Hetimet e "Durrës - Kukës", Teliti e Toma në Gjykatën e Lartë më 25 mars
TIRANE - Mbyllja e hetimeve për dosjen "Durrës Kukës", më datë 6 nëntor ka mbërritur në Gjykatën e Lartë. Ish-zëvendësministri i Transporteve Armand Teliti dhe ish-kreu juridik i Rrugëve, Andi Toma do të përballen me Prokurorinë në Gjykatën e Lartë, pas ankesës së organit të akuzës kundër vendimit të Gjykatës së Tiranës dhe Apelit për ndërprerje të hetimeve. Nëntë ditë pas seancës së radhës të çështjes së themelit për rrugën Durrës-Kukës, Gjykata e Lartë ka caktuar për zhvilluar seancën e parë për të shqyrtuar ankesën e Prokurorisë kundër Tomës dhe Telitit. Pas nënshtrimit të procedurave të shortit elektronik në këtë institucion, dje, dosja i është dorëzuar gjykatëses Majlinda Andrea për ta shqyrtuar atë, e cila do të kryesojë kolegjin penal pesëanëtarësh të kësaj çështjeje. Po kështu, burime nga kjo gjykatë pohojnë se çështja mban numrin 00107 dhe i përket vitit 2009. Palët ndërgjyqëse janë Prokuroria e Përgjithshme nga njëra anë dhe Armand Teliti e Andi Toma nga ana tjetër. Baza ligjore e saj është neni 325 i Kodit të Procedurës Penale, ndërsa, po dje, është caktuar që seanca të zhvillohet në orën 12:40 të 25 marsit. Në nëntor të vitit të kaluar Prokuroria e Përgjithshme pohoi se do të zgjaste deri më datë 6 dhjetor afatin për mbylljen e hetimeve për dosjen e rrugës "Durrës - Kukës". Motivi i shtimit të këtij afati me një muaj, sipas prokurorisë, ishte pretendimi i organit të akuzës për t'i njoftuar akt-akuzën Ministrit të Jashtëm Lulzim Basha, i cili dyshohet të ketë abuzuar me detyrën gjatë kohës që ka drejtuar Ministrinë e Transporteve. Toma dhe Teliti, paditën Prokurorinë e Përgjithshme në Gjykatën e Tiranës, ku gjykatësja Fatmira Hajdari u shpreh në favor të tyre, duke detyruar organin e akuzës të mbyllte hetimet. Pas kësaj, Prokuroria u ankua në Gjykatën e Apelit, ku u vendos të lihej në fuqi vendimi i Faktit. Pas kësaj, Prokuroria iu drejtua Gjykatës së Lartë ku paraqiti rekurs kundër vendimit të Faktit të Apelit. Ndërkohë, më datë 16 mars, ditën e hënë është caktuar të jetë seanca e radhës për dosjen "Durrës-Kukës". Në këtë seancë gjykata do të shpallë nëse qëndron apo jo akt-akuza në ngarkim të ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha, tashmë Ministër i Jashtëm. Por, pritet që kjo seancë të mos zhvillohet pasi kjo ditë është pushim zyrtar. fa.ma.