Piratët somalezë lirojnë anijen cisternë me flamur grek
MOGADISHO - Piratët somalezë liruan sot anijen cisternë me flamur grek që transportonte dy milionë fuçi naftë, një ditë pasi shpërblimi më i madh paguar ndonjëherë piratëve u hodh nga një avion në bordin e saj, njoftuan burime nga piratët dhe forcat ushtarake detare që patrullojnë zonën. Anija "Maran Centaurus" u rrëmbye më 29 nëntor dhe në bordin e saj ndodheshin 16 filipinas, nëntë grekë, dy ukrainas dhe një rumun. Një avion dërgoi dje shumën e kërkuar që sipas informacioneve varion nga 5.5 deri në 7 milion dollarë. "Ne i zgjidhëm problemet tona dhe e liruam anijen. Tashmë ajo është e lirë", deklaroi një nga piratët për Reuters. "Ekuipazhi është shëndoshë e mirë", konfirmoi një tjetër pirat. Pagesa e shumës së kërkuar u bë dje por anija u lirua vetëm sot për shkak të disa mosmarrëveshjeve ndërmjet bandave rivale të piratëve. Dje, piratët në bordin e anijes dhe një tjetër grup piratësh me motoskafë, u përleshën me armë zjarri për të marrë kontrollin e anijes para dorëzimit të parave. Piratët në motoskafë kërcënuan se do t'i vinin zjarrin anijes nëse nuk do të merrnin një pjesë të parave. Piratëria në mbarë botën pësoi një rritje me rreth 40 për qind në vitin 2009, me piratët somalezë të cilët janë përfshirë në më shumë se gjysmën e 406 incidenteve që janë raportuar. Kryesisht piratët i mbajnë anijet dhe ekuipazhin e tyre deri në momentin kur dorëzohet shuma e parave që është kërkuar në këmbim të lirimit. Shpërblimet në përgjithësi janë shumë të larta krahasuar me nivelin e varfërisë në Somali. Në fund të vitit 2009 piratët somalezë mbanin peng të paktën 12 anije me 263 persona anëtarë ekuipazhi me kombësi të ndryshme. (d.b/BalkanWeb)