kryesore në vend, PS dhe PD, nuk ka mundur të bëjë mitingje në Sheshin “Skënderbej”, duke treguar inferioritetin e tyre sasior dhe çdo parti tjetër, që do ta kishte mundësinë ta bënte, do t’i hynte aventurës së sheshit.

Ngjitja e shpejtë e kësja partie do të ketë disa rrjedhime në politikën shqiptare, varësisht prej përcaktimeve ose jo që do të marrë kjo parti pas zgjedhjeve parlamentare të 3 korrikut.

Në rast se ajo tenton të futet te dy partitë më të mëdha në vend, gjë që nuk pritet ta arrijë në këto zgjedhje, i duhet të luajë ashpër në politikën shqiptare. Pra, t’i mëshojë individualitetit të saj politik, duke shtyrë majtas sa më shumë që të mundet. Për ta bërë këtë i duhet një bazë e madhe intelektuale dhe udhëheqëse që do t’i ndërtojnë principe të qarta politike dhe ide të reja për të ardhmen. LSI ka terrenin për t’i pasë këto resurse, por aktualisht nuk i ka aq sa nevojitet për të shkuar te vendi i dytë.

Ajo ka punuar përgjatë elektoratit që prodhon votë dhe duket se ka pasë sukses, por nuk është se ka arritur të njëjtën gjë edhe ndaj njerëzve që prodhojnë administrim të votës në atë masë sa për të qeverisur vetë. Nëse është ndryshe, ajo duhet të gjejë mënyra për ta shprehur edhe këtë pasuri.

Deri tani, LSI ka deklaruar, nëpërmjet kryetarit të saj, Ilir Meta, se pas zgjedhjeve nuk do të bashkëpunojë as me PS dhe as me PD. Më shumë se sa deklaratë elektorale dhe dëshirë për identifikim, duket se është paqartësi e lidershipit të partisë për të ardhmen e tyre pas zgjedhjeve, qoftë në opozitë e qoftë në pushtet. Kjo paqartësi e tyre po funksionon për mbarë, siç ndodh shpesh që paqartësitë dhe pasiguritë të shpien të shtigje të drejta, por nuk do të funksionojë gjatë, kur të ndahen pjesët.

Megjithatë, ky lloj deklarimi të bën të dyshosh se LSI nuk ka një elektorat të identifikuar qartë politikisht, por një miks njerëzish, që ndoshta bartin ide të ndryshme, lidhur me të ardhmen e politikës dhe afrohen me LSI-në si një mundësi e tyre për të arritur diçka më shumë, por jo se janë të ngjizur me idetë e kësja partie, të cilat ajo i ka deklaruar të majta.

Nëse është kështu duhet të jetë e qartë se po lufton për lidershipin e së majtës, si dhe të përgatitet për një kohë të gjatë për ta marrë atë lidership. Asnjë parti e qendrës nuk mund të jetë parti e parë apo e dytë, kjo nuk ka ndodhur kurrkund, nuk do të ndodhë as me LSI-në. Por ama të gjitha partitë e qendrës me mbi 5 për qind kanë arritur të faltorizohen në qeverisje apo parlament në vendet e tjera. Nëse do të qëndrojë këtu, duhet të heqë dorë nga klishetë e majta dhe të hapë vend edhe për votues pa ideologji, apo anëtarë eksperimentalë, për të qenë e sigurt në këtë vend për në kohë shumë të gjatë, duke u kthyer në një parti që është gjithmonë në qeverisje, me teknicienë të mirë, pa interesa të qarta politike.

Deri tani, LSI nuk është parti e dytë apo e parë. Deklaratat e Metës se nuk do të bashkëpunojë as me PS-në dhe as me PD-në nuk janë deklarata të partisë së tretë.

Të gjitha këto mëdyshje janë probleme që LSI-së i kanë mbetur të zgjidhë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›