VOTË Zgjedhjet 2009
ZGJEDHJET 2009
A mendoni se ka ardhur koha të dëgjojmë; “zgjedhjet ishin të lira, të ndershme”, për zgjedhjet e 2009-ës? A janë pjekur kushtet?
1 – Arbën Xhaferri
A mendoni se ka ardhur koha të dëgjojmë “zgjedhjet ishin të lira, të ndershme” për zgjedhjet e 2009-ës? A janë pjekur kushtet?
Peripecitë e Demokracisë.
Popujt që, rishtazi, e pranuan konceptin demokratik, si procedurë që legjitimon vendosjen e një regjimi që ta drejtojë shtetin, megjithatë, përkundër retorikës intensive nuk arrijnë të krijojnë një rend të mirëfilltë demokratik. Sistemi demokratik nuk mund të reduktohet vetëm në mënyrën e organizimit të zgjedhjeve. Demokracia, pa konceptin e shoqërisë së hapur, pa sistemin e vlerave që garanton respektimin e të drejtave të njeriut, pa funksionimin e shtetit ligjor, pa transparencë në veprimin e institucioneve, pa respektimin e ndarjes së pushtetit në atë ekzekutiv, ligjvënës dhe gjyqësor, pa respektimin e autonomisë së tyre, pa decentralizim të pushtetit, pa kontrollin intern të veprimtarisë së aparatit shtetëror, pa kontrollin civil të forcave të armatosura, pa pjekuri morale, etj., shumë shpejt shndërrohet në instrument të një tiranie legale, në procedurë eliminimi të kundërshtarëve politikë, etnikë, fetarë, në inzhinjering manipulues elektoral, etj.
Nuk duhet harruar se diktatorët më të mëdhenj të shekullit të XX, Hitleri, Musolini, Stalini, Millosheviqi, pastaj Sadam Huseini, Mubaraku e të tjerë, u zgjodhën me votat e lira të elektoratit. Millosheviqi, madje, edhe katër herë. Kur faktori ndërkombëtar kërkon nga këta presidentë që ta demokratizojnë shoqërinë, përgjigja është identike: Mos vallë dëshironi që në pushtet të vijnë ekstremistët? Çdo shtet jodemokratik ka një opozitë ekstremiste që, për shkak të manipulimeve elektorale e radikalizojnë atë. E keqja më e madhe është se ky proces, ky antagonizëm i radikalizuar, zgjat me dekada dhe nëse përfundon, atëherë kjo ndodh me gjakderdhje, me tragjedi. Pra, demokracia, vetvetiu, nuk mund t’i zgjidhë problemet e një shoqërie. Ajo nuk është medikament që shëron, që me automatizëm i zgjidh problemet e qytetarëve, papunësinë, varfërinë, ruajtjen e ambientit, mbrojtjen shëndetësore, etj. Demokracia është medikament që parandalon vendosjen e diktuarës në një shoqëri, madje shpeshherë nuk arrin as këtë ta bëjë. Aktualisht, shumë shtete në botë, duke filluar nga Korea Veriore, Bjello-Rusia, e deri te disa shtete të Amerikës Latine, udhëhiqen nga diktatorë të zgjedhur me procedurë demokratike.
