E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atentat 35-vjeçarit, mister motivet

Vlorë
I riu kthehej në shtëpi, kur është qëlluar dy herë nga një i panjohur

Atentat një 35-vjeçari nga Vlora. Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së të dielës, në kohën kur 35-vjeçari Panajot Diamanti ka qenë duke shkuar për në banesën e tij në lagjen “Pavarësia”. Teksa i riu i afrohej banesës, i ka dalë përpara një person, i cili ka nxjerrë pistoletën dhe pa paralajmërim ka qëlluar dy herë mbi të. Plumbat e kanë prekur të riun në njërin krah dhe në këmbë, por fatmirësisht pa i shkaktuar probleme serioze për jetën. Më pas, atentatori është larguar me shpejtësi në mes të pallateve, duke përfituar dhe nga errësira e natës. Banorët e lagjes, pasi kanë dëgjuar krismat, kanë rendur dhe gjetur të përgjakur Diamantin, i cili është dërguar me urgjencë për në spitalin rajonal të Vlorës. Aty i riu i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale. Burime spitalore bëjnë të ditur se aktualisht ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndonëse duhet të qëndrojë për disa ditë nën trajtim mjekësor. Policia ka mbërritur në vendngjarje brenda pak minutash dhe ka kryer ekspertizën, por ende nuk kanë bërë identifikimin e personit që ka qëlluar mbi 35-vjeçarin. Ndërkohë, policia nuk ka ende një variant zyrtar të ngjarjes. Mësohet se po hetohet në disa pista, por deri tani nuk ka asgjë konkrete. Ende nuk dihet motivi i atentatit, ndërkohë që 35-vjeçari ka deklaruar për policinë se nuk e ka njohur personin që ka qëlluar në drejtim të tij. Sipas të plagosurit, atentatori mund ta ketë ngatërruar me ndonjë person tjetër, pasi ai nuk ka pasur asnjëherë konflikte.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›