E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, shoferi i fugonit vret kolegun

Përgjaket dita e zgjedhjeve në Durrës. Një krim i rëndë ka ndodhur mëngjesin e djeshëm, pak kohë pas nisjes së procesit të votimit në vend, ndonëse ngjarja nuk pati lidhje me të.
Gjithçka ndodhi rreth orës 07:45 të së dielës dhe megjithëse ngjarja regjistrohet si një krim rruge për motive banale, ajo krijoi një atmosferë të pakëndshme në qytetin bregdetar të Durrësit dhe te qytetarët e tij.
Të terrorizuar nga ngjarja kanë qenë dhe dëshmitarët e shumtë në atë orë mëngjesi në sheshin "Pranvera", afër filialit të "Albtelekomit", në vendqëndrimin e fugonave që lëvizin në linjat urbane.
Ekzekutimi, pas
një sherri banal
Viktima është Dritan Neza, 35 vjeç, me punë shofer fugoni. Rivaliteti për pasagjerët dhe një manovër e gabuar në timon e Nezës kanë shkaktuar sherrin mes tij dhe autorit të krimit. Burime nga vendi i ngjarjes thanë për gazetën se Dritan Neza në timonin e fugonit të tij, duke lëvizur mjetin provokoi personin tjetër dhe gati i zuri këmbën me njërën nga gomat.
Kaq ka mjaftuar që autori, i cili është identifikuar shpejt nga policia, të irritohet dhe në gjaknxehtësi e sipër të godasë disa herë me thikë Dritanin. Goditjet janë dhënë në pjesën e kraharorit dhe si pasojë e plagëve të marra, 35-vjeçari ka gjetur vdekjen në spitalin rajonal të Durrësit disa minuta pas ngjarjes. Kështu, një grindje për motive të dobëta në vendin e nisjes së fugonave të linjave të brendshme u kthye në krim.
Policia mbërriti shpejt në vendin e ngjarjes, por nuk arriti të kapë autorin e vrasjes, i cili u largua menjëherë prej andej me shpejtësi. Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës, lidhur me ngjarjen, deklaroi se po punohet me intensitet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe kapjen e autorit të saj. Deri në mbrëmje vonë, autori, emri i të cilit nuk bëhet i ditur nga policia për arsye hetimi, nuk qe kapur nga shërbimet policore.
Ngjarja ka alarmuar dje edhe krerët më të lartë të Policisë së Shtetit, duke qenë se ndodhi në ditën kur vendi votonte për zgjedhjen e Parlamentit të ardhshëm.
Policia: Vrasja nuk
ka lidhje me zgjedhjet
Zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Klodian Branko, doli dje me një deklaratë për mediat, për të dhënë informacion në lidhje me ngjarjen që, sipas tij, por edhe sipas dëshmitarëve në vendngjarje, nuk kishte asnjë lidhje me procesin zgjedhor.
Në këtë deklaratë të zëdhënësit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë thuhet: "Duhet theksuar se në orët e para të ditës së sotme (28 qershor 2009) është konstatuar një ngjarje në qytetin e Durrësit, ngjarje e cila nuk ka lidhje me procesin zgjedhor. Nga të dhënat e para hetimore në ditën e sotme, rreth orës 07:45, në vendin e quajtur "Sheshi Pranvera" në Durrës, pas një grindjeje për motive të dobëta, në vendin e nisjes së furgonave është goditur me thikë në pjesën e kraharorit shtetasi Dritan Neza, 35 vjeç, shofer furgoni. Si pasojë e plagës të marrë, shtetasi Dritan Neza ka gjetur vdekjen në spitalin rajonal të qytetit të Durrësit, disa minuta nga ngjarja e ndodhur. Nga ana e policisë është identifikuar autori dhe po punohet për kapjen e tij".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›