E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kalvari dhjetëravjeçar i basorelievit të Normales

11/03/2009  Në 100-vjetorin e kësaj shkolle skulptori Dhimitër Terezi po punon një të ri me figurën e Hajdar Blloshmit

ELBASAN- Viti 2009 është një vit mjaft i rëndësishëm për Elbasanin. Kontributi dhe dashuria e madhe për arsimin e ka kthyer simbolin e qytetit, Normalen e 100 vjetëve si ngjarjen më të madhe historike. Çdo familje vjen nga breza arsimtarësh, çdo mbiemër e ka një lidhje me mësimdhënien, çdo brez e ka një vazhdues të hapave të normalistëve të parë. Në 100-vjetorin e shkollës së parë për mësues në vend, qyteti po përgatitet për festë, normalistët kujtojnë mësuesit e tyre ndër të cilët do të përjetësohen të parët, ata që e çelën shkollën e mësuesve. Nëpërmjet fotografive të vjetra sillen në kujtesë figura të shquara, por që u trajtuan me dritë-hije nga komunizmi.

Peripecitë e basorelievit

Fotoja origjinale e mësuesve u retushua duke hequr Hajdar Blloshmin. Mbi fotografinë e mësuesve të parë të Normales u ndërtua një basoreliev. Autori i këtij basorelievi është skulptori i njohur elbasanas Dhimiter Telezi. Ai tregon se iu kërkua të punonte një basoreliev mbi fotografinë e mësuesve të parë të Normales në vitin 1977. Por ndryshe nga fotografia origjinale Telezit iu kërkuan që të punojë fotografinë e retushuar pa figurën e Hajdar Blloshmit. Telezi iu bind kërkesës së sekretarit të atëhershëm të partisë, pasi në të kundërt mund të humbte punën. Basorelievi i përfunduar dhe i derdhur në bronz u vendos në godinën ku është hapur fillimisht shkolla Normale në ish-godinën e shkollës Ptolome Xhuvani. Por trazirat e vitit 1997 nuk kursyen as këtë objekt. Basorelievi u pa nga vjedhësit si një mundësi për fitim, pasi ishte prej bronzi dhe një natë u zhduk nga muri. Policia arriti të gjejë këtë objekt, por ata që e kishin vjedhur e kishin dëmtuar aq shumë sa nuk mund të riparohej më. Atëherë i dëmtuar në dy pjesë ku basoreliev përfundoi në muze. Rreth viteve 1999-2000 autorit të basorelievit të vjetër iu ngarkua të ndërtojë një të ri nga bashkia e atëhershme. Por për shkak të burokracive dhe problemeve që dolën kur Telezi ishte duke ndërtuar punën e tij tashmë i bazuar në fotografinë origjinale, fondi për derdhjen u dogj dhe gjithçka ngeli në vend. Kaluan vite, u ndryshuan kryetarë bashkish dhe ndërsa skulptori më kot mundohej t’i sillte në mendje institucioneve kulturore këtë objekt që duhej vënë në vend. Nga koha kur basorelievi ishte gati kanë kaluar 8 vjet dhe ky objekt me vlerë pret të vendoset në murin e shkollës Normale si një kujtim nga ata që dhanë fillimisht mësim në këtë shkollë. Mes tyre ishte edhe Hajdar Blloshmi, i cili u nxi me të zezë dhe u zhduk nga historia e shkollës. Duke mësuar diçka mbi këtë basoreliev nipi i Hajdar Blloshmit, Hysen Blloshmi, sot në Amerikë ka vendosur të mbështesë financimin për vendosjen e objektit origjinal që përfshinë të gjitha figurat që hodhën themelet e arsimit në universitetin e parë shqiptar. Qytetit i duhen shumë objekte të tilla që kujtojnë periudhën e artë kur Elbasani mori statusin e qendrës së arsimit. Ditë pas dite objektet janë duke u shkatërruar, vlerat duke humