E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia futet natën në Lazarat, asgjëson bimët ndërsa banorët flinin

 

GJIROKASTER - Policia e Gjirokastrës futet për herë të parë për këtë vit në Lazarat. Një aksion i befasuar i koduar "Era e Jugut" në orën 05:00 të mëngjesit i ka gjetur në gjumë banorët, të cilët nuk kanë pasur mundësi t'i kundërpërgjigjen asgjësimit të 423 rrënjëve kanabis. Mësohet se forca të shumta policie ndërmorën këtë aksion në pjesën e poshtme të fshatit Lazarat në lagjen Kordhocë, ku u zbuluan edhe rrënjët e kanabisit. Kanë qenë informacionet e marra nga inspektorët e policisë në Lazarat ato që sollën reagimin e djeshëm të Policisë së Gjirokastrës. Sipas burimeve të policisë, dy parcela të mbjella me hashash janë shkatërruar, duke sjellë kështu të parin reagim në terren të policisë në fshatin "rebel". Të dyja parcelat kishin nga 178 dhe 250 rrënjë kanabis, të cilat kishin një gjatësi deri në 3 metra. Për të mos u ekspozuar parcelat ishin të rrethuara me pisha. Të gjithë bimët janë asgjësuar menjëherë me anë të djegies, ndërsa disa prej tyre janë marrë në cilësinë e provës materiale. Sipas policisë së Gjirokastrës, gjatë këtij aksioni nuk është gjetur në vendngjarje kultivuesi i drogës, por specialistët e antidrogës në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative dhe provave materiale të gjetura në terren, kanë bërë të mundur identifikimin  dhe shpalljen në kërkim të tij. Gjatë ndërhyrjes në Lazarat, policia nuk është ndeshur në rezistencë fizike nga banorët, të cilët në atë orë ishin duke fjetur. Ndërkaq, operacioni krahas Lazaratit, është përqendruar edhe në Komunën Çepo në veriperëndim të qytetit të Gjirokastrës. Në vendin e quajtur "Bregu i Shumë" në Skotini, policia arriti të evidentonte dy parcela të kultivuara me bimë narkotike. Në çdo parcelë kishte nga 230 rrënjë kanabis, të cilat varionin me një gjatësi nga 2.5-3.5 metra. Bimët janë asgjësuar me anë të djegies dhe disa prej tyre u morën në cilësinë e provës materiale.                               p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›