E Diel, 1 Nëntor 2026

Atak nga i ftohti, 70-vjeçari vdes kur kthehej në shtëpi

17/01/2012  Për 15 minuta ishte ende në jetë. Ambulanca vjen 15 minuta me vonesë

TIRANË- Temperaturat e ulëta, përveç ngricës dhe acarit sollën për këtë vit viktimën e parë në Tiranë. Kësaj radhe nuk ishte as lypës e as i pastrehë, por një 70-vjeçar që po kthehej në shtëpi. Në fillim një shtrëngim në zemër dhe më pas këputje në mes të rrugës. Hysni Xhabafti vdiq 15 minuta, pasi kishte rënë, i pandihmuar nga askush. Ekspertiza paraprake flet për një gjendje infarkti, shkaktuar nga temperaturat e ulëta. Trupi i tij ndodhet tashmë në morg, për ekspertizë mjeko-ligjore. Të afërmit janë lajmëruar nga policia dhe kanë shpjeguar se Xhabafti ishte nisur në mëngjes nga shtëpia, pasi kishte për të shkuar diku. Në momentin kur ai pësoi atakun nga i ftohti, po kthehej në shtëpi.

Infarkti nga i ftohti

Duke iu referuar burimeve policore, 70-vjeçari nga Tirana ka gjetur vdekjen rreth mesditës së djeshme, ndërsa ecte i vetëm në rrugë në afërsi të fushës së “Ali Demit”. Më saktësisht ngjarja ka ndodhur rreth orës 11.00, ndërsa viktima është banor në zonën e Saukut në Tiranë. Pas ekspertizës paraprake të mjekëve mendohet se i moshuari ka humbur jetën si shkak i një gjendje infarkti. Dëshmitarët në vendngjarje tregojnë se kanë parë të moshuarin të shembet në tokë dhe menjëherë kanë njoftuar ambulancën e cila duket se ka mbërritur me vonesë. Teksa ishte i shtrirë në tokë, viktima ka jetuar edhe për rreth 15 minuta të tjera. Pastaj ka ndërruar jetë. Të tilla raste shënohen thuajse çdo vit në rrethe të ndryshme të vendit, ndërsa viktimat kanë qenë kryesisht lypës ose të pastrehë. Moshat që rrezikohen më tepër nga ngricat dhe temperaturat e ulëta, sipas mjekëve, janë nga 50 vjeç e lart. Ndaj mjekët shpeshherë këshillojnë që t’i shmangin daljet nga shtëpia në orët më të ftohta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›