E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk i japin rrogën, tmerron 110 pasagjerët

Piloti i avionit të kontraktuar nga “Albanian Airlines” devijon nga Bolonja në Bratislavë
Një avion i “Air Slovakia”, në shërbim të kompanisë shqiptare “Albanian Airlines”, me 110 pasagjerë në bord, ka devijuar itinerarin e fluturimit, duke u ulur në Aeroportin e Bratislavës.
Avioni u nis nga aeroporti “Nënë Tereza” në Tiranë drejt Bolonjës, por pas tri orësh fluturimi ka përfunduar në Bratislavë. Ky nuk ka qenë një incident i shkaktuar nga pakujdesia apo ndonjë defekt teknik i mjetit fluturues, por e paramenduar nga pilotët dhe stafi i shërbimit. Ndryshimi i destinacionit dhe zbritja e avionit në Bratislavë mësohet se është bërë në shenjë proteste nga ekuipazhi i avionit, për shkak se nuk kanë marrë rrogat. Pasagjerët kanë lajmëruar për devijimin e udhëtimit dhe kanë shprehur indinjatën rreth situatës së krijuar. Ata thonë se avioni është nisur me një orë e gjysmë me vonesë dhe pas tri orësh fluturimi ka zbritur në Sllovaki. Pasagjerët thonë se kanë parë pilotin të dalë nga avioni, duke i lënë në pistë të hapur.
Kompania “Albanian Airlines”, tashmë pronë e një shoqërie azerbajxhanase, ka reaguar duke thënë se “Air Slovakia” është e kontraktuar për shërbimet që do të jepte dhe se nuk ka probleme financiare. Një nga drejtuesit e kompanisë garantoi nisjen e një tjetër avioni për në Bratislavë, në mënyrë që t’i dërgojë pasagjerët në Bolonja.
Pasagjerët kanë mbetur për orë të tëra në Aeroportin e Bratislavës, ndërkohë që mes tyre ka pasur edhe fëmijë. Vetë pasagjerët kanë pohuar se u është thënë që ndryshimi i destinacionit është bërë për shkak të një defekti të avionit, por që në fakt problemi i vetëm është mungesa e pagës. Autoritetet shqiptare sqarojnë se avioni që ndryshoi destinacionin është pronë e “Air Slovakia”, me pilotë sllovakë, të kontraktuar prej tre muajsh nga “Albanian Airlines”. Drejtoria e Aviacionit Civil deklaron se ky është rast i paprecedentë dhe se do të trajtohet sipas ligjeve ndërkombëtare. “Jemi shumë të shqetësuar. Nuk na japin sqarime se çfarë po ndodh, duke na vendosur në një sallë të mbyllur”, thotë njëri nga pasagjerët. Mësohet se njëra nga stjuardesat është shqiptare, por as ajo nuk ka mundur të japë sqarimet e duhura pse është devijuar destinacioni. Një tjetër problem për shoqërinë e “Albanian Airlines” ishte anulimi i fluturimit nga Milano për në Tiranë, i një tjetër avioni, për shkak të defektit.
Ndërkaq, Ministria e Jashtme ka nisur bisedimet përmes ambasadorit tonë në çeki, për të marrë sqarimet e duhura dhe zgjidhjen sa më shpejt të problemit.
Kompania e fluturimeve “Albanian Airlines” kaloi në pronësi të   grupit “Evsen”, me qendër në Azerbajxhan, pas blerjes së 93 për qind të aksioneve në mesin e vitit 2009. Kjo kompani ajrore, dy vitet e fundit, ka përjetuar një situatë jo të mirë në tregun shqiptar, edhe për shkak të humbjes së të drejtës së fluturimit në disa destinacione të rëndësishme. Më parë, kompania dikur pronë e shtetit shqiptar, ishte nën pronësi të grupit arab “Al-Kharafi”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›