Budini: Si e prodhuan mediat politikanin Rama
Alma Mile
"Ta lexosh performancën e Ramës në aspektin estetik, do të thotë, të shkosh përtej formës tek substanca. Me fjalë të tjera, do të thotë të kërkosh "substancën e formës"". Ndërsa pritej që bocat e para të dilnin nga botimi, pyetja që i drejtonin të gjithë ishte nëse kishte shkruar "mirë", apo "keq" për Edi Ramën. Por qëllimi i Belina Budinit nuk ishte ky. Me veprën studimore "Edi Rama, politikani pop(ulist)-star", kërkon të ngrihet mbi çdo lloj gjykimi të majtë dhe të djathtë, mbi figurën e një lideri politik, karizmatik, si Edi Rama. Dje, në ambientet e Universitetit Evropian të Tiranës, u zhvillua ceremonia promovuese e librit të gazetares dhe pedagoges Belina Budini. Kolegë, miq dhe studentë, ishin të pranishëm për të ndarë këtë eksperiencë, që pa dyshim, ashtu si u shpreh edhe analisti Mentor Nazarko, është një dëshmi e pjekurisë së saj profesionale dhe intelektuale. Të pranishëm ishin analistë dhe gazetarë të njohur si Andi Bushati, Mustafa Nano, Fatos Lubonja, politikanë si Preç Zogaj, Erion Veliaj, personalitete të tjera publike si prof. Dr. Aleks Luarasi, Theodhori Sollaku, etj.
Studimi mbi figurën e Edi Ramës, nisi fillimisht si një temë për mbrojtjen e masterit që autorja po kryente në një nga universitetet prestigjioze në Londër, për të marrë më tej formën e një studimi të plotë, i cili tanimë na vjen si një libër mjaft interesant. Një libër, i cili është unik në llojin e vet dhe ka tërhequr vëmendjen edhe të studiuesve dhe autorëve të tjerë, të cilët e kanë marrë në dorë qysh më parë këtë vepër, për të realizuar një vepër të ngjashme, por ndoshta mbi një tjetër figurë publike, apo politike. "Autorja e këtij libri që keni marrë në dorë, Belina Budini, ka meritën se për herë të parë arrin ta fusë këtë hipotezë shkencore shpjegimi të marrëdhënieve midis politikës dhe mediave, në kontekstin e shkencave sociale shqiptare dhe sidomos të atyre të komunikimit dhe të informimit", thotë prof. Fuga në parathënien e librit. Për të gjithë ata që presin të lexojnë një libër politik, autorja sqaron, se nuk do të gjejnë asgjë të ngjashme me një "manifest politik". Budini thotë se rruga e re e Edi Ramës në krye të Partisë Socialiste përbën vetëm një linjë dytësore kërkimi, por gjithsesi, një linjë e pashmangshme, përderisa kjo fazë e karrierës së Ramës shënoi një moment thyerje në stilin e tij politik, për shkak të ndjekjes së strategjive të reja në formë dhe në përmbajtje. "Përqafimi hapur i një retorike me nuanca 'populiste' ose më saktë 'neo-populiste', ishte një surprizë për opinionin publik shqiptar, që e kishte pritur dhe konfirmuar Ramën disa herë radhazi në pushtet pikërisht për të kundërtën, pra për mënyrat 'ekstravagante' dhe jotradicionale të bërjes politikë, dhe sigurisht për efikasitetin e punës së tij", - thotë autorja, e cila nuk mund të lërë pa përmendur edhe zgjedhjet e fundit parlamentare, por pa u futur në analiza të thella, mbi arsyet e humbjes së tyre nga Partia Socialiste. "Në epilogun e librit, vetëm sa kam hedhur dyshime mbi arsyet që nuk i sollën sukses Ramës në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit", - sqaron ajo.
