E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atentat furgonit të udhëtarëve

Atentat në mes të ditës furgonit të pasagjerëve.

TEPELENE/ PIRO NASE

Ngjarja e ndodhur dje në zonën e Lopësit në Tepelenë, kishte si shënjestër një 28-vjeçar. Autori ka qëlluar drejt tij me 1 plumb pushke, duke e plagosur e më pas është larguar në drejtim të paditur. Sipas policisë, furgoni me 4 udhëtarë, mes të cilëve dhe i plagosuri me të shoqen do të përshkonte rrugën e vjetër Tepelenë-Vlorë, kur është ndalur në afërsi të fshatit Sinanaj. Viktima e atentatit, Taulant Liçaj, ka shpëtuar mrekullisht nga vdekja pas goditjes me armë zjarri, plumbi i të cilës e ka kapur në pjesën e djathtë të supit. “Gjithçka ka ndodhur brenda një minute”, pohon shoferi i furgonit, Osman Hodaj, në të cilën ndodhej i plagosuri së bashku me tre pasagjerë të tjerë. Sipas tij, personi i panjohur, një djalë afro të 30-at, ka bërë autostop për të ndaluar furgonin, rreth 1 kilometër në veri të fshatit Sinanaj. Aty sipas shoferit të furgonit me targë të Vlorës 2118 B, djali i bëshëm ka dalluar shtetasin Liçaj i cili kishte zënë vend në sediljen e pasagjerit në derën anësore dhe e ka qëlluar atë me një plumb. Në këtë moment kanë plasur ulërimat e pasagjerëve në të, ku ndodhej dhe gruaja e Liçajt, e cila me të shoqin po kthehej në fshatin Dhëmblan, pas një vizite që kishte kryer në banesën e të atit në fshatin Dushkarak të Vlorës. Sipas dëshmitarëve arma e përdorur në këtë ngjarje, ka qenë një pushkë pa kondak pasi mbahej nga atentatori në pjesën e metaltë të shkrepjes. Liçaj është dërguar me urgjencë drejt spitalit civil të Tepelenës, ku pas ndërhyrjeve të mjekëve, ai ka dalë nga rreziku për jetën. Ndërkohë në drejtim të vendngjarjes janë nisur me urgjencë forca të shumta policore nga Komisariati i Tepelenës dhe Gjirokastrës. Sipas të dhënave të besueshme goditja me armë zjarri e Liçajt është kryer për motive të dobëta, pasi autori i ngjarjes së djeshme është konfliktuar me disa shtetas dy javë më parë në një prej klubeve të fshatit Dhëmblan. Policia po punon për kapjen e autorit si dhe gjetjen e armës me të cilën kreu plagosjen. Për shkaqe hetimi emri i tij nuk bëhet i ditur por pohohet se ai është banor i të njëjtës zonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›