E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarandë, me vellon e nuses shkon për të votuar

28 qershori ishte prerë si dita e dasmës për Orgeta Alimemën nga qyteti i Sarandës, përpara se kjo datë të dekretohej nga Presidenti Topi si dita e zgjedhjeve parlamentare. Ora 11:00 e paradites së djeshme ishte ajo që solli pranë shtëpisë së saj autoveturën "Cabriolet". Përpara se makina e nuses të nisej drejt shtëpisë së dhëndrit në fshatin Gjashtë, që është një lagje e Sarandës, ajo është drejtuar nga qendra e votimit nr. 4665, e ngritur në mjediset e shkollës nëntëvjeçare "Adem Sheme". E shoqëruar nga dhëndri, Fatjon Rexha, por edhe nga familjarët e saj, Orgeta, është paraqitur para komisionit të votimit, ka marrë fletën e votimit dhe pasi ka bërë zgjedhjen e saj, e ka hedhur atë në kutinë e votimit. "Gëzuar", uroi ajo, ndërsa kishte marrë aq shumë urime për dasmën e saj, për jetën e saj pas këtij bashkimi me Fatjonin.

Vajza me fjongo e fustanin e bardhë të nusërisë, përpara një komisioni zgjedhor, është nga më të rrallat ngjarje të 28 qershorit. Anëtarja e komisionit, e ngarkuar me vendosjen e shenjës së votimit në gisht, është kujdesur që ta "njollosë" sa më me finesë gishtin e nuses, të stolisur me manikyr.

Duke qenë kjo surpriza më e bukur e një dite votimesh, Orgeta Alimema, ka qenë në vëmendjen e mediave, të ndodhura në këtë histori, që është kaq e rrallë dhe kaq e bukur. "Nuk mund ta humbisja shansin për të votuar. Dita e dasmës sime më 28 qershor, ishte një arsye më shumë për të votuar, pasi kështu më dukej se i jepja votës sime më shumë përmbajtje", u shpreh çiltërsisht nusja votuese. Ndërkohë që dasmorët e shumtë prisnin t‘u shkonte çifti e të ndizej vallja në oborrin e shtëpisë në fshatin Gjashtë. Zinxhiri i valles është zënë qysh në oborrin e shkollës së kthyer në qendër votimi, pas votës së hedhur nga nusja me fustan të bardhë.

Në këto zgjedhje të përgjithshme parlamentare nuk ka mundur të mos vihet re dhe të theksohet fort numri i lartë i pjesëmarrësve në votime, i cili në raport me dy proceset e fundit elektorale, është rritur me disa për qind. Por aktualisht askush nuk mund ta interpretojë këtë fenomen si një faktor pozitiv për Partinë Demokratike apo atë Socialiste, dy rivalet kryesore në këtë garë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›