Për autoren, e cila vjen nga një angazhim intensiv, disavjeçar në shtypin e shkruar, ky libër përbën një lloj sfide. "Mendoj se kam fituar një lloj beteje me veten, duke iu larguar mëkatit tim të preferuar, teprimeve stilistike gjuhësore, pasi i jam përmbajtur me sa kam mundur një mënyre të shprehuri të drejtpërdrejtë. Më është dashur t'i rikthehem disa herë tekstit për ta bërë pra më të thjeshtë dhe më të drejtpërdrejtë. Këtë luks rrallë mund ta kesh kur shkruan në gazetë, me ritmin e përditshmërisë, por, fatmirësisht, shkëputja për të ndjekur studimet dhe përvoja e re si pedagoge më krijuan distancën e nevojshme, jo vetëm për të arsyetuar ftohtë dhe në mënyrë kritike, por mu dha kohë edhe për kthjellimin e gjuhës", - thotë ajo.
Trajtesë me vlera akademike
Artan Fuga
Në një moshë të re, sidomos për barrën profesionale që ka mbajtur mbi supe, ajo bën pjesë tek ai brez, i cili nuk ka kurrfarë kompleksi ndaj tematikës së çështjeve që merr në shqyrtim, kudo, në faqet e shtypit, në bisedat shoqërore, përballë studentëve, në mbledhje publike e gjetiu. Këtu, tek ajo dhe miqtë a brezi i saj, bashkohen si duhet ndjesia e qytetarisë së emancipuar, larg kohës dhe reflekseve të një shoqërie totalitare ndërtuar mbi tema tabu, me edukimin e çlirët, mbështetur fort në një kuptim të gjerë të fjalës së lirë, e cila natyrshëm prek pa ndroje problematika të mprehta të shoqërisë së sotme shqiptare. Marrëdhëniet e medias me politikën dhe brenda këtij konteksti përvijimi dhe shpalosja, sikurse ajo e mendon, e veprimit dhe imazhit politik të një personazhi të rëndësishëm dhe kyç të jetës së sotme publike dhe mediatike shqiptare, njëherësh kryetar i Bashkisë së kryeqytetit dhe kryetar i partisë socialiste, Edi Rama, e pastaj, shpalosja e një tematike teorike mbi këto çështje, trajtohen me dorë të sigurt, pa dridhjet që mund të priteshin e që do të ishin krejt të justifikuara në një debutim si ky. Pena e saj, përkundrazi, është shumë e qartë, stili i qepur bukur, fjalitë e ndërtuara këndshëm, ndërtimet imagjinare të prera me kujdes e inteligjencë. Është dikush që jo vetëm e ka dhunti të shkruarin, kjo dihet, por që ka edhe një përvojë shumë të pasur në kontaktin me kulturën dhe njerëzit e kulturës.
Pavarësisht rrugës që ka marrë si kërkuese shkencore dhe pedagoge e re e shkencave të komunikimit, ajo mbart një përvojë shumë të pasur të gazetares në të përditshme të rëndësishme të vendit, dhe aq, më tepër të një gazetareje të mprehtë, përse jo: provokuese, që mbulon një sërë fushash. Shihen avantazhet e kësaj përvoje, ndonëse këtu ajo shfaq qartazi besnikëri të lavdërueshme ndaj një stili dhe mënyre akademike të arsyetuari. Janë cilësi të veçanta, të cilat i duhen aq shumë universit të shkencave sociale te ne, ndërkohë të mësuara prej kohësh me përqasje ku shpesh nuk dallohet mirë se cili është objekti i marrë në shqyrtim dhe cila është metoda apo hipoteza e punës së autorit. Libri që kemi në dorë përbën një shembull shumë domethënës për të kundërtën. Objekti i reflektimeve në të është konkret, tejet konkret, një personazh i vetëm, parë në evoluimin dhe aksionin e tij politik dhe intelektual brenda një periudhe krejt të përcaktuar. Analizat janë koherente, por qëndrimi i autores është i ftohtë, domethënë nuk shpreh askund dhe aspak një ngatërrim të emocioneve, bindjeve, qëndrimeve të saja subjektive me objektin e vet të studimit. Duket se ideja për ta konceptuar e shkruar këtë libër i ka ardhur si një vegim i shpejtë dhe i fuqishëm, ashtu sikurse vijnë arsyetimet që, në fakt, nëndheshëm, janë mbrujtur dhe pjekur gradualisht gjatë jetës profesionale të përditshme, pjesëmarrjes në debatin publik, e mbi të gjitha, kur horizonti intelektual i autorit pëson një përshpejtim intensiv. E përfshirë në studimet në nivel master të University of London, ajo është futur me pasion në botën e dijes dhe veçanërisht të teorive të komunikimit, ka rënë atje në kontakt me autorë dhe vepra teorike që, në fakt, përbëjnë mënyrën e sotme perëndimore të arsyetimit mbi raportin mes medias dhe politikës. Mbi këtë bazë, sidomos në pjesën e dytë, lexuesi do të gjejë qëndrime të teoricienëve të huaj për këto probleme. Nga kjo pikëpamje, libri i saj do të vlejë shumë në rrafshin akademik.
