E Hënë, 2 Nëntor 2026

Enada At Nikolla

15/05/2005  Ledina Çelo heq dorë nga stilistja Enada At Nikolla; për dy netë në Festivalin Evropian këngëtarja do jetë e veshur nga stilisti i ri Joni Peçi; Enada At Nikolla reagon publikisht për braktisjen e palajmëruar nga mikja e saj; Nikolla “nuk kam lidhje me palët e konfliktit të këngës”; Drejtori i Radios, Gëzim Podgorica: Ishte preferenca e Ledinës për stilistin e ri

Pas idhnimit me dy autorët e këngës “Nesër shkoj”, Ledina Çelo “tradhton” dhe miken e saj, stilisten Enada At Nikolla. Ëndrrat, prej një viti për një veshje të bukur e dinjitoze midis dy mikeve, përfunduan me braktisje. Ledina, krejt papritur, ndërron mendje duke paraqitur në dy netët e Festivalit Evropian, stilistin e ri Joni Peçi. Për të shuar gjithë insinuatat apo keqkuptimet për këtë ndërrim të stilistit, Enada reagon publikisht. Ndërkohë përkimi me konfliktin me autorët e këngës, nuk ka lidhje me stilisten. Dy miket, tanimë janë ndarë dhe pse stilistja At Nikolla i kishte bërë gati veshjet e Ledinës për festival, po ashtu dhe balerinëve që shoqërojnë këngën.

Cila ka qenë biseda me Ledinën për veshjet e festivalit?

Qysh në momentin që Ledina fitoi në Festivalin e RTVSH, ne diskutuam dhe rrahëm mjaft mendime për punën e realizimin dhe stilimit të veshjeve për videoklipin. Të gjitha shpenzimet ishin të miat, personalisht. Po ashtu kemi folur dhe për veshjet që do të kishte Ledina në dy netët e festivalit, të cilat ia mora përsipër për t’i realizuar.

Kur keni biseduar për herë të fundit për këtë me Ledinën?

Ne kishim kohë që bisedonim për veshjet me të cilat Ledina do të këndonte në skenën e Festivalit Evropian. Kishim menduar mjaft për të dy netët kur do të prezantohej. Madje,

disa ditë para se Ledina të dilte në konferencën për shtyp, ishim takuar shpesh dhe kemi folur për gjithçka. Gati çdo gjë ishte e përfunduar për festivalin.

A ju lajmëroi për ndërrimin e stilistit?

Siç e thashë dhe më lart, kisha folur me Ledinën pak ditë para se ajo të dilte në konferencën për shtyp, që u organizua disa ditë më parë. Pikërisht atë ditë, krejt papritur, Ledina prezantoi një tjetër stilist. Atë ditë e mora vesh që nuk isha unë bashkëpunëtorja e veshjeve. Nuk isha lajmëruar aspak nga Ledina për këtë ndryshim mendjeje të menjëhershme. Madje, as nuk e kishte konsumuar si temë në bisedat tona të herë pas hershme se, ndoshta mund të merrte një stilist të ri për veshjet e festivalit.

Sa modele kishit menduar për Ledinën, përveç atyre të klipit, i kishit përfunduar ato tashmë?

Bashkë me Ledinën kishim biseduar për veshjet e dy netëve të festivalit. Gjithashtu, edhe të balerinëve që do ta shoqëronin gjatë këngës. Gjithë puna ime kishte përfunduar dhe ato ishin gati për t’u marrë nga Ledina.

Sa iu kanë kushtuar veshjet e videoklipit?

Nuk mund të them se sa ka shkuar si shpenzime, vetëm se copat me të cilat kam punuar janë shumë të shtrenjta. Shpenzimet të tëra i kemi hequr vetë, pasi kishim mundësi financiare.

Stilimet e “Klipit” që ka paraqitur RTSH-ja janë të gjitha të punuara prej jush?

Të gjitha veshjet e Ledinës në videoklipin që ka prezantuar RTSH-ja janë punuar prej meje. Ka qenë një punë ekstra, shumë e detajuar dhe e parë me kujdes. Dhe papritur del në skenë një stilist i ri, që me veshjet e të cilit do të paraqitet në Eurovizion, Ledina.

E njihnit stilistin që ndërroi papritur mendje Ledina?

E njoh si emër, por jo personalisht. Unë nuk kam asnjë problem me të. Ajo ku përqëndrohem unë është marrëdhënia mes meje e Ledinës.

Pas kësaj ngjarjeje, kur morët vesh ndërrimin e stilistit, a keni komunikuar me Ledinën, ju ka thënë arsyen?

Nuk jemi takuar pas kësaj ngjarje, por ajo më ka dërguar vetëm një mesazh, ku më lajmëron papritur për ndërrimin e mendjes. E ndoqa gjithë këtë situatë pa kuptuar arsyen. Ne nuk kemi kontaktuar bashkë, aq më tepër që të mund të flas për ndonjë konflikt.

Njëkohësisht ju jeni qenë shumë shoqe me Ledinën, apo jo?

Po, me Ledinën nuk kishim vetëm lidhje pune. Pikërisht se ishim shumë shoqe, ne patëm biseduar gjatë për këtë festival, se si do të paraqitej nga ana vizive. Kemi pasur gjatë gjithë kohës marrëdhënie shoqërore shumë të mira, jo si stilist dhe klient.

