E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lezha i jep "lamtumirën" Brian Filipit

 

Qyteti i Lezhës i ka dhënë dje lamtumirën për në banesën e  fundit futbollistit shqiptar Brian Filipi. Në ceremoninë mortore morën pjesë banorë të këtij qyteti, të afërmt, bashkëmoshatarë si dhe drejtuesit më të lartë të futbollit në vend. Nga Federata Shqiptare e Futbollit, delegacionin e kryesonte presidenti Armand Duka së bashku me zëvendës/presidentin Bujar Kasmi dhe disa prej anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të kësaj federate. Nuk mungoi edhe Drejtori i sporteve në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Vasil Bici. Në nderim të sulmuesit të ekipit Shpresa u vunë kurora me lule edhe nga federata të tjera sportive në vend si dhe nga Komiteti Olimpik Shqiptar. Brian Filipi humbi jetën pasditen e së premtes së kaluar në qytetin e Çervias në Itali kujtonte prej disa vitesh. Një makinë me shpejtësi të madhe, në drejtim të së cilës ishte një grua 52 vjeçare, tashmë para drejtësisë italiane, aksidentoi për vdekje talentin shqiptar, i cili po ecte rrugës së bashku me një shok të tij të skuadrës së Ravenës. Filipi humbi jetën para se të mbërrinte në spital ndërsa kolegu i tij nuk pësoi veçse një traumë psikologjike. Futbollistit shqiptar iu bënë të gjitha nderimet e fundit nga mbarë komuniteti i Ravenës si dhe klubi i futbollit. Në ceremoninë mortore, mbajtur në Çervia ditën e hënë, presidenti i Ravenës dhe kryebashkiaku kanë vlerësuar futbollistin shqiptar për karakterin e tij të çiltër dhe për më tepër për talentin në futboll. 20-vjeçari Brain Filipi luajti 4 ndeshje me ekipin Shpresa të Artan Bushatit duke shënuar edhe një gol. Ai konsiderohej si një nga sulmuesit e së ardhmes së futbollit shqiptar dhe ishte në orbitën e kombëtares A të Josip Kuzhesë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›