E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pafajësia e Ilir Metës, Skrapari në festë

17/01/2012  Banorët festojnë me thirrjet: “E drejta shkoi në vend”, fishekzjarrë, këngë dhe valle në sheshin qendror

ÇOROVODË – Menjëherë pas mësimit të vendimit të dhënë nga Gjykata e Larët, qindra e mijëra skrapalinj të dy qyteteve Poliçan e Çorovodë dhe të tetë komunave Gjerbës, Potom, Leshnje, Çepani, Vendresh, Konak etj, janë mbledhur në orët e para të pas pasdites në qendër të qytetit për të festuar së bashku sipas tyre vendimin e drejtë që ka dhënë kjo gjykatë për liderin e LSI-së Ilir Meta. Me dhjetëra e qindra banorë të mbledhur nga të katra anët e trevës të Skraparit kanë festuar para sheshit qendror të bashkisë me fishekzjarrë, me këngë e valle vendimin e gjykatës të dhënë ku sipas tyre drejtësia shkoi në vend. Kanë qenë me qindra thirrje “Ilir Meta, Ilir Meta si dhe drejtësia, drejtësia shkoi në vend” etj. Ajo që vlen për t’u përmendur që në fillim të këtij shkrimi është se në këtë tubim miqësor dhe festivë nuk kanë qenë pjesëmarrës vetëm anëtarët dhe simpatizantët e LSI-së, por dhe banorë të thjeshtë të kësaj treve që tregon solidaritetin që kanë skrapalinjtë në këto momente decizive për vendosjen e të drejtës njerëzore.

Festimet

“Kam udhëtuar nga Gjerbësi deri këtu në qytet 46 km pohon për gazetën Sefer Zyko vetëm për të festuar së bashku dinjitetin e vendosur nga gjykata, ndonëse persona amoral, donin t’ia nëpërkëmbënin, njerëz që populli i quan pa idin e iman si dhe i thonë fjalës. Isha në punë në arë diku aty afër shtëpisë kur më erdhi djali dhe më tha se u dha vendimi gjykatës dhe se Meta doli i pafajshëm. Ilir Meta është biri i kësaj treve nga kanë dalë burra shteti dhe të mençur, ndaj do të shkojmë dhe të festojmë në qytet së bashku këtë ditë vërtet festive. Sapo dola në qendër të fshatit pashë se ishin mbledhur dhjetëra banorë dhe së bashku vendosëm të vinim në qytet për të festuar këtë vendimin sa të drejtë po aq dhe njerëzor. Nga zonat e largëta kanë zbritur edhe shumë banorë të tjerë nga Potoni i largët, nga Leshnja, Vëndresha, Therepeli, Liqenthi, Backa, Prishta etj”. Një nga pjesëmarrësit në shesh Krenar Prishta tha për gazetën se sheshi është i mbushur dhe pa organizimin e partive politike, po thirrje dhe fletushka, po thjesht për birin e saj Ilir Meta. “Unë nuk jam anëtar i asnjë partie, por si njeri me dinjitet vendosa të vij këtu për të festuar me banorët e tjerë të këtij qyteti dhe për të thënë se njerëz si Ilir Meta janë të rrallë në zonën tonë, unë jam nga Prishta atje ku gati 100 vjet më parë është mbajtur kongresi bektashian dhe nuk ka njeri që beson në fe që të mos jetë i mirë, punëtor, trim dhe atdhedashës. Skrapari nuk e ka humbur këtë traditë të hershme që nga Lake Backa, Riza Cerova, Karaman Ylli, e shumë e shumë trima e patriotë të tjerë të njohur brenda dhe jashtë vendit mes të cilëve deri tek kryeministri shqiptar 30 vjeç Ilir Meta. Ndaj të mbledhur si ata lisat në Prishtë, apo në malin e shenjtë të Abaz Aliut dhjetëra patriotë skrapalinj kanë mbështetur njëri- tjetrin në çdo kohë kur ata janë të drejtë në rrugën që ndjekin”. Po në orën 17.00, në sheshin para bashkisë të qytetit kanë dalë duke sfiduar të ftohtin dhe shumë veteranë mes të cilëve Faik Biraku, Muharrem Bregu, Sefedin Met’hoxha, Hekuran Hysi e shumë e shumë të tjerë etj. Hekuran Hysi tha për gazetën: Siç e shikoni shumë banorë të Skraparit janë të gëzuar dhe po festojnë këtu në shesh pa harruar edhe bar-kafetë që janë pranë sheshit dhe të moshuarit festojnë së bashku me bijtë e tyre në shesh vendimin e gjykatës. Për mua ai vendim ishte shumë i drejtë, pa trukime politike dhe pa asnjë lloj ndikimi. Unë them se këtu triumfoi drejtësia dhe shteti i së drejtës, për mua e drejta do të fitojë gjithmonë sa herë që krimi të ngrejë krye kundër njerëzve punëtorë një nga të cilët është dhe Meta. Po kështu në shesh kanë dalë dhe qindra të rinj të cilët janë solidarizuar në këtë rast me vendimin e gjykatës i cili në këtë rast ka qenë në 5 me 0 nga trupi gjykues, çka do të thotë se kjo çështje nuk duhet të kishte filluar dhe jo të mbërrinte në dyert e drejtësisë që e vendosi atë pa hezitim”.

