Atentat biznesmenit, shpëton me plumb në këmbë
Një atentat me armë ka krijuar panik para dyerve të universitetit "Aleksandër Xhuvani" të Elbasanit, ndërsa qindra studentë ishin duke dalë nga auditorët në ditën e parë të këtij viti akademik. Ngjarja, sipas burimeve të policisë, ka ndodhur rreth orës 15:10 në rrugën "Rinia", jo më larg se 50 metra nga godina universitare. Të njëjtat burime saktësojnë se objekt i atentatit ka qenë 37-vjeçari Fatos Balla, ndërsa autor i ngjarjes është 32-vjeçari Ahmet Zena. Ky i fundit udhëtonte me një makinë me targa gjermane MG-VL-44 dhe për pak minuta ka ndaluar para lokalit në pronësi të Ballës dhe ka qëlluar një herë mbi të me pistoletë. Më pas, atentatori nuk ka pasur kohë të humbasë gjurmët bashkë me mjetin e tij, duke e lënë këtë të fundit në mes të rrugës. Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur policia, që e ka identifikuar shpejt autorin, i cili ka mundur të largohet dhe t‘i shpëtojë prangosjes. Ai ka lëvizur në këmbë nëpër rrugicat e lagjes "Vullnetari". Policia ka sekuestruar makinën me targa gjermane, armën e krimit si dhe një gëzhojë pistolete e tipit "TT" dhe ka shpallur në kërkim Zenën si autor i kësaj ngjarjeje. Mësohet se Balla është plagosur në këmbë dhe pasi i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale në spitalin e Elbasanit ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia po punon për zbardhjen e ngjarjes dhe ndalimi i autorit do të nxjerrë dhe shkaqet e vërteta të atentatit. Mësohet se 37-vjeçari Fatos Balla, deri para pak kohësh ka pasur në pronësi një lokal "Bar-Acuario", vend në të cilin do të vritej më 25 dhjetor të vitit 2005 biznesmeni Sokol Çapja. Ai e ka shitur lokalin pak kohë më parë dhe është bashkëpronar në ndërtimin e një pallati shumëkatësh po në këtë rrugë. Pista më e mundshme e hetimit është ajo e borxheve që mund të ketë pasur Balla.
B.Dybeli
B.Dybeli