E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atëherë kur mungon ndjenja e përgjegjësisë

26-06-2012 / Nga Skënder Mulliqi

Kosova është e domosdoshme t’i kthehet zhvillimit ekonomik, nëse vërtet mendojmë të ndërtojmë shtet në kuptimin e plotë të fjalës. Por, ekziston frika që do të mbetet me të njëjtën. Na është bërë tashmë koka bosh nga frazat e stërpërsëritura të njerëzve të politikës së do të bëhet mirë, së do të luftohet korrupsioni dhe krimi i organizuar, se do të ulët shkalla e të papunëve që ka arritur shifrën marramendëse për një vend të vogël siç është Kosova, së vendi shpejt do të këtë liberalizimin e vizave etj. Rezultatet e atyre që po e drejtojnë shtetin që 13 vjet tashmë të gjithë i kanë kuptuar. Kosova  ka mbetur vendi më i pa zhvilluar dhe më i izoluari në Evropë. Duket ashiqare së njerëzit e politikës për të gjitha këto probleme të grumbulluara nuk janë duke e qarë fort kokën. Ata janë rehatuar në kolltuqet e tyre, duke menduar vetëm për vetën e tyre, e shumë pak për këtë popull i cili ende po vuan pa fajin e tij. Veçmas krimi i organizuar dhe korrupsioni e kanë ngulfatur jetën. Sikur njerëzit e këtij nënqielli janë mësuar më këto dukuri të shëmtuara, pa bërë përpjekje që gjendja sado pak të ndryshohet për të mirë. Çdo ditë dëgjojmë për ndonjë vrasje të re. Çdo ditë dëgjojmë për afera të ndryshme korruptive të zyrtarëve të lartë të shtetit, dhe e gjitha përpos zhurmës mediatike, shpejt po qitet në harresë. Kur ata që e drejtojnë shtetin gjinden në afera të hajnisë e korrupsionit, nuk ke çka të presësh së do të bëhet mirë. Kur nga vetë ata që janë të detyruar të sigurojnë rendin dhe ligjin, së pari vidhet dhoma e dëshmive në Prishtinë në vitin 2009, ndërsa para pak ditësh nga policia vidhet poashtu një sasi e madhe ari në Pejë, atëherë shtrohet pyetja kujt t’i besojë ky popull? Pas disa vrasjeve shqetësuese radhazi në Pejë, vritet në rrethana ende të pasqaruara në Prishtinë Dino Asanaj, shefi i AKP-së. Manipulimet dhe komentimet rreth kësaj vrasjeje janë të ndryshme. Kjo vrasje e profilit të lartë, sigurisht se do të jetë edhe një sprovë tjetër për organet e hetuesisë. Natyrisht se në shërbimin policorë ka djem dhe vajza të përkushtuar në profesionin e tyre për të siguruar rendin dhe ligjin ashtu si duhet. Por, ka edhe pjesëtarë të cilët po gjinden ne afera të ndryshme të cilët po i qesin hije të keqe SHPK-së. Si të justifikohen veprimet e tilla të liga nga ata të cilët me dinjitet do të duhej të  mbrojnë rendin dhe ligjin? Sikur nuk ekziston ndjenja e përgjegjësisë jo vetëm në polici, por edhe në strukturat tjera të shtetit. Policia nuk është e ndonjë partie të caktuar politike. Partitë politike dhe pushtetet ndërrohen varësisht kur mbahen zgjedhjet. Kjo nuk ish dashur të ketë ndikim në organet policore të cilat gjithkund në botë veprojnë  të pavarura. Kosova është shteti i të gjithëve për të cilin u sakrifikua shumë. Nëse dikush mendon se do ta sundojë këtë popull si në kohën e sulltanatit, do të mashtrohet keq. Është krijuar bindja tek qytetarët së inkuadrimi në politikë po bëhet për t’u pasuruar brenda nate. Të jetohet vetëm me një euro në ditë si mesatare siç po jeton shumëkush sot në Kosovë, është anakronike për këtë fillimshekulli. Tash kur nuk e kemi okupatorin, me të drejtë është pritur një zhvillim shumë më i hovshëm i rrjedhave ekonomike. Pa zhvillim  ekonomik as që mund të presim se do të kemi një mirëqenie më të mirë shoqërore dhe sigurisht se nuk do të kemi as inkuadrim të shpejt në strukturat evropiane. Së paku duhet pasur pak moral, duke i lënë anash interesat e ngushta të klanit për të uzurpuar pushtet politik, duke e kthyer edhe shtetin në shërbim të vetin. Sikur harrojnë këtë njerëz të politikës se janë të përkohshëm në politikë dhe se rotacioni është i pashmangshëm. Ky lidership politik shihet se nuk është i denjë për misionin e kohës dhe vizionet e së ardhmes. Kur është në pyetje moraliteti në politikë, politikanët tanë model do të duhej t’i kishin politikanët e huaj. Ata japin dorëheqje për gjëra simbolike dhe shkelje të papërfillshme! Sa për modesti vlen për të përmendur dorëheqjen e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të drejtësisë Hajredin Kuqit nga këto dyja poste, pas miratimit në Kuvend të ligjit diskriminues për mediet. Se është kjo dorëheqje ndonjë taktikë politike mbetet të shihet. Nëse vërtetë Kuqi ka dhënë dorëheqje për të mos u kthyer në këto dy funksione, është një gjest që vlen për t’u përshëndetur, pas gjithë atyre të këqijave që kanë ndodhur në Kosovën e pasluftës dhe pak kush e pa të arsyeshme dorëheqjen së paku si akt moral. Shoqëria do të duhej të ishte ajo e cila ia imponon moralin e saj politikës dhe kjo e fundit t’i bindet asaj...

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›