Kueiroz: Lojtarët e Junajted duhet të qëllohen për të marrë 11-metërsh
Ndihmëstrajneri i Mançester Junajted, Karlos Kueiroz, beson se për të fituar një penallti, lojtarët e skuadrës së tij duhet të qëllohen me armë. Portugezi e lëshoi këtë deklaratë pas humbjes dramatike 2-1 me Çelsin në "Stemford Brixh", e cila rihapi garën për titull në Premiership. Goli i fitores për blutë u shënua nga Mikael Balak, katër minuta përpara fundit të ndeshjes, pas një penalltie të akorduar nga gjyqtari Alan Uajli për prekje të topit me dorë nga Karrik. Ky ishte goli i dytë për mesfushorin gjerman në sfidën e së shtunës, që i dha 3 pikë shumë të rëndësishme skuadrës së Avram Grant. Por, sipas Kueiroz, disa minuta më parë duhej të ishte dhënë një penallti në favor të Junajted, kur Balak frenoi në zonë Kristiano Ronaldon. Krahu i djathtë i Ferguson tha për "BBC": "Si ka mundësi që gjyqtari nuk e pa episodin kur Balak i kërceu mbi shpinë Ronaldos? Sipas gjasave duhet që një lojtar të ketë armë me vete në fushë dhe të qëllojë mbi një kundërshtar në zonë, që të akordohet 11-metërsh. Gjyqtari ishte vetëm pesë metra larg aksioneve në të dyja episodet dhe ai fërshëlleu vetëm një penallti. Është e vështirë të thuash se çfarë po ndodh me këtë sport. Këtu e kam fjalën për disa episode që kanë ndodhur në javët e fundit dhe që e kanë dëmtuar klubin tonë". Edhe trajneri i Mançesterit, Sër Aleks Ferguson, kishte dyshime rreth penalltisë. "Ajo që ndodhi ishte keqdashëse", tha ai për kanalin zyrtar të klubit, "MUTV". "Gjithsesi fitimi i titullit varet vetëm nga ne". Ndërkohë, katër lojtarë të Junajted (Patris Evra, Geri Nevil, Ji-Sung Park e Pol Skolls) rrezikojnë të përballen me drejtësinë sportive. Në fund të ndeshjes ata ishin protagonistë të një sherri me punonjësit e stadiumit "Stemford Brixh". Drejtuesit e Çelsit i dërguan pamjet filmike në Komisionin e Disiplinës, duke shpresuar në dënimin e këtyre futbollistëve, edhe pse më parë ata ishin provokuar.