Krijesa mediatike
"Dukuria që kam trajtuar është prodhimi i një politikani nga mediat dhe nëpërmjet mediave". Gazetarja Belina Budini sqaron në këtë mënyrë se arsyeja pse ajo ka zgjedhur si "personazh" të trajtesës së saj, Edi Ramën, nuk është politike, por se Rama përfaqëson më së miri këtë fenomen. "Linja kryesore e kërkimit rreth këtij fenomeni përvijon pikërisht ngritjen dhe konsolidimin e figurës së Edi Ramës si politikan, duke qenë në radhë të parë një star mediatik. Vetëm një analizë politike, e bazuar në teknikalitetet e politikëbërjes, do të ishte krejt e pamjaftueshme për të kuptuar dukurinë e politikanit 'pop-star'", - thotë ajo.
Libri
"Edi Rama, politikani pop(ulist)-star" me autore Belina Budinin, është një botim i Universitetit Evropian të Tiranës. Libri paraprihet nga një parathënie e akademikut, Prof. Dr. Artan Fuga, për të vijuar trajtesën në dy "kapituj" kryesorë, të ndarë në nënkapituj dhe një epilog, ku trajton në sërë fenomenesh që kanë për protagonist Edi Ramën, si "Ardhja e politikanit mediatik", "Rama si "agjenci shtypi", "Projektimi i njeriut të punës", "Populizmi-lider i fortë, parti e dobët", etj. Për të ndërtuar këtë vepër, Budini është mbështetur në një bibliografi të pasur, në shtypin e kohës, qoftë ky shqiptar, apo i huaj.
Thanë gjatë promovimit të librit
Nazarko: Rritje intelektuale
"Për mua ky botim është një motiv krenarie. Së pari, sepse Belina ka qenë studentja ime, por edhe sepse ky libër shënon një kërcim të madh në rritjen e saj profesionale dhe intelektuale. Fjala risi do të ishte një përsëritje banale, por që ky libër përbën një risi, është aq e vërtetë, saqë prof. Artan Fuga, i cili ka bërë parathënien e këtij libri, u josh për të ndërmarrë një sprovë të ngjashme", - tha analisti Mentor Nazarko, teksa shton se ai vetë nuk do t'i kishte shpëtuar dot tundimit ta trajtonte figurën e Ramës, duke analizuar edhe ulje-ngritjet politike. Sipas tij, përveçse interesante, qasja që autorja i bën kësaj figure është e ftohtë. Nazarko siguroi se ky libër do të ngjallë një interes të veçantë, pasi ka marrë certifikimin e disa katedrave, asaj londineze, të Universitetit Evropian të Tiranës, të autorit të parathënies, por edhe të atij vetë si lexues.
Civici: Analizë komunikimi
Në pozicionin e mikpritësit, rektori i Universitetit Evropian të Tiranës, Adrian Civici, shprehu kënaqësinë që ky libër jo vetëm po promovohej, në ambientet e UET-së, por edhe që bën pjesë në kolanën studimore, që boton ky universitet. Civici përgëzoi autoren Belina Budini, për trajtesën e veçantë që i ka bërë figurës së liderit politik Edi Rama në veprën "Edi Rama, politikani pop(ulist)-star", pa u futur në analiza politike, por në performancën e tij, të vënë në dukje më së shumti nga mediat. Ky libër nuk është një analizë politike, por komunikimi", - u shpreh Adrian Civici, duke ftuar të gjithë të pranishmit në ceremoninë e prezantimit, ta lexonin këtë libër, i cili shënon një mënyrë të re vështrimi të figurave publike dhe në veçanti atyre politike.