Atentat Zonjës së Parë, vritet gazetarja në Mosul
Bashkëshortja e Presidentit irakian i shpëtoi dje një sulmi me bombë ndaj autokolonës së saj në lagjen "Karada" të kryeqytetit irakian, por katër nga truprojat e saj u plagosën, bëri të ditur kabineti i Presidentit. Pati ndërkohë katër të plagosur nga radhët e personelit të sigurimit, por Hero Ibrahim Ahmed nuk pësoi dëmtime. Bashkëshortja e Presidentit Xhalal Talabani po shkonte drejt Teatrit Kombëtar në Bagdad, për të marrë pjesë në një festival kulturor. Ndërkohë, po dje, persona të armatosur, qëlluan për vdekje një gazetare irakiane, pasi e kishin nxjerrë atë me forcë nga një taksi, në Mosul. Në këtë qytet, në fakt, kanë qenë të përsëritura rastet kur gazetarët janë vënë nën shënjestër dhe jetojnë mes frikës. Policia tha se Serva Abdul Wahab, rreth moshës 30-vjeçare, ishte rrugës për në punë, kur njerëz të armatosur e detyruan me forcë të dilte nga taksia në lindje të Mosulit, 390 kilometra në veri të Bagdadit dhe e qëlluan me një plumb të vetëm në kokë. Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve vlerëson se 127 gazetarë irakianë dhe të huaj janë vrarë që nga viti 2003.