Soriano: Vendi i dytë nuk mjafton
Zv/presidenti i Barcelonës, Ferran Soriano, dukej i zhgënjyer pas humbjes 2-0 që skuadra pësoi në fushën e Deportivo La Korunjas. Ky rezultat u dha fund shpresave për titull të katalanëve, që tashmë duhet të luftojnë me Vijarealin për vendin e dytë. Por, sipas Sorianos, kjo nuk mjafton. "Ky klub nuk mund t‘ia lejojë vetes që të luftojë për vendin e dytë në kampionat", tha ai për "Ona FM". Rreth Ronaldinjos, numri 2 në "Kamp Nou" shtoi: "Mendoj se sezonin e ardhshëm do të ketë ndryshime. Për sa i përket Ronaldinjos, ai ka edhe dy vjet kontratë. Nëse do vendosë të qëndrojë, shumë mirë. Nëse preferon të largohet, kemi shumë lojtarë të tjerë cilësorë".