E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tërbimi i ciklonit Nagris, 350 viktima

Kalimi i ciklonit Nargis, në jug të Birmanisë, ka lënë pas vetes një valë shkatërrimi dhe një numër ende të pasaktë viktimash. Zyrtarët e qeverisë ushtarake kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në një numër rajonesh të vendit. Cikloni që vinte nga gjiri i Bengalit dhe klasifikohej si i kategorisë tre, ka goditur veçanërisht dhunshëm rajonin e deltës së lumit Irravadi, ku në disa lokalitete janë rrëzuar apo dëmtuar mbi 50 për qind e ndërtesave. Energjia elektrike dhe komunikacioni janë ndërprerë dhe pesë rajone, Ranguni, Ajejarvadi, Bago, Mon dhe Karen, janë shpallur zona të fatkeqësisë natyrore. Ranguni, qyteti më i madh dhe ish-kryeqyteti i Birmanisë (tani Mianmar), është pa ujë të pijshëm dhe pa energji elektrike, ndërkohë që rrugët janë mbuluar nga rrënojat dhe mbeturinat, si pasojë e pemëve të panumërta të shkulura me rrënjë dhe shtëpive të shembura. Cikloni Nargis, i përplasur mbi Birmani, ka shkaktuar sipas zyrtarëve mbi 350 viktima, por shifra do të vazhdojë të rritet pasi operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë. Televizioni shtetëror birmanez ka pohuar një shifër të tillë, ndërkohë që ka saktësuar se cikloni ka shkatërruar plotësisht 75 për qind të Laputës dhe Kiaik Lat, dy qyteza të deltës së Irravadit. Edhe ndërtesat që kanë mundur të qëndrojnë në këmbë, janë pa çati. Sipas televizionit shtetëror, shpejtësia e erës i ka kaluar 190 kilometrat në orë, ndaj edhe pasojat kanë qenë shkatërruese. Nga viktimat, 109 njerëz kanë humbur jetën vetëm në ishullin Haing-gyi, në brigjet jugperëndimore të vendit. Bilanci ende nuk është përfundimtar, por llogaritet që rreth 20 mijë shtëpi janë shkatërruar dhe mbi 90 mijë njerëz kanë mbetur të pastrehë vetëm në këtë ishull. Ushtria dhe policia ndërkaq kanë dalë nëpër rrugë në përpjekje për të shpëtuar jetë të tjera njerëzish dhe për të kthyer disi situatën në normalitet. Cikloni Nargis gjithsesi ka lëvizur më pas drejt Tajlandës, ku paralajmërimet për stuhinë e afërt ishin dhënë më herët. Por, sidoqoftë, pas largimit nga Birmania, fuqia e tij ka rënë ndjeshëm. Banorët e Rangunit, kryeqendrës së Birmanisë, rrëfejnë se diçka të tillë nuk e kishin parë kurrë. "Gjithçka është shkatërruar. Çatitë e shtëpive dhe antenat kush e di ku kanë përfunduar", rrëfen një banor. Ndërkohë, një diplomat i huaj, i pyetur nga "Reuters", e ka përshkruar qytetin si një "zonë luftë". Entoni Kreig, një zyrtar i Programit Botëror të Ushqimit, agjenci kjo e Kombeve të Bashkuara, thotë se duke gjykuar nga dëmet e shkaktuara në ndërtesat e forta të Rangunit, dëmet në zona të tjera duhej të ishin shumëfish më të mëdha. Ndërkohë, kishte edhe nga ata banorë të Rangunit që shprehnin pakënaqësi në lidhje me punën e forcave të sigurimit. "Ku janë të gjithë ata njerëz me uniforma që janë gjithnjë të gatshëm të rrahin civilë", thotë një shofer në këtë qytet. "Ata duhet të dalin në rrugë dhe të ndihmojnë në pastrimin e zonave dhe rikthimin e energjisë", shton ai.

Kronologji

Stuhitë shkatërrimtare

Cikloni Sidr, në vitin 2007, la në Bangladesh rreth 3 mijë e 500 të vdekur dhe rrënoi zona të pafundme

Tajfuni Durian, në vitin 2006, në Filipine, u mori jetën të paktën 450 personave dhe la mijëra të pastrehë

Tajfuni Samoai, në vitin 2006, në Kinë, u pasua nga një bilanc prej 460 viktimash e mijëra të lënduarish

Uragani Katrina, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vitin 2005, u mori jetën rreth 1800 personave



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›