Shtetet, përkatësisht shoqëritë jodemokratike, përpiqen që manipulimet elektorale t’i fshehin prapa kuintave të ligjeve të përsosura që garantojnë barazi, respektim të të drejtave të pakicave, të barazisë elektorale, por në fakt, ky formalizëm krijon pakënaqësi edhe më të madhe, ngaqë mashtrimi është vulgar, i pacipë. Në këto shoqëri mungon etika publike, vetëdija se me këto mashtrime, gjithnjë e më tepër radikalizohen antagonizmat jo vetëm politikë, por edhe ndërnjerëzore. Shtrohet pyetja sesi suspendohen parimet morale, si njeriu e errëson vetëdijen? Janë disa faktorë psiko-socialë që ndikojnë sheshazi të mos respektohen normat, ligjet. Arsyeja kryesore është varfërimi i skajshëm i popullatës gjatë periudhës së komunizmit. Ndalesa e pronës private në kohën e komunizmit krijoi lakminë, posesivizmin e pakontrollueshëm për pronë në kohën e demokratizimit të shoqërisë. Ky motiv ishte më i fuqishëm sesa parimet morale, kështu që korrupsioni, mitoja u shndërruan në kulturë të veprimit të suksesshëm. Paradigma e suksesit u bë ai që ka pasuri, që ka ndikime në politikë, polici, gjyqe, spitale, në kompani të ndryshme, ai që e shëtit botën. Ata që sipas funksionit, klasa politike, sistemi gjyqësor, policia, kishin për detyrë ta parandalojnë këtë degjenerim të sistemit, vetë u bënë pjesë e këtij procesi.
Ata që kanë kulturë teorike pandehin se problemi qëndron te modeli i sistemit juridik, duke sugjeruar se vetëm modeli anglosakson është preventivë për këtë murtajë. Mendoj se asnjë sistem juridik nuk mund të parandalojë manipulimin, po qe se dominon mendësia që toleron shkeljen e normave. Në këto shoqëri me mendësi të këtillë, zhvillohet sensi cinik, sensi formal i respektimit të rregullave të lojës. Në këto shoqëri, nga aspekti formaljuridik, çdo gjë është në vijë, por nga aspekti përmbajtësor asgjë nuk është në rregull. Në këtë garë në mes të cinizmit, fromalizmit dhe realitetit, infantilizohet diskursi politik. Argumentet bëhen gjithnjë e më joserioze.
Por, si është e mundur që njeriu ta suspendojë imperativin kategorik moral (shprehje e filozofit Kant) në vetvete? Në shoqëritë postkomuniste ky suspendim i parimeve morale u arrit përmes shpalljes së kundërshtarit politik si e keqja më e madhe, ndaj të cilit nuk duhet të përfillen normat, skrupujt moralë. Këtë model politik, K. Shmiti e përkufizoi raport mik- armik, që nënkupton sjelljen morale ndaj mikut dhe atë amorale ndaj armikut. Mekanizmi tjetër që ndikon që të zhvillohet kultura cinike, suspendimi i parimeve morale dhe i vetëdijes është mendësia që parapëlqen autoritarizmin. Në shoqërinë shqiptare u dënua totalitarizmi dhe autoritarizmi në planin ideologjik, por këto vetë u ricikluan dhe tolerohen në nivele më të ulëta. Asnjë parti politike nuk mund të pretendojë të ketë sukses pa një prijës autoritar, karizmatik, që ka veti të jashtëzakonshme, i cili është mbi ligjin. Autaritarizmi krijon servilizëm dhe eliminon vlerësimin kritik, e vret sensin për moral.
Ligjet pa mendësinë që vlerëson se ato janë të domosdoshme për një shoqëri moderne nuk vlejnë asnjë dysh.
Në shoqëritë e këtij stadi të zhvillimit rol të rëndësishëm në vetëdijesimin moral, në krijimin e kulturës për respektimine ligjeve luan gazetaria hulumtuese, organizatat joqeveritare, si dhe presioni nga jashtë. Aspiratat e Shqipërisë për integrim në NATO dhe UE krijojnë bazë për optimizëm që procesi i demokratizimit të mirëfilltë i shoqërisë do të përshpejtohet.
2 - Ardian Vehbiu
A mendoni se ka ardhur koha të dëgjojmë; “zgjedhjet ishin të lira, të ndershme”, për zgjedhjet e 2009-ës? A janë pjekur kushtet?
Zgjedhjet e lira dhe të ndershme është më mirë të konsiderohen si pikësynim strategjik për të gjitha forcat politike dhe institucionet e përfshira në procesin zgjedhor, meqë nga pikëpamja praktike rezultatet gjithnjë do të kontestohen po qe se diferenca midis fituesve dhe humbësve është e vogël.
