Oferta e PD: Tetë ligje për fletët e votimit

Ruçi - Patozi, 75 minuta kokë më kokë duke diskutuar për teknikalitetet e komisionit hetimor. PD ofron konsensus në këmbim të miratimit të ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar. Tetë ligje të tilla do votohen sot në Kuvend
TIRANË - Një ditë përpara zhvillimit të seancës plenare në Kuvendin e Shqipërisë, kryetari i grupit të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi dhe kryetari i grupit të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, kanë zhvilluar raundin e dytë të negociatave.
Në një takim pothuajse sekret, pa praninë e mediave, dy negociatorët kanë zhvilluar bisedimet për të gjetur një rrugë mbi zgjidhjen e krizës politike që vazhdon prej muajsh në vend.
Në orën 18:00, krerët e grupeve parlamentare kanë hyrë një nga një në kryesinë e Kuvendit dhe i janë drejtuar dhomës së pritjes, aty ku u zhvillua edhe takimi i parë.
Pas një orë e dhjetë minutash debate, dy figurat politike janë larguar nga institucioni duke përdorur daljen e pasme për të shmangur në këtë mënyrë çdo lloj kontakti me mediat. Negociatat pritet të vazhdojnë edhe ditën e sotme, në një tjetër takim të dytë.
Burime nga të dyja partitë bëjnë të ditur se në raundin e dytë të negociatave nuk është arritur një qëndrim i përbashkët për zgjidhjen e krizës politike në vend. Gjithashtu, mësohet se palët janë ndarë përsëri për të njëjtën çështje që vijojnë debatin prej muajsh, hapjen e kutive të fletëve të votimit.
Në tavolinën e bisedimeve të përfaqësuesve të dy partive më të mëdha politike në vend, temë kryesore e diskutimit ishte teknika e hetimit të zgjedhjeve.
Partia Socialiste ka ripërsëritur qëndrimin e saj për hetimin e zgjedhjeve pa djegien e fletëve të votimit, ndërsa Partia Demokratike ka mbrojtur tezën e saj të dërgimit të fletëve të votimit në Gjykatën Kushtetuese.
Por, presioni gjithmonë e në rritje nga ndërkombëtarët për gjetjen e një zgjidhje nga dy partitë politike dhe fillimin e hetimit zgjidhjeve, duke miratuar Komisionin e ri Hetimor përpara mbarimit të sesionit parlamentar, si dhe votimin e ligjeve me konsensusin e opozitës, ka "detyruar" mazhorancën që të bëjë ofertën e saj për zgjidhjen e çështjes.
Pas përfundimit të negociatave është mësuar nga Partia Demokratike dhe Partia Socialiste se është rënë parimisht dakord midis Ruçit dhe Patozit që të shfrytëzohet seanca e sotme plenare për të zhvilluar një takim së bashku.
Mbi këtë takim theksohet gjithashtu se nuk është e vendosur 100%. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se mundësia e një takimi tjetër do të jetë në varësi të debatit që do të zhvillohet në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë.
Si kundërpeshë për komisionin hetimor, demokratët do kërkojnë votën pro të socialistëve për një numër të madh ligjesh që miratohen vetëm me shumicë të cilësuar, 84 vota. Oferta konkrete e Patozit ishte dhënia e votës në këmbim të komisionit hetimor.
Për këtë arsye mazhoranca ka vendosur në kalendarin e punimeve të sotme të Kuvendit tetë projektligje që kërkojnë 84 vota.
Deri më tani, Partia Demokratike ka cilësuar si "një lëshim të madh i saj" konsensusin për ngritjen e Komisionit të ri Hetimor, dhënien e shumicës dhe kryetarit të opozitës.
Nga selia blu, dhënia e votës së grupit Parlamentar Socialist për ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar do të përkthehej si një lëshim nga opozita në drejtim të përmirësimit të marrëdhënieve të "ngrira" midis dy partive politike.
Për sa i përket hapjes së kutive të votimit palët vijojnë ende të mbajnë të njëjtin qëndrim. Edhe në raundin e dytë të negociatave, ndërsa socialistët kanë kërkuar hetimin e zgjedhjeve përmes hapjes së kutive të votimit, duke ofruar edhe mënyra se si do të mund të hetohet, demokratët nuk kanë lëvizur nga qëndrimi i tyre për dërgimin e çështjes së fletëve në Gjykatën Kushtetuese.
NEGOCIATAT MINUTË PAS MINUTE
17:50
Kryetari i grupit Parlamentar Demokrat, Astrit Patozi, hyn me makinën e tij brenda Kryesisë së Kuvendit. Pasi parkon makinën në oborrin e institucionit, i drejtohet "Dhomës së pritjes".
17:53
Kryetari i grupit Parlamentar Socialist, Gramoz Ruçi, pasi parkon makinën e tij përpara hyrjes së Kryesisë së Kuvendit, i drejtohet "Dhomës së pritjes".
17:55
Dy negociatorët, nisin raundin e dytë të bisedimeve me dyer të mbyllura.
19:10
Mbaron takimi midis kryetarit të grupit të PS, Gramoz Ruçi dhe kryetarit të Grupit të PD, Astrit Patozi.
19:20
Kryetari i grupit Parlamentar Demokrat, Astrit Patozi, largohet nga Kryesia përmes një hyrje tjetër, duke shmangur kontaktin me median.
19:40
Pas qëndrimit përreth 30 minuta në zyrën e grupit Socialist në Kryesi, Gramoz Ruçi, del nga dera e prapme e institucionit, për t'iu shmangur medias.
Socialistët rikonfirmojnë qëndrimin e tyre për votën kundër deri në arritjen e paktit për hetimin e zgjedhjeve
Grupi i PS: S'ka ligje pa komisionin hetimor
TIRANË - Partia Socialiste nuk do të votojë asnjë projektligj në seancën e sotme të Kuvendit të Shqipërisë për shkak se ende nuk është arritur ngritja e komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit. Vendimi është marrë mesditën e djeshme në mbledhjen e grupit parlamentar socialist. Burime nga mbledhja e grupit bëjnë të ditur se në takimin që u zhvillua midis deputetëve është vendosur vijimi i mbajtjes së marrëdhënies së kushtëzuar me Kuvendin e Shqipërisë.
Ndryshe nga rastet e tjera ku Partia Socialiste nuk ishte e pranishme në zhvillimet parlamentare, përfaqësuesit e opozitës do të bëjnë oponencën për ligjet që pritet të miratohen sot. Por, me kundërshtimin e ligjeve mbi bazën e argumenteve, kjo nuk do të thotë për socialistët se do të ketë një votë kundër në Parlament, por mosvotimin e ligjeve.
Deputetët përkatës kanë marrë si detyrë përgatitjen e oponencës për ligjet që janë në "juridiksionin" e komisionit të tyre.
Vijimi i qëndrimit për mosmarrjen pjesë gjatë votimit të ligjeve, do të jetë deri në përmbushjen e kërkesës së opozitës shqiptare për hetimin e zgjedhjeve përmes hapjes së kutive të votimit të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Në mbledhjen e djeshme të grupit Parlamentar Socialist, që zgjati rreth një orë, është ndarë koha për të cilën do të flasë çdo deputet.
Burime nga grupi i PS pohuan se diskutimet do fokusohen sërish tek kriza ekonomike, shpenzimet e kryeparlamentares Jozefina Topalli dhe kritikat mbi ligjet që po miratohen. Denios Dedej