“Zgjedhjet në Shqipëri, të lira dhe të ndershme, opozita të pranojë rezultatin e të futet në parlament”
Konfirmon Asambleja Parlamentare e OSBE-së
Komiteti Drejtues i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së konfirmon verdiktin përfundimtar për zgjedhjet në Shqipëri. Përfaqësuesit e këtij organizmi ndërkombëtar transatlantik, të mbledhur në Athinë në sesionin e vjeshtës, deklaruan se Shqipëria shënoi suksese në zgjedhjet e 28 qershorit dhe se të gjitha palët politike duhet të pranojnë rezultatin. OSBE i bën thirrje opozitës, që t’i drejtohet dialogut parlamentar, duke rritur kësisoj, presionin ndërkombëtar, për rikthimin e saj në kuvend.
Asambleja Parlamentare e OSBE-së, i bën me dije klasës politike në Shqipëri, se raporti i saj përfundimtar, i publikuar më 14 shtator, ka sqaruar në mënyrë të përmbledhur të gjitha detajet e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, që i vlerësojnë ato si më të mirat e realizuara ndonjëherë. Përfaqësuesit dhe Komiteti Drejtues i Asamblesë Parlamentare të OSBE, të mbledhur në Athinë, gjatë takimeve të vjeshtës në datat 9-12 tetor 2009, përshëndetën dhe vlerësuan punën e misionit vëzhgues, të mandatar nga Asambleja Parlamentare për të monitoruar zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri.
Zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE, Wolfgang Grossruck (Austri), Kryetari i Delegacionit të Italisë në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, Riccardo Migliori, anëtari i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Christian Miesch (Zvicër), si dhe Alcee Hastings, anëtar i Kongresit amerikan, bashkëkryetar i Komitetit amerikan të Helsinkit, që kanë marrë pjesë në hartimin e raportit final të OSBE/ODIHR për zgjedhjet në Shqipëri, vlerësuan se zgjedhjet në Shqipëri u zhvilluan të lira dhe të ndershme.
Ata theksuan se ky ishte një hap maturie për Shqipërinë dhe se presin që, edhe opozita, të pranojë rezultatin e zgjedhjeve dhe të futet sa më shpejt në Parlament.
Grossruk ka komentuar qëndrimin e opozitës duke nënvizuar se njohja e rezultatit është pjesë e pjekurisë demokratike. Ai u shpreh se konkluzionet e zgjedhjeve janë tashmë të qarta, ato ishin më të mirat e zhvilluara ndonjëherë.
Kryetari i delegacionit italian në Asamblenë Parlamentare të OSBE Riccardo Mgiliori, thotë se zgjedhjet rritën besueshmërinë e Shqipërisë në raport me proceset integruese ku është përfshirë vendi.
Për sa i takon qëndrimit të opozitës Migliori duket i prerë kur thekson se zgjedhësit votuan qeverinë e kryeministrit Sali Berisha. Opozitës sipas tij i mbetet detyrim thelbësor të përfaqësojë në kuvend zgjedhësit e saj.
Një tjetër anëtar i Asamblesë Parlamentare të OSBE, përfaqësues i Zvicrës Christian Miesch nënvizon faktin se pavarësisht përballjes për herë të parë me një sistem të ri zgjedhor Shqipëria e kaloi testin për zgjedhje demokratike.
“Nuk ka asnjë vend në botë, ku zgjedhjet të mos kalojnë pa gabime të vogla. Por unë kam mbetur i habitur, që zgjedhjet në Shqipëri, me sistemin e ri, u zhvilluan në rregull. Për mua, pjesa teknike e zgjedhjeve ishte krejt në rregull”, u shpreh Miesch.
Anëtari i kongresit Amerikan Alcee Hastings bashkëkryetar i Komitetit amerikan të Helsinkit thotë se Shqipëria po dëshmon gjithnjë e më shumë maturi politike, duke nënkuptuar funksionimin në një koalicion të PD me LSI. Grossruk, Migliori, Miesch dhe Hasting kanë marrë pjesë në hartimin e raportit përfundimtar të OSBE ODIHR për zgjedhjen e 28 qershorit. Një raport që ngre Shqipërinë në një shkallë cilësisht të re për standardet e arritura.
Një muaj më parë, OSBE/ODIHR publikoi raportin përfundimtar mbi zgjedhjet në Shqipëri. Vëzhguesit ndërkombëtarë, në 36 faqet e raportit, konstatuan se zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit, plotësuan standardet, duke e nxjerrë përfundimisht Shqipërinë nga harta e zezë e Evropës dhe rajonit.
“Ato shënuan një progres të dukshëm ndërsa sqaron se nuk ka asnjë provë të numërimit të parregullta ose të manipulimit të rezultateve”, thuhet në raportin e OSBE/ODIHR.
Në 36 faqet e raportit të OSBE/ODIHR, përmenden avantazhe të ndjeshme në këto zgjedhje, progres i shënuar në regjistrimin dhe identifikimin e zgjedhësve, me dokumentet e reja të identitetit, sistemi i ri elektoral, kuadri ligjor, i miratuar në mënyrë konsensuale nga dy partitë kryesore, të votimit, numërimit dhe gjykimin e kontesteve zgjedhore.
Por, pavarësisht këtyre përfundimeve, që shënojnë një histori suksesi për Shqipërinë, opozita socialiste, ende nuk ka marrë një vendim për ndërprerjen e bojkotit dhe rikthimin në parlament. Në vijim të presionit ndërkombëtarë, që sa vjen e rritet, PS dhe Edi Rama, vazhdojnë të mbajnë peng debatin parlamentar, për hir të interesave të ngushta personale apo edhe klanore. Mesazhi i përfaqësuesve ndërkombëtarë, është më se i qartë, zgjedhjet janë të rregullta, opozita duhet të marrë pjesë në kuvend.