E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atentat biznesmenit, u shpëton 9 plumbave

Atentat ndaj një biznesmeni në Tiranë. Nëntë herë është qëlluar ndaj biznesmenit Roland Vajsari, por fatmirësisht asnjë plumb nuk e ka kapur. Policia ende nuk ka një motiv të qartë pse mund të jetë qëlluar ndaj 49-vjeçarit, por dyshohet se ka ardhur pas një konflikti për parkimin e makinës. Burimet policore të Drejtorisë së Tiranës bënë të ditur se ngjarja është shënuar rreth orës 18:30 të së shtunës. Me t‘u njoftuar, në vendngjarje kanë shkuar fillimisht shërbimet e Komisariatit Nr. 2, që më pas janë përforcuar edhe nga ato të seksionit kundër krimeve ndaj jetës dhe shëndetit. Sipas të dhënave të para hetimore, ngjarja ka ndodhur në rrugën "Muhamet Gjollesha", në katin e parë të një pallati. Policia ka marrë kontakt me Vajsarin 49-vjeçar, i cili ka deklaruar se është qëlluar sapo kishte lënë makinën në parking. Policia, e cila ka kryer veprimet e para hetimore dhe këqyrjen e vendit të ngjarjes, ka mundur të gjejë dhe sekuestrojë nëntë gëzhoja me kalibër 9 mm. Më pas, policia ka zbuluar se Vajsari kishte pasur një konflikt me një person në parking. Madje, për këtë, grupi hetimor shpjegoi se e ka identifikuar këtë person dhe e ka shpallur në kërkim. Por, sipas të informacioneve, fillimisht emri i të dyshuarit është marrë gabim dhe nuk kanë mundur ta gjejnë. Më pas, kur emri i tij është saktësuar, ka rezultuar se ai ishte larguar në drejtim të Greqisë, duke përdorur pikën e kalimit kufitar të Kapshticës. Megjithatë, policia tha se ky është vetëm një i dyshuar dhe biznesmeni është marrë në pyetje edhe për pista të tjera hetimore. Madje, mësohet se ai ka disa dyqane në rrugën "Muhamet Gjollesha" dhe po hetohet nëse ky atentat mund të jetë kryer edhe për konkurrencë. Materialet për këtë çështje i kanë kaluar edhe Prokurorisë së Tiranës për hetime të mëtejshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›