Vetë humbësit, madje edhe thjesht për konsum të bazës së tyre politike, e kanë më të lehtë ta kontestojnë një rezultat, sesa të pranojnë humbjen. Edhe në vende si SHBA-ja, me traditë demokratike 200-vjeçare, zgjedhjet politike gjithnjë janë kontestuar, sa herë rezultatet janë dashur të ftillohen me fotofinish. Problem tjetër është se Shqipërisë iu dha i gatshëm, në vitet 1990, një sistem politik i cili, për vende të tjera me demokraci të konsoliduar, është përftuar dhe përsosur me shumë mundime dhe përpjekje; prandaj vetëm njëzet vjet janë shumë pak për qytetarin shqiptar dhe forcat politike që të fitojnë atë kulturë politike demokratike, e cila u përgjigjet të drejtave të njohura me kushtetutë.
Prandaj, çka mund të bëjnë forcat politike, madje duke mos humbur më kohë, është të merren vesh për të shmangur disa probleme të njohura nga zgjedhje të mëparshme dhe që mund të shmangen me pak vullnet të mirë dhe frymë bashkëpunimi. Për shembull, palët mund të merren vesh për të ulur dhe kufizuar frymën negative dhe urrejtjen në mesazhet gjatë fushatës, ose për të shmangur akuza ndaj kundërshtarëve për veprimtari kriminale; sikurse mund të merren vesh për të përshpejtuar certifikimin e rregullt të zgjedhësve, në mënyrë që të parandalojnë probleme praktike, por tepër shpërthyese, ditën e votimit.
Rëndësi ka edhe që të arrihet një marrëveshje për t’i përballuar problemet dhe konfliktet e ndryshme në tryeza bisedimesh ose nëpërmjet mekanizmave kushtetuese, pa ua përcjellë për arbitrim vëzhguesve të huaj, ambasadorëve në Tiranë dhe institucioneve ndërkombëtare. Më në fund, asnjë nga këto masa praktike nuk do të kishte vlerë, pa iu shtuar besimi zgjedhësve vetë në paanshmërinë e procesit zgjedhor, përtej besnikërive partiake dhe propagandës së palëve; meqë vetëm ashtu mund të thuhet se publiku po merr pjesë në demokraci, dhe jo thjesht po i bindet vullnetit të parive politike që drejtojnë vendin. Prandaj forcat politike që i kontestojnë me forcë të madhe rezultatet e zgjedhjeve, gjithnjë duhet të mbajnë parasysh rrezikun shumë serioz të komprometimit të besueshmërisë së sistemit në publik.
3- Lutfi Dervishi
A mendoni se ka ardhur koha të dëgjojmë “zgjedhjet ishin të lira, të ndershme” për zgjedhjet e 2009-ës? A janë pjekur kushtet?
Përgjigja pa hezitim është po. Madje jemi të vonuar. E kundërta këtë radhë është e pafalshme. Në pranverë Shqipëria do të jetë një vend anëtar i NATO-s. Nuk është mirë të thyejmë ndonjë rekord negativ dhe të mbajmë gjallë togfjalëshin "albanian ballots" - vota shqiptare.Një vendi anëtar të NATO-s nuk i shkojnë problemet me zgjedhjet. Jemi të vonuar, sepse jemi i vetmi vend në rajon ku ky kapitull nuk është mbyllur ende.
Kjo është ajo që normalisht do të duhet të ndodhë. Zgjedhjet janë moment kur testohet vullneti i votuesve. Prej tyre do të dalë një qeverisje me pëlqimin e shumicës. Në vetvete zgjedhjet nuk janë të komplikuara. Është aritmetikë. Kush ka më shumë numra, duhet të udhëheqë dhe kush ka më pak, duhet të qëndrojë në opozitë. Mrekullia është se nuk ka fitues dhe humbës të përjetshëm. Çdo katër vjet partitë do të kërkojnë të verifikohen përballë votuesve. Por ne si vend kemi disa veçanti që na bëjnë unik me zgjedhjet.
