E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atentat mafioz në pikën e basteve

 

Etleva Delia

Ekzekutohet në mënyrë mafioze në afërsi të ish-parkut të autobusëve në Tiranë, 38-vjeçari nga Korça. Viktima e atentatit është qëlluar katër herë me armë zjarri rreth orës 19:00 të mbrëmjes së djeshme nga persona ende të pa identifikuar. Objekti i atentatit është përballur me vrasësit sapo ka dalë nga një internet-kafe dhe qendër bastesh, në rrugën "Babë Rexha", tek ish-parku i Autobusëve në kryeqytet. Burimet nga policia thanë se ende nuk arritur të zbardhin shkaqet e ngjarjes, por sipas dëshmive të mbledhura në vendin e ngjarjes, është mësuar se viktima Shpëtim Gjenollari, është qëlluar për vdekje nga një person ende i paidentifikuar. Autori e ka pritur Gjenollarin, deri sa ai ka dalë nga qendra e basteve dhe sapo ka parë viktimën ka qëlluar me pistoletë. Për policinë e Tiranës, 38-vjeçari nuk rezulton të jetë person me precedentë penalë. Megjithatë dje në mbrëmje, grupi i hetimit ka kërkuar informacione nga policia e Korçës lidhur me viktimën e vrasjes, pasi ai banonte në qytetin juglindor. Duke iu referuar skemës së ngjarjes, mënyrës si është realizuar krimi, policia dyshon se bëhet fjalë për konflikt lidhur me bastet sportive. Në të gjithë qytetin dhe rrugët dalëse janë ngritur postoblloqe policie, por autori i vrasjes së Shpëtim Gjenollarit është zhdukur pa gjurmë. Dëshmitarët thanë se viktima me autorin nuk kanë debatuar, ndërsa vrasësi ka qëlluar menjëherë sapo ka parë viktimën të dilte nga qendra e basteve. Personat okularë i thanë policisë se autori i vrasjes është larguar me shpejtësi nga vendi i krimit me një motor.
HETIMI
Përveç skemës së ngjarjes dhe mekanizmit se si është kryer vrasja, policia nuk ka mundur të zbardhë më tepër rreth atentatit. Emri i Shpëtim Gjenollarit, nuk rezulton në dosjet e policisë së Tiranës, si person i inkriminuar, madje ai nuk rezulton as si banor i kryeqytetit. Nga një letërnjoftim që ai mbante me vete, është bërë i mundur identifikimi i tij, si dhe vendbanimi, nga ku rezulton që 38-vjeçari është rezident në Korçë. Të gjendur përballë kësaj situate dhe në mungesë të personave të dyshuar për këtë ngjarje, policia e Tiranës, i ka kërkuar informacion Drejtorisë së Policisë së Korçës, në rast se mund të ketë të dhëna për këtë persona, apo nëse ai mund të ketë pasur konflikte në vendin ku banonte. Dëshmitarët që janë marrë në pyetje nga grupi hetimor, kanë pohuar se nuk kanë arritur të njohin as viktimën dhe as autorin. Kjo për shkak edhe të errësirës, por edhe pse 38-vjeçarin nuk e kishin parë herë tjetër në atë zoni. Ekspertët e Sektorit të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe kanë gjetur katër gëzhoja pistolete. Sipas policisë arma ka qenë pa silenciator, pasi janë dëgjuar krisma. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›