Solidarizimi

Duhet të ishin më shumë këtu në shesh, është shprehur për Metropol Krenar Xhaferri, por dhjetëra e qindra banorë të qytetit dhe të rrethinave për rreth tij janë nisur që herët në mëngjes drejt kryeqytetit për ta pritur vendimin e gjykatës atje pranë gjykatës dhe pranë selisë të LSI-s, në Tiranë. Ajo që dua të shtoj pohon Xhaferri është se në celuloidin tonë fiksuam një grup anëtarësh dhe simpatizantësh të Lëvizjes Socialiste për Integrim, por dhe banorë të qytetit para bashkisë në momentin që kanë mësuar dhënien e vendimit të gjykatës në Tiranë. Më pas grupit me thirrjet “Ilir Meta, Ilir Meta, dhe Meta, Meta, drejtësia fitoi, drejtësia fitoi” i janë bashkuar shumë banorë të qytetit dhe të zonave të largëta që kishin zbritur enkas për këtë ngjarje festive ku fitoi shteti i të drejtës dhe tubuan e festuan me këngë e valle dhe me hedhjen e mijëra fishekzjarrëve. Kryetari i bashkisë Nesim Spahiu në lidhje telefonike ka thënë për gazetën se vendimi i gjykatës as që diskutohet që ishte pro të drejtës dhe se në këtë rast ka fituar e drejta, ka fituar shteti i së drejtës ndaj krimit të organizuar.

Kryebashkiaku i Çorovodës, Nesim Spahiu

Njerëz amoralë dhe të kiminalizuar nuk do të fitojnë kurrë

“Unë dhe shumë anëtarë dhe simpatizantë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, por dhe shumë banorë të thjeshtë të qytetit të Çorovodës dhe të fshatrave në rrethinat e tij që herët në mëngjes kemi udhëtuar drejt Tiranës duke mbërritur e pritur pranë gjykatës deri në shpalljen e vendimit të kësaj gjykate. Ndërkohë qindra të tjerë kanë qenë të pranishëm në ambientet e selisë të LSI-së në qendër në Tiranë. Po sot pranë selisë së LSI-s kanë qenë thuajse të gjithë drejtuesit e lartë të kësaj partie, si dhe deputetët Petrit Vasili, Edmond Haxhinasto, Luan Rama etj. Ndonëse në këto momente nuk dua të merrem me politikë, por ajo që dua të them është se kjo parti që po punon ndjeshëm për integrimin e vendit në familjen e madhe evropiane, tashmë do të jetë edhe më e fortë pasi mbi punën e saj nuk fitoi krimi i organizuar, por drejtësia dhe shteti i së drejtës. Thirrjet që sot ishin për liderin e LSI-së treguan edhe njëherë sesa i denjë është Ilir Meta jo vetëm për këtë parti, por dhe për mbarë shqiptarët kudo që janë. Këtë e ka treguar koha, veprimet dhe puna që ka bërë Meta në të gjitha detyrat që i janë kërkuar. Unë e them me bindje se Meta gjatë punës si kryeministër do të mbahet mend si kryeministri i rrugëve të njëjtën gjë që po bën kjo qeveri, pjesë e koalicionit ku është dhe LSI me liderin e saj, Metën. Nuk është koha për tu zgjatur ashtu siç dhe pohova pak më lart, por nuk mundet të rri pa përmendur që të hedhësh baltë mbi një kryeministër 30 vjeç në historinë shqiptare kjo nuk tolerohet, nuk tolerohet që krimi të ngrejë kokë kundër njerëzve punëtorë. Shumë nga këta lloj njerëzish amoralë, pa dinjitet që kërkojnë me anë të krimit të mposhtin drejtësinë në një shtet ligjor dhe që organizojnë të tilla krime gjithmonë do të marrin të njëjtën përgjigje pasi gjithmonë shteti i së drejtës do të fitojë. Këta njerëz të ligj siç dhe i quan populli harrojnë se lideri Meta vjen nga një trevë që është sa patriote po dhe aq me kulturë e dije, sa miqësore e mikpritëse e ka nxjerrë trima, pasi vijnë nga vendi i malit të bekuar të Abaz Aliut, vende ku kanë marrë dije e kulturë vend nga i cili ka marrë bekimin e zotit ashtu si dhe e mori lideri Meta sot nga drejtësia shqiptare”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›