E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atentat gjyqtarit, mister motivet

Autori i Lajmit: red.
Antentat gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni. Fatmirësisht, gjyqtari vetëm është plagosur dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Kalimtarë të rastit në lagjen “Komuna e Parisit” kanë dëgjuar katër të shtëna arme dhe kanë gjetur të plagosur pranë mjetit të tij 40-vjeçarin Nuni. Ata kanë shoqëruar gjyqtarin në Spitalin Ushtarak, ku falë një ndërhyrjeje kirurgjikale, është larguar çdo rrezik për jetën. Dëshmitarët kanë pohuar për policinë se, sapo kanë dëgjuar të shtënat e armës, janë drejtuar për në vendin e ngjarjes, ku kanë gjetur të plagosur Adrian Nunin.
Ngjarja
Të paktën dy persona kanë marrë pjesë në atentatin ndaj gjyqtarit Ardian Nuni. Ka qenë ora rreth 23:00, kur një person i armatosur ka qëlluar gjyqtarin në kohën që ai ka dalë nga makina e tij fare pranë shtëpisë ku mbanon në lagjen “Komuna e Parisit”. Burime nga policia pohuan se dy plumba kanë prekur gjyqtarin Ardian Nuni.
Mjekët
Mjekët e Spitalit Ushtarak thonë se plumbat kanë prekur gjyqtarin në krah dhe shpinë, por nuk kanë prekur organet jetësore. Sipas mjekëve të Spitalit Ushtarak, gjyqtari ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Vizitat
Anëtari i Gjykatës së Lartë është vizituar në Spitalin Ushtarak jo vetëm nga kolegët e tij, por nga të gjithë krerët e vendit: Presidenti i Republikës, Bamir Topi, Kryeministri i vendit, Sali Berisha, Kryeparlamentarja Jozefina Topalli, ministrja e Shëndetësisë dhe përfaqësues të opozitës.

Biografia
Ardian Nuni, anëtar i Gjykatës së Lartë, ka lindur në Korçë më 01 janar 1969. Është i martuar dhe ka një fëmijë. Është diplomuar për drejtësi në Universitetin e Tiranës në vitin 1991. Në vitin 1997 ka marrë gradën shkencore “Doktor i Shkencave Juridike” dhe në vitin 2004 titullin “Profesor i Asociuar”. Nuni është emëruar gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Korçë në vitin 1991, ndërsa në vitet 1992-1993 ka punuar fillimisht si gjyqtar dhe pastaj zëvendëskryetar i Gjykatës së Rrethit Tiranë. Nga viti 1993 deri në vitin 2007 ka qenë pedagog i brendshëm në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, ku ka ushtruar funksionin e zëvendësdekanit të fakultetit (1993-1996 dhe 2003-2007) dhe funksionin e përgjegjësit të Departamentit të së Drejtës Civile (2002-2007). Nuni ka kryer disa kualifikime pasuniversitare jashtë shtetit në fushën e së drejtës, ka qenë anëtar i senatit të Universitetit të Tiranës dhe i një vargu organizatash të tjera profesionale. Ai është autor dhe bashkautor i disa librave dhe monografive në fushën e së Drejtës Civile dhe ka dhënë mësim në programe universitare dhe pasuniversitare. Nga viti 1993 deri në vitin 2007 ka ushtruar profesionin e avokatit pranë Dhomës së Avokatisë Tiranë dhe nga viti 1998 e në vazhdim është pedagog i jashtëm i Shkollës së Magjistraturës. Me vendimin nr. 48, datë 13.07.2006 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë është emëruar anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, funksion nga i cili u largua me dorëheqje për shkak të emërimit si anëtar i Gjykatës së Lartë. Me dekretin nr. 5252, datë 04.04.2007 të Presidentit të Republikës është emëruar anëtar i Gjykatës së Lartë.

Gjykata e Lartë: “Sulmi, atentat ndaj pushtetit gjyqësor”
Trupa gjyqësore e Gjykatës së Lartë reagon duke e dënuar ashpër sulmin agresiv me armë zjarri ndaj njërit prej gjyqtarëve të saj, Ardian Nuni. “Sulmi daj gjyqtarit Nuni, përbën një atentat të rëndë jo vetëm kundër Gjykatës së Lartë, por edhe kundër pushtetit gjyqësor të Republikës së Shqipërisë. Kjo ngjarje, por edhe disa të tjera që kanë ndodhur gjatë viteve të fundit ndaj gjyqtarëve, personelit të gjykatave, familjarëve dhe pronës së tyre, përbëjnë një shqetësim të madh jo vetëm për gjyqtarët, por edhe për gjithë shoqërinë shqiptare, e interesuar aq shumë për funksionimin normal të shtetit të së drejtës”,- thuhet në deklaratën për shtyp të shpërndarë nga Gjykata e Lartë.
"Duke marrë shkas nga kjo ngjarje shumë e rëndë, kërkojme zbatimin me korrektësi dhe përgjegjshmëri të dispozitave ligjore për mbrojtjen dhe garantimin e jetës, shëndetit dhe integritetit të gjyqtarëve. Prekja e një gjyqtari përbën në vetvete një kërcënim serioz për shoqërinë, rendin, demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Opinioni publik dhe organet kompetente duhet ta kenë të qartë se gjykatat janë institucione në shërbim të qytetarëve e të shoqërisë. Gjykatave, si institucionet që japin drejtësi dhe mbrojnë të drejtat e palëve në gjykim, nëpërmjet zbatimit të ligjit, duhet t u garantohen masa të plota sigurie. Askush nuk duhet të guxojë, të kërcënojë jetën apo të denigrojë autoritetin dhe integritetin e çdo gjyqtari të Republikës", - vazhdon më tej deklarata. Gjyqtarët konstatojnë se sulmi është në vijimësi të fushatës politike dhe mediatike si dhe sulmet ndaj gjyqësorit në tërësi, përveç presionit, të cilat ndikojnë negativisht në deformimin e perceptimit të publikut mbi dhënien e drejtësisë dhe gjykatave, dhe njëkohësisht nuk i shërbejnë në asnjë rast ruajtjes së figurës dhe autoritetit të gjyqtarit dhe gjyqësorit.
Më pas gjyqtarët kërkojnë fuqishëm nga organet kompetente të merren masa të menjëhershme ligjore, institucionale, jo vetëm për zbardhjen e ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të fajtorëve, por edhe zbatimin e dispozitave ligjore në funksion të sigurisë së gjyqtarëve dhe të gjykatave, për parandalimin e ngjarjeve të tilla në të ardhmen.
Ky lajm është publikuar: 10/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›