Skela drejt Mynih 1860 në Bundesligën e Dytë
Leonard Karaj
Ervin Skela është shumë pranë nënshkrimit të një kontrate me Mynih 1860 në Bundesligën e Dytë Gjermane. Lajmi është bërë i ditur nga mediat gjermane. Mesfushori i kombëtares shqiptare, i mbetur pa skuadër, ka optuar për Mynih 1860 ekip ky që militon në kategorinë e dytë, por me ambicie për t’u ngjitur në Bundesligën e Parë. Klubi bavarez ka hasur në probleme të formës shëndetësore të futbollistëve të saj ndaj Drejtori Sportiv i këtij klubi, Miki Steviç ka hedhur sytë nga 32-vjeçari vlonjat, i mbetur në pit-stop që prej largimit nga Energji Kotbus në fund të sezonit të kaluar. Mediat gjermane raportojnë se Mynih ka qenë e interesuar për Skelën edhe gjatë muajve të verës por futbollisti shqiptar ka preferuar të presë me idenë se do të mund të nënshkruante për një skuadër të kategorisë së parë. Ndërkohë sipas Stevic, Skela mund të dirigjojë lojën e kësaj skuadre, kjo falë edhe eksperiencës që ai ka në futbollin gjerman. Skela numëron 168 ndeshje në Bundesligën e Parë gjermane dhe 21 gola të shënuar, shifra këto që kanë impresionuar drejtuesit e këtij klubi.
Aktualisht futbollisti shqiptar stërvitet me skuadrën e dytë të Bajer Leverkuzen për të mbajtur në formë trupin e tij. "Gjithsesi ai ka luajtur edhe për kombëtaren shqiptare ku ka shënuar edhe 2 gola në fitoren ndaj Qipros, si dhe ka luajtur edhe ndaj Danimarkës. Kjo tregon se ai është në formë të mirë dhe mund të luajë dhe të inkuadrohet menjëherë në grup", ka pohuar Steviç. Ndërkaq është prononcuar edhe Ervin Skela i cili ka pohuar se mezi pret të japë ndihmën e tij për këtë ekip. "Mynih 1860 është një skuadër me histori, me fansa të mrekullueshëm dhe me një objektiv të qartë. Do të isha i lumtur të kontribuoja në fushën e lojës për këtë sezon me fanellën e kësaj skuadre", ka pohuar futbollisti kuqezi.