Mos ishte shkaku konflikti që është krijuar mes Ledinës dhe dy autorëve të këngës së saj?

E thashë dhe një herë, nuk kam pasur asnjë konflikt, të asnjë natyre me Ledinën. Si rrjedhojë, nuk kam lidhje me asnjë grup që kanë shkaktuar konfliktin e bujshëm për këngën midis autorëve dhe Ledinës. Jam totalisht e pavarur në zemërimin tim me Ledinën.

Do të kërkoni “dëmshpërblim” për këtë dorëheqje të papritur të mikes suaj, kishit lidhur ndonjë kontratë për këtë?

E gjithë puna jonë ishte ndërtuar në rangun e marrëdhënies shoqërore. Nuk kishim kontrata, kështu që nuk ka dhe dëmshpërblime. Thjeshtë ne bashkëpunuam për t’u prezantuar sa më mirë, pasi Ledinës i ndodhi diçka e bukur, dhe për mua kjo do të përbënte një reklamë pozitive, për të cilën duhej të punoja me përgjegjshmëri.

Kur nuk kishit ndonjë kontratë të lidhur dhe ishte thjeshtë shoqërore, kundrejt dhe reklamës, pse zgjodhët reagim publik përmes ekranit të TV Klanit kundër Ledinës?

U detyrova të dal në TV Klan për t’u sqaruar publikisht, për të mos prapamenduar pikërisht ndonjë konflikt. Fola, sepse nuk doja të krijoja probleme, doja të eliminoja keqkuptimet dhe gjërat e paqëna që mund të vërtiten rreth kësaj ngjarje.

Para disa muajve

Ledina: Enada, stiliste me fantazi

Kur mbaroi së realizuari videoklipin për ta paraqitur në Festivalin Evropian, këngëtarja Ledina Çelo është shprehur se veshjet e saj janë realizuar me shumë fantazi nga Enada At Nikolla. Në intervistë dukej një lloj entuziasmi i këngëtares për këtë bashkëpunim me stilisten Nikolla.

Si vjen ideja e dasmës në klip, po veshjet si janë realizuar?

Aty jepet ideja e nuses një natë para martesës. Vajza përgatitet, pastrohet, ashtu siç e do zakoni, ritet... flet me nënën, me veten e saj dhe mendon për jetën e re që e pret. Kjo është logjika. Gjithashtu me mua ishin dhe balerinët, të përgatitur nga koreografia e Arjan Sukniqit, që i dhanë bukuri videoklipit. Ishte “dhëndri”, një djalosh shumë simpatik, Fatjon Pustina, i cili është model në Itali, që erdhi posaçërisht për këtë klip. Veshjet, që janë diçka e rëndësishme, janë punuar mjaft mirë me fantazi nga stilistja Enada At Nikolli, duke e bërë këtë nga dëshira e saj.

Muzika shoqërohet jo vetëm nën vellon e bardhë të nusërisë, por bie shumë në sy veshja popullore...

Ka momente në klip që dal dhe me veshje popullore, kjo është pjesë e traditës së hershme, të përcjelljes së nuseve shqiptare. Për këtë mendova të zgjedh veshjen popullore të Malësisë së Madhe. Në fillim, kur e mora për ta veshur m’u duk pak si e çuditshme, pasi nuk e kisha provuar më parë, por shpejt u rehatova me të dhe mendoj se më rrinte bukur”.

Joni Peçi, stilisti i papritur i Ledinës

“Ka qenë një preferencë e Ledinës për të marrë stilistin e ri Joni Peçi për veshjet e saj në paraqitjen e dy netëve në festival”, është shprehur dje drejtori i Radio Tiranës, Gëzim Podgorica. Stilisti i ri, Peçi jeton në Itali, ka qenë një zgjidhje e menjëhershme e Ledinës, që u prezantua disa ditë më parë gjatë konferencës për shtyp të organizuar në kuadrin e promocionit nga AMC.

Ndërkohë, edhe sipas intervistave në shtyp, Ledina është prononcuar se stilistja e saj do të jetë Enada At Nikolla, e cila ka realizuar veshjet e klipit.

Reagimi publik i Nikollës ishte si pasojë e shkëputjes së befasishme që bëri mikja e saj Ledina, që erdhi menjëherë dhe pas konfliktit që ajo kishte me dy autorët e këngës. Në këtë mes stilistja thotë se nuk qëndron në asnjë palë, dhe se është totalisht mendimi i saj, pa u anuar nga grupet e konfliktit që pushtuan mediat për disa ditë me radhë.

Gjithsesi, drejtori Podgorica duke e parë këtë si një zgjidhje tepër normale, ka pohuar se sot ekipi i tyre niset për në Kiev. Deri dje nuk ishte arritur asnjë marrveshje midis autorëve të këngës dhe RTVSH-së, për të shkuar bashkarisht në Festivalin Evropian. Ditën e hënë, në orën 12.00 kënga shqiptare do të jetë përballë gazetarëve në konferencën për shtyp, një prezantim ky i cunguar shqiptar.

“I ftuam dy autorët në mbrëmjen promocionale që organizoi AMC, por ata nuk pranuan të vijnë.Qëndrimi i tyre ka qenë shumë kokëfortë. Gjithsesi ne do të dërgojmë këngën atje, dhe jemi optimistë për kuotimin që do të marrim”, është shprehur Podgorica, drejtori i Radios, një ditë para nisjes për në Kiev.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›