E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani, policëve rrugorë: Ndëshkime për abuzimet gjatë sezonit turistik

TIRANE - Ministri i Brendshëm Bujar Nishani, paralajmëroi ndëshkime të ashpra ndaj efektivëve të Policisë Rrugore apo të Rendit nëse ata abuzojnë me detyrën gjatë sezonit turistik.

Nishani zhvilloi dje një takim me drejtues të policisë rrugore, të cilëve u kërkoi rezultate maksimale gjatë sezonit të ri turistik. Kreu i dikasterit të brendshëm, u ka kërkuar vartësve të tij që të jenë sa më korrektë me qytetarët gjatë kryerjes së detyrës. Sipas Nishanit, e gjithë veprimtaria e efektivëve të Policisë rrugore dhe asaj të Rendit do të jetë e monitoruar nga agjentë dhe oficerë të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm si dhe nga mjete të tjera vëzhguese. Të gjitha këto sipas tij, do të jenë pjesë e vëzhgimit që do të kryejnë këto struktura me qëllim goditjen e fenomenit të korrupsionit në radhët e policisë. Nishani dhe zëvendësi i tij, Strazimiri, kanë pasur një takim mesditën e djeshme, me krerë të Policisë së Qarkullimit Rrugor dhe të Rendit, gjatë komunikimit të masave të reja të Policisë për sezonin e ri turistik në vend. “Viti i kaluar ishte shumë problematik dhe nuk dua t’i shmangemi realitetit të hidhur me problemet e infrastrukturës apo edhe ato të njerëzve. Prandaj kam kërkuar që viti 2007 të arkivohet”, tha numri një i Ministrisë së Brendshme. Sipas tij, tre muajt e parë të vitit 2008, kanë qenë më të suksesshëm në drejtim të parandalimit të aksidenteve, e krahasuar kjo me vitet 2006 dhe 2007.           d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›