Ata, siç duket, janë të ditur ose flenë të qetë me padijen e tyre
Një auditor i mbushur plot me studentë të përgjumur, që dëgjojnë në heshtje recitimin e doktoreshës. Fletore që hapen dhe stilolapsa që lëvizin, kjo është e vetmja zhurmë që dëgjohet. Nxijnë ca fletë të bardha dhe, shpeshherë, as vetë nuk arrijnë ta kuptojnë se çfarë kanë shkruar. Metoda të tilla në të shpjeguar e dimë shumë mirë se në botën evropiano-perëndimore janë zhdukur prej kohësh, ne aspirojmë të futemi atje, por veçse gjithnjë e nisim në rrugën e gabuar.
Shpeshherë kam kritikuar pedagogë për paaftësinë dhe neglizhencën e tyre, por këtu ndryshon gjithçka. Pedagogia shumë e përgatitur dhe me doktoraturë, mesa kuptoj, u është përshtatur studentëve të saj, të cilët pedagogun e shohin si perëndi që di gjithçka, e veten e tyre thjesht nxënës naivë. Gjithçka mësohet nga kureshtja dhe pyetjet e shumta, ata siç duket janë të ditur ose flenë të qetë me padijen e tyre, dhe pedagogia s’ka ndër mend t’i zgjojë.
Kjo është panorama në një ditë të bukur në auditoret e universitetit, ku sigurisht vendin kryesor e zënë studentët, veçse në poza nga më absurdet.