E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atdhe Nuhiu "kopja" e Salihit te Riedi

 

Ka shënuar edhe golin e parë me Riedin por ajo çka u ka bërë më shumë përshtypje mediave austriake ka qenë edhe mënyra se ka festuar. Atdhe Nuhiu duket kopja e Hamdi Salihit, lojtarin të cilin zëvendësoi kur ky i fundit u largua për tek Rapidi i Vjenës. "Duhet të jemi të kënaqur nga rezultati i ndeshjes. Ndaj një Austrie si kjo ne mundëm të marrim pikë në transfertë dhe kjo është një gjë shumë pozitive", ka pohuar Atdhe Nuhiu për mediat austriake pas barazimit mbrëmjen e mërkurë ndaj Austrisë së Vjenës. "Gjërat po ecin në anën e duhur. Jam i sapoardhur në klub por kam gjetur mbështetjen e të gjithëve. Pastaj kur arrin edhe të shënosh nuk ka më mirë", ka vazhduar kosovari që ka luajtur për U-21 të Austrisë por që disa herë ka pohuar se dëshiron një pasaportë shqiptare për të veshur kuqezi. Atdhe Nuhiu kaloi nga Austria Kartnen tek SV Ried vetëm verën e këtij viti duke zënë vendin e lënë bosh nga Salihi. Shkodrani kaloi te Rapidi i Vjenës duke firmosur një kontratë tre-vjeçare pasi kishte sigluar 40 gola në 80 ndeshje me Riedin. "Hamdi Salihi ishte një idhull i tifozëve të Riedit sepse ishte ai që në shumicën e rasteve ka shënuar për ekipin dhe ka qenë protagonist kryesor me golat e tij. Për Salihin kam dëgjuar vetëm fjalë të mira dhe ai i ka mbetur në zemër të gjithë tifozëve të kësaj skuadre", ka pohuar Nuhiu. Më tej talenti kosovar ka ka konfirmuar se do të mundohet të ecë në hapat e Salihit, edhe pse ai e sheh të vështirë që të shënojë po aq sa sulmuesi kuqezi. "Siç dihet tek Ried unë jam transferuar për të marrë vendin e lënë bosh nga Salihi. Por, të them të drejtën kam një presion të madh që ta zëvendësoj sepse e dinë të gjithë se çfarë lojtari është. Edhe nëse shënoj më pak se Salihi përsëri do të isha i kënaqur. Ai është një futbollist i madh dhe një golashënues i lindur, vështirë se mund të zëvendësohet aq lehtë", ka përfunduar Nuhiu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›