Edhe në raport-progresin e fundit theksohet se një nga sfidat kryesore të vendit mbetet realizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të vitit të ardhshëm.
Debatet e ditëve të fundit janë shqetësuese, së paku për disa arsye: Me ndryshimet kushtetuese dhe me kalimin në sistemin proporcional u premtua dhe pritej që një mori partizash të vogla, pa përfaqësim politik, të kishin mundësi të kalonin në peshoren e votuesve. Mesa duket kjo nuk do të ndodhë. Po ato kryetarë partish që kemi parë në fillim, apo në mes të viteve '90, sërish do t'i kemi në Kuvendin e ardhshëm. Premtimet se ky sistem do të na çojë në një kuvend më cilësor do të harrohen. Së dyti, vihet re një përpjekje për të nxjerrë jashtë loje ende pa filluar "loja" disa forca politike (ku spikat rasti i LSI-së). Me kodin e ri zgjedhor (deri më tani) kjo parti që është dhe më e dëmtuara nga zgjedhjet e vitit 2005, nuk do të ketë përfaqësuesit e vet në komisionet e votimit. Kjo është njëlloj sikur të shkosh në peshore dhe të mos lejojnë të shohësh sesa peshon.
Së treti, siç duken shenjat, do të jenë dy forcat e mëdha që do të administrojnë procesin zgjedhor. Ideale do të ishte të shkonim drejt profesionistëve, por kjo duket se nuk ka shanse.
Vetë procesi i hartimit të kodit nuk mund të thuash se ka qenë transparent dhe gjithëpërfshirës. Një përgjegjësi të madhe kanë dy forcat kryesore politike. Vërtet mazhoranca mund të thotë se ne po pranojmë një variant të propozuar nga opozita (PS), por kjo nuk e shpëton nga përgjegjësia e atmosferës parazgjedhore. Mazhoranca është komode, sepse shpreson se një përçarje në kampin e majtë do t'i sigurojë një fitore në 2009-n. Opozita i bën vetë hesapet e veta, porështë në interesin e zotit Berisha (ashtu dhe zotit Rama) për të mos patur zgjedhje me probleme, ndaj duhet mbyllur një orë e më parë mosmarrëveshja me LSI-në dhe partitë e tjera.
Nëse për zotin Berisha, zgjedhjet e 2009-s, për shkak të efektit kohë, janë vendimtare, për z. Rama dhe për z. Meta është pak më ndryshe. Koha për ta mund të presë. Kryeministri i sotëm duhet të jetë i interesuar për të patur zgjedhje të pakontestuara. Për shkak të ulje–ngritjeve që e kanë shoqëruar karrierën e tij politike, gjatë dy dekadave të fundit, gjëja e fundit që do të dëshironte z. Berisha do të ishin zgjedhjet e kontestuara. Pas anëtarësimit të plotë të vendit në NATO, pas mbylljes së procesit të ratifikimit të MSA-së dhe rritjes së shanseve që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat për në BE, pas disa arritjeve të kënaqshme në infrastrukturë (inagurimi i pritshëm i rrugës Durrës- Morinë, etj.), çdo problem me zgjedhjet do të zhbënte arritjet historike dhe do të vinte në pikëpyetje të madhe karrierën dhe kredibilitetin e z. Berisha.
Këto zgjedhje pritet të zhvillohen në kushte më të mira infrastrukturore: lista votimi të pakontestuara dhe karta identiteti e pasaporta biometrike. Tashmë pritet vetëm një vullnet politik që të arrijmë të shënojmë, për herë të parë pas vitit 1992, zgjedhje të pakontestuara.
