E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ferrari, dominim total në Spanjë

Një dominim total i Ferrarit. Në Çmimin e Madh të Spanjës, të zhvilluar në pistën e Montmelos, "kokëkuqja" ka fituar dy vendet e para, me Kimi Raikonen përpara Felipe Masës. Një rezultat që parashikohej përpara garës, por që u konfirmua në asfaltin e katalonjës. Tashmë, finlandezi thellon diferencën me ndjekësit në garën për titullin kampion bote: Raikonen ka 29 pikë, kundër 20 të grumbulluara nga Luis Hemilton (i cili e mbylli garën në vendin e tretë), 19 pikëve të Robert Kubika (që me BMW Sauberin e tij përfundoi i katërti) dhe 18 të shokut të skuadrës, brazilianit Masa.

Që prej fillimit të garës, kampioni i botës në fuqi ka ruajtur kreun, ndërsa Masa parakalon Fernando Alonson me Reno, që gjatë xhiros së nxehjes ka rrezikuar të braktiste garën, pasi prej manovrave të forta (për të ngritur në nivele optimale temperaturën e gomave) përfundoi jashtë pistës. Gjithsesi, spanjolli është detyruar të tërhiqet në mesin e garës, kur pozicionohej në vendin e gjashtë, për shkak të thyerjes së motorit të njëvendëshes së tij. Në këtë mënyrë, dy herë kampioni i botës ka zhgënjyer 120 mijë të pranishmit në tribuna. Gara është shoqëruar me shumë aksidente dhe ndërprerje, e në dy raste ka qenë e nevojshme që ritmi të ngadalësohej, për shkak të futjes në pistë të "safety-car". Që në kthesën e parë, Adrian Sutil me Toro Roso ka goditur gjermanin Sebastian Vetel dhe të dy pilotët janë detyruar të futen në bokse vetëm pas pak metrave. Edhe makina tjetër, Toro Roso, ajo e drejtuar nga Sebastien Burdais, ka dalë nga gara, në momentin kur piloti francez ka goditur (dhe nxjerrë jashtë gare) Piket Xhunjor me Reno. Davidson është tërhequr, pasi një guralec ka shkatërruar radiatorin e Super Agurit të tij, Rubens Barrikelo është përplasur në "pit-lane" me Fors Indian e Xhankarlo Fizikelës, duke shkatërruar pjesën e përparme të makinës.

Megjithatë, protagoniste në Montmelo është bërë edhe frika. Në fakt, pas 22 xhirove, MekLareni i Heiki Kovalainen (që duke përfituar nga ndalesat në bokse të pilotëve të tjerë kryesonte garën) është përplasur me muret rrethues në një nga kthesat e shpejta të cirkuitit. Finlandezi ishte me 240 km/h, kur njëra nga gomat e përparme ka shpërthyer dhe përplasja i tronditi të gjithë të pranishmit. Në ndihmë të Kovalainen ka ardhur menjëherë ndihma e shpejtë dhe piloti është transportuar në spital me barelë. Ai ka përplasur kokën, por, pas kontrolleve të para mjekësore duket se nuk kishte pësuar asnjë dëmtim fizik. Në fund, në zonën e pikëve përfunduan edhe Mark Veber (Red Bull), Xhenson Baton (Honda), Nakazhima (Uilliams) e Jarno Truli (Tojota).



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›