Aksidentet, një i vdekur dhe dy të plagosur në Fier
Fillimi i javës ka shënuar një bilanc tragjik për Qarkun e Fierit. Një 68-vjeçar ka gjetur vdekjen, si pasojë e një aksidenti automobilistik, ndërkohë që dy të tjerë janë plagosur rëndë. Ngjarja e parë është shënuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm në rrugën kryesore të qytetit të Fierit, në afërsi të vendit që njihet si "Sharra". Burime policore bëjnë të ditur se Jani Marini, banues në lagjen "Liri" të qytetit të Fierit, rreth orës 05:30, ndërsa po kalonte në krahun tjetër të bulevardit kryesor shumë pranë qendrës së qytetit, është përplasur nga një makinë në asfaltin e lagur të rrugës. I aksidentuari është çuar me urgjencë në spitalin rajonal të Fierit nga autori i aksidentit. Por me gjithë ndihmën e mjekëve të këtij spitali, 68-vjeçari Marini ka gjetur vdekjen në sallën e reanimacionit. Ndërkohë policia rrugore ka nisur hetimin për zbardhjen e ngjarjes rrugore, ndërkohë që është shoqëruar drejtuesi i mjetit, Ilir Zhezha, i cili po hetohet nën akuzën e "shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor". Ndërkohë pasditen e djeshme dy persona janë aksidentuar në autostradën Lushnjë-Fier. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:00 të së hënës, në afërsi të fshatit Kolonjë në komunën me të njëjtën emër, në vendin e njohur si rreth-rrotullimi i Bubullimës, rreth 8 kilometra larg Fierit. Burimet nga vendi i ngjarjes tregojnë se një automjet ka dalë nga rruga dhe është përplasur me trafikndarëset e betonta të autostradës. Për pasojë janë plagosur të dy personat që gjendeshin brenda saj. Kanë qenë drejtuesit e mjeteve të rastësishme ata që kanë dhënë ndihmën e parë. Ndërsa policia e qarkullimit i ka transportuar ata drejt spitalit rajonal të Fierit, ku ndodhen në kushte kritike për jetën. Gjendja e rëndë ka vështirësuar identifikimin e tyre, pasi nuk kanë pasur asnjë dokument identifikimi me vete. Shkak i aksidentit mësohet se ka qenë shpejtësia me të cilën drejtuesi i mjetit ka hyrë në rreth-rrotullim. Qarku i Fierit shënon një numër të madh aksidentesh rrugore. Kujtojmë se tre ditë më parë, gjatë analizës 9-mujore të policisë statistikat flisnin për 71 persona të aksidentuar, nga të cilët 35 kanë gjetur vdekjen.
Ma.Tr.
Ma.Tr.