Nga zgjedhjet e rregullta përfitojnë të gjithë. Zgjedhje të rregullta do të thotë: stabilitet politik, stabilitet institucional, imazh i përmirësuar i vendit, zhvillim ekonomik, mirëqenie për të gjithë.Së fundi, nuk është e tepërt të kujtojmë se çdo gafë me këto zgjedhje do të ishte e pafalshme. Në vitin 1995, Shqipëria ishte gati të merrte statusin e vendit të asociuar me BE-në. Në kohën që rajoni ishte në kulmin e luftës etnike në ish-Jugosllavi, Shqipëria ishte model i mirë për të tjerët. Për shkak të zgjedhjeve me probleme të vitit 1996, vendi bëri më shumë se një dekadë prapa. Ndryshoi rrënjësisht dhe formula e Brukselit ndaj vendeve të rajonit. Nga marrëveshje asociimi, u kalua në stabilizim asociimi. Ja ku ndodhemi sot pas 13 vjetësh dhe ende nuk jemi afër atij shansi që kishim në vitin 1995! Ne bëjmë progres çdo vit, por harrojmë se edhe të tjerët lëvizin. Zgjedhjet e vitit të ardhshëm janë vendimtare, sepse megjithëse mund të jemi anëtarë të NATO-s, vetëm realizmi i këtyre zgjedhjeve pa kontestim do të shënonte mbylljen e tranzicionit politik në Shqipëri dhe hapjen e një kapitulli të ri në marrëdhëniet me Brukselin.
4 –Franko Egro
A mendoni se ka ardhur koha të dëgjojmë; “zgjedhjet ishin të lira, të ndershme”, për zgjedhjet e 2009-ës? A janë pjekur kushtet?
Koha për “zgjedhje të lira dhe të ndershme” ka kaluar prej kohësh. Është fatkeqesi që edhe tani pas afro dy dekadash të ndryshimit të sistemit, shtrojmë këtë çështje. Ështe fakt se çdo raund zgjedhor ka shënuar përmirësime, por gjithnjë janë etiketuar si “shanse të humbura”. Gjykuar nga stadi i ri, në të cilin ndodhemi, (thuajse anëtarë të NATO-s) zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë më shumë sesa domosdoshmëri.
Politika dhe shoqëria duhet të dëshmojnë se nuk janë rastësisht në këtë nivel. Pavarësisht problematikës së ndezur, pro dhe kundër, miratimi i sistemit të ri zgjedhor shënoi një hap madhor përpara, duke eliminuar manipulimin masiv të vullnetit të votuesve. Fatkeqësisht, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për kodin zgjedhor. Vonesën për miratimin e tij e shoh si prelud “fatkeqësish”. Skepticizëm ndjej edhe për përfundimin në kohë të infrastrukturës zgjedhore, aq jetike për zgjedhje cilësore.
Politika ka premtuar shumë dhe shpesh, por asgjë konkrete nuk ka ndodhur. Shqetësimi i “Shekulli”-t nëpërmjet pyetjes është në përputhje të plotë me deklaratat e drejtuesve të politikës evropiane. Në mesazhin e tij të fundit, Komisioneri për Zgjerimin, Oli Rehn, nënvizoi se intensifikimi i mëtejshëm i raporteve Tiranë–Bruksel varet ndjeshëm nga zgjedhjet e qershorit. Një tjetër “shans i humbur “do të ishte “vetëvrasje” demokratike.
5 – Virion Graci
A mendoni se ka ardhur koha të dëgjojmë; “zgjedhjet ishin të lira, të ndershme”, për zgjedhjet e 2009-ës? A janë pjekur kushtet?
Besoj se zgjedhjet e ardhshme kuvendore do të jenë një shfaqe e mirë teatrale, plot rregulla e standarde të pranueshme për atë pak opinion të brendshëm që kemi dhe, sidomos, për vëzhguesit ndërkombëtarë. Por, në thelb, zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009 do të jenë hipotekim i fitores së atij grupi të vogël politik që për gati 20 vjet po kullandris këtë vend, kështu si po e shohim përditë.
Më ndjeni për mungesën e optimizmit, por përderisa votohet symbyllurazi dhe vetëm ashtu, për lista kryetarësh, për njerëz të së “ardhmes”, që plotësojnë vetëm kriteret okulte të një rrethi të ngushtë fajtorësh-triumfatorë, nuk mund të mendoj ndryshe. Pra, do të kemi një farsë tragjike të heshtur me një happy-end formal.
