Berisha fton Barak Obamën në Tiranë
ADI SHKEMBI
Kryeministri Sali Berisha fton presidentin e SHBA-ve, Barak Obama të vizitojë Shqipërinë. Ftesa e kreut të Qeverisë shqiptare është bërë gjatë një takimi të zhvilluar në "Metropolitan Museum of Arts", ku krerët e shteteve të botës ndodhen me rastin e hapjes së punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Kryeministri Berisha u shpreh se të gjithë shqiptarët presin me padurim dhe me shumë kënaqësi një vizitë të Presidentit Obama në Shqipëri, në çdo kohë të mundshme për axhendën e tij. "Ju, zoti President do të gjeni kombin më miqësor ndaj kombit amerikan, ndaj vendit tuaj dhe ndaj jush dhe unë shpresoj shumë që ju të vini në vendin tim", u shpreh Kryeministri Berisha. Njoftimi për shtyp i Këshillit të Ministrave bën të ditur se Presidenti Obama e pranoi ftesën, ndërsa bashkëshortja e tij, Michele premtoi se do të nxisë Presidentin të vizitojë Shqipërinë. "Presidenti Obama tha se do të shikonte me shumë kënaqësi mundësinë e një vizite në Shqipëri. Zonja Michele Obama gjithashtu u shpreh se ajo e priti me shumë kënaqësi këtë ftesë për të vizituar Shqipërinë dhe se nga ana e saj do të nxiste bashkëshortin e saj që ta bënte këtë", thuhet në njoftimin për shtyp. Gjatë takimit Presidenti Obama i tha Kryeministrit Berisha se në Çikago, ku ai kishte punuar për një kohë, kishte pasur rastin të takohej e të punonte me disa shqiptarë dhe kishte nga ta mbresat më të mira. Për herë të fundit kreu i Qeverisë u takua me Presidentin Obama gjatë samitit të NATO-s në Strasburg, ku Shqipëria u bë anëtare me të drejta të plota në Aleancë. Në pritjen e shtruar të mërkurën nga Presidenti Obama dhe që zgjati rreth 2 orë, Kryeministri Berisha u takua sërish me Kryeministrin e Japonisë, me të cilin diskutoi gjerësisht mbi marrëdhëniet mes dy vendeve dhe e falënderoi atë për mbështetjen e Japonisë në fusha të ndryshme si në arsim, bujqësi, shëndetësi, infrastrukturë etj. Kryeministri Berisha e ftoi të vizitonte Shqipërinë, ftesë që u pranua me kënaqësi. "Një takim të përzemërt Kryeministri Berisha pati gjatë darkës edhe më këshilltarin për Sigurinë Kombëtare në Presidencën Obama, Gjeneralin James Jones, me të cilin u diskutua mbi marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve, si dhe mbi zhvillimet në Shqipëri. Kryeministri Berisha e ftoi Gjeneralin Jones të vizitojë Shqipërinë dhe ai e pranoi me kënaqësi ftesën", thuhet në njoftimin për shtyp. Gjatë darkës Berisha u takua dhe bisedoi mbi Samitin e ardhshëm të Kopenhagenit me Kryeministrin e Danimarkës si dhe me Kryeministrin e Suedisë, me të cilin diskutoi mbi procesin e integrimit dhe heqjen e vizave për Shqipërinë. Gjatë vizitës në SHBA, kryeministri Berisha u takua edhe me homologun e tij turk. Kryeministri Taip Erdogan tha se dita e inaugurimit të rrugës Durrës-Kukës do të mbetet e paharruar për të. "Duke e përgëzuar për këto arritje dhe për mbarëvajtjen e ekonomisë në vend si pasojë e reformave te qeverisë shqiptare, Kryeministri Erdogan theksoi se do të mbetet përherë e paharruar për të dita e inaugurimit të veprës madhështore, rrugës Durrës-Kukës Morinë dhe pritja e ngrohtë që iu rezervua në këtë ditë të shënuar", thuhet në njoftimin për shtyp të Këshillit të Ministrave. Nga ana e tij kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se reformat ekonomike e financiare që qeveria shqiptare ndërmori në mandatin që sapo u mbyll 2005-2009, kanë bërë të mundur që pesha e krizës globale të mos sjellë pasoja të konsiderueshme në vend dhe se ekonomia shqiptare vazhdoi të rritet me ritme të larta edhe gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2009.
Gordon Braun
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Gordon Braun i dërgoi dje një mesazh urimi Kryeministrit Berisha, në të cilin thekson se: "Ne kemi ndërtuar një bashkëpunim të fortë në luftën kundër krimit të organizuar, si në nivelin politik ashtu edhe atë operacional. Ndjekja e kësaj lufte është në interesin tonë të përbashkët dhe unë shpresoj që bashkëpunimi ynë i ngushtë do të vazhdojë dhe do të zgjerohet gjatë mandatit tuaj të ri".
Jose Zapatero
Kreu i Qeverisë spanjolle, uroi homologun e tij Sali Berisha me rastin e rizgjedhjes së tij në krye të Qeverisë shqiptare. "Kam kënaqësinë t'ju shpreh urimet e mia më të përzemërta për emërimin tuaj si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe t'ju uroj sukseset më të mëdha gjatë mandatit tuaj të ri. Po ashtu, dëshiroj t'ju transmetoj gatishmërinë time personale, si dhe të Qeverisë së Spanjës për të vazhduar forcimin dhe thellimin e marrëdhënieve”.