Atak në zemër, dy adoleshentë humbin jetën gjatë pushimeve
TIRANË - Dy vdekje të rinjsh janë shënuar në zonat bregdetare të vendit dhe si shkak është evidentuar ataku kardiak pas larjes në ujë. Ngjarjet e rënda kanë ndodhur në Kavajë e Sarandë dhe viktima kanë mbetur dy pushues që ishin të shoqëruar me familjen. Rasti i parë ndodhi në Ksamil, dy ditë më parë, në orët e pasdites. Një vajzë 14-vjeçare ka hyrë në det sapo kishte konsumuar ushqim me familjen. Sapo ka dalë nga deti vajza ka pësuar një atak kardiak të zemrës. Edhe pse i është dhënë ndihma e parë, nuk ka qenë i mundur shpëtimi i saj. Disa orë më pas, mesditën e djeshme, në një pishinë private në Kavajë, një adoleshent, 17 vjeç, ka ndërruar jetë sapo ka rënë në kontakt me ujin e pishinës. I riu nga Hasi është dërguar me urgjencë në spital, por nuk është shpëtuar dot nga mjekët.
Sarandë
Një ngjarje e njëjtë e rëndë tronditi pasditen e së martës pushuesit në bregdetin e Ksamilit, kur një 14-vjeçare humbi jetën nga një atak kardiak pak sekonda pasi doli nga deti. Ngjarja ndodhi në plazhin e Ksamilit, kur vajza 14-vjeçare, Laura Pasha, po zhytej në det bashkë me 2 motrat e saj. Babai i tre vajzave, Luan Pasha, ndodhej në bregun e detit duke pritur daljen e vajzave nga deti. Pak pasi 14-vjeçarja Laura doli në breg, ajo është rrëzuar duke mos u përmendur më. Pas thirrjes së ndihmës së shpejtë u konstatua se vajza humbi jetën për shkak të një infarkti në zemër. Goditja në zemër, sipas bluzave të bardha, ka qenë e fortë, aq sa ka sjellë menjëherë humbjen e jetës. Mjekët konstatuan se vdekja mund të ketë ardhur pas konsumimit të tepërt të ushqimit nga ana e vajzës dhe më pas futjen menjëherë në det për t’u larë.
Kavajë
Mesditën e djeshme, rreth orës 14:00, në një resort turistik në Kavajë ka vdekur si pasojë e një infarkti në zemër një i ri 17-vjeçar. Viktima quhet Arjol Kastrati dhe pësoi infarkt pasi doli nga uji i pishinës ku ishte kredhur minuta më parë për t’u larë. Dëshmitarë të rastit tregojnë se i riu ra pa ndjenja në momentin që doli nga uji i pishinës ku kishte notuar për pak kohë me shokë të tij. Adoleshenti nga Hasi, që kishte ardhur në Kavajë me familjen për pushime, ka humbur jetën edhe pse i është ardhur në ndihmë pas dërgimit në spital. Dyshohet se vdekja ka ardhur si pasojë e një goditjeje në zemër. Sipas mjekëve, duhet shmangur larja në det menjëherë pas konsumimit të ushqimit.
Box
Specialistët: Kujdes kur hyni në det dhe pishina!
TIRANË - Adoleshentë dhe të rinj, kujdes me ujin e detit e të pishinave! Apeli vjen nga specialistët pasi dy fëmijë humbën jetën brenda 24 orësh, si pasojë e një ataku kardiak të shkaktuar nga një kontakt i menjëhershëm i trupit me ujin e detit dhe të pishinave. “Qytetarët, në mënyrë kategorike nuk duhet të zhyten në ujë menjëherë sapo të ngrihen nga një ambient ku temperatura e mjedisit është e lartë”, - sqaroi dje drejtori i Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero. Sipas tij, kur rri në një ambient ku temperatura është tepër e lartë dhe zhytesh menjëherë në ujë, ku temperatura e tij është shumë më e ulët, ndodh menjëherë pushimi i zemrës, shkencërisht ataku kardiak. Sipas specialistit, kontakti i parë me ujin duhet të jetë gradual dhe jo i menjëhershëm. Drejtori i Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë tërheq vëmendjen te të rinjtë, të cilët janë më të rrezikuarit pasi e praktikojnë më shumë këtë lloj sporti. “Kontakti i parë me ujin duhet të jetë gradual dhe jo i menjëhershëm”. Tepër e rrezikshme dhe që shkakton atakun e menjëhershëm të zemrës është dhe hyrja në ujin e detit apo të pishinës menjëherë sapo të kesh konsumuar një sasi ushqimi.
