Putin, në Kinë për gazin natyror
Kryeministri rus, Putin, ka mbërritur dje në Kinë për të forcuar marrëdhëniet mes të dyja vendeve kryesisht në fushën e eksportit të naftës. Rusia, që ka nënshkruar me Kinën këtë vit një kontratë prej 100 miliardë dollarësh, po negocion aktualisht një marrëveshje që do ta bëjë Kinën konsumatorin më të madh të "Gazprom" për gazin natyror. Aktualisht Kina nuk ble gaz rus. Të dyja vendet, të cilat 40 vjet më parë kanë qenë në prag të një konfrontimi të armatosur, pavarësisht se kishin një ideologji të përbashkët, po i thellojnë lidhjet mes tyre, bazuar në interesat ekonomike të përbashkët. Tregtia dypalëshe mes të dyja vendeve ka kapur shifrën 56 miliardë dollarë në vitin 2008, një rritje kjo shumë e madhe. Kina dhe Rusia, ekonomitë e treta dhe e nënta respektivisht më të fuqishme të botës, kanë edhe dy vende të përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, si dhe anëtarësim në BRIC grup, që përfshin njëherazi edhe Brazilin dhe Indinë. Ish-armiqtë e dikurshëm kanë vendosur që t‘i japin fund marrëdhënieve të vështira mes tyre, duke nisur epokën e një bashkëpunimi ekonomik që sa vjen e po bëhet më i frytshëm. Putin vjen në Kinë një javë pasi Wen vizitoi Pjon Jangun dhe arriti që të nënshkruante një marrëveshje në lidhje me vullnetin e Koresë së Veriut për të eliminuar ambiciet e saj ushtarake. Ndërkohë të dyja vendet nënshkruan këtë vit një marrëveshje 20-vjeçare prej 100 miliardë dollarësh.