4 – Gazmend Kapllani
A mendoni se ka ardhur koha të dëgjojmë; “zgjedhjet ishin të lira, të ndershme”, për zgjedhjet e 2009-ës? A janë pjekur kushtet?
Një nga filmat e mi të dashur është “Njeriu pa hije”, i Pol Verhofenit. Duke parafrazuar titullin e filmit mund të them se e konsideroj vehten “Njeriu pa votë”. Mendoj se i përkas asaj pjese të degdisur të Shqipërisë, që përbën gati një të tretën e votuesve. Madje të moshës së re që ëndrron akoma të ardhmen. Jam “Njeriu pa votë”, sepse në Greqi nuk votoj ngaqë nuk kam pasaportë greke (për ta pasur duhet të heq dorë nga pasaporta shqiptare dhe ende nuk e kam vendosur diçka të tillë). Në Shqipëri nuk kam votuar kurrë.
Besoj se emri nuk më figuron më as në listat e zgjedhësve, përderisa nuk rregjistrohem. Nuk më ka penguar njeri të votoj në Shqipëri, përveçse ideja ime se, si të votoj, si të mos votoj, është njëlloj: Vota ime do të manipulohet. Ndoshta është një ide e gabuar. Ndoshtë është një nihilizëm politik. Ndoshta jam një njeri indiferent ndaj vendit tim të origjinës. Ndoshta. Por sa herë vijnë zgjedhjet, mendoj se nuk ia vlen të bëj një udhëtim të gjatë, sepse është i gjatë, sado që duket i afërt, të shpenzoj para, sepse duhet të shpenzosh para, për të më vjedhur votën në fund. Njoh miq të mi polakë që votojnë në ambasadën e tyre. Kur i pyeta se mos kanë frikë se mos u vjedhin votën, ata zgurdulluan sytë: “Polonia nuk është më nën regjim totalitar”, - m'u përgjigjën. Kanë të drejtë. Pyetjen e bëra unë, që vij nga një vend ku mentaliteti i regjimit totalitar vazhdon të luajë kohën shtesë të tij. Dhe mendo që kemi edhe penalltitë para nesh... Kur dëgjoj debatet në Shqipëri për të drejtën e votës emigrantëve – pra, që të votojnë me postë, apo në Ambasadën Shqiptare – më kap e qeshura.
Them me vete: “Siguroni një herë votën tuaj, ju që jeni në Shqipëri çdo ditë, dhe pastaj të na vijnë neve radha”. Harrova të them: Këtu në Athinë kam edhe miq nga Zimbabue dhe Sudani. As ata nuk shkojnë të votojnë. E para, sepse është udhëtim i gjatë. E dyta, sepse edhe ata vuajnë nga i njëjti sindrom që vuaj edhe unë. “Është e kotë”, - thonë – “të votosh, përderisa vota do të manipulohet”. Dhe e vërteta është që sa herë vijnë zgjedhjet në Shqipëri ndjehem shumë më afër miqve të mi afrikanë sesa atyre polakë. Dhe atëherë më kap një trishtim dhe një frikë se mos mbetem gjithë jetën “Njeriu pa votë”. Dhe pyes veten, nëse ndoshta është më mirë të marr sa më parë pasaportën greke. Të paktën të mos vdes pa votuar në jetën time.
PS. E vërteta është që kam votuar një herë në jetën time. Në zgjedhjet Universitare në Greqi. Atë ditë, Greqia më nxori paksa mallin e atdheut. Fraksionet kundërshtare rrëmbyen kutitë e votimit, u kacafytën me njëra-tjetrën, daçka fluturuan majtas e djathtas. Të nesërmen, secili fraksion studentor nxori veten fitues. Jeta, sigurisht ndryshe nga Shqipëria, vazhdoi rregullisht. Pas kësaj vendosa të mos votoj më as për zgjedhjet studentore. Kështu mbeta një herë e përgjithmonë “Njeriu pa votë”.