Box
Makina përplas fëmijën 5 vjeç, ishte me pushime
POGRADEC - Një aksident i rëndë automobilistik ka tronditur Pogradecin teksa një vogëlushe e moshës 5-vjeçare është përplasur nga një mjet me targa greke, duke përfunduar në gjendje kome në spital. Duke iu referuar të dhënave zyrtare të policisë lokale mësohet se aksidenti ka ndodhur në shëtitoren "1 Maji" në Pogradec gjatë mbrëmjes së dy ditëve më parë. Thimi Konolli, 51-vjeçar, nga fshati Zvirinë në rrethin e Korçës, emigrant në shtetin grek, është futur në shëtitore duke shkaktuar ngjarjen e rëndë. Kinolli udhëtonte me një mjet tip “Suzuki” me targë KTB 1030, teksa ka hyrë në një nga rrugët kryesore të Pogradecit në një kohë kur lëvizja e njerëzve ka qenë në pikun e saj. Drejtuesi i mjetit, bëjnë të ditura burimet policore, është arrestuar në kushtet e flagrancës dhe akuzohet për veprën penale të "shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor". Vogëlushja 5-vjeçare me inicialet E. X., që ndodhej për pushime bashkë me familjen e saj, ishte duke ecur më këmbë kur e ka goditur mjeti që ka hyrë në mënyrë të papritur në këtë rrugë. E plagosura, banore e qytetit të Tiranës, është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Pogradecit, por më pas mjekët e kanë transportuar atë për në Tiranë për ndihmë më të specializuar.
Protesta për ujin, banorët bllokojnë rrugët
VLORË - Për më shumë se një orë, aksi rrugor që lidh Vlorën me fshatrat e lumit të Vlorës u bllokua nga banorët e fshatit Babicë, të cilët vuajnë mungesën e ujit të pijshëm në çezmat e tyre prej më shumë se 6 muajsh. Me thirrjet “Duam ujë!” dhe me bidonë në duar, banorët nuk kanë lejuar të kalojë asnjë makinë në këtë aks për 60 minuta, duke krijuar probleme në lëvizjen e automjeteve. Qarkullimi i automjeteve i është rikthyer normalitetit vetëm pas disa orësh, ndërsa banorët kanë kërcënuar se do të bllokojnë sërish rrugën në ditët në vazhdim, derisa uji të rrjedhë në çezmat e tyre.
Ngec helika në rrjeta, bllokohet trageti i linjës Korfuz-Sarandë
SARANDË - Trageti i linjës Korfuz-Sarandë ka mbetur i bllokuar dje për gjysmë ore në mes të detit Jon. Lajmi konfirmohet nga roja bregdetare e qytetit jugor, sipas së cilës, njoftimi është dhënë nga kapiteni i tragetit. Mësohet se trageti me pasagjerë, numri i të cilëve arrinte në rreth 200, ishte nisur nga Korfuzi në drejtim të Sarandës. Gjatë udhëtimit duket se ka hasur probleme, duke ndalur lëvizjen për gjysmë ore. Burime nga roja bregdetare bëjnë të ditur gjithashtu se mendohet se ka qenë bllokimi i helikës në rrjetat e peshkimit që ka penguar lëvizjen normale të tragetit. Pas disa minutash ai ka nisur të lëvizë sërish në drejtim të portit të Sarandës, ku edhe ishte destinacioni i tij, ndërkohë që nuk ka pasur probleme për pasagjerët.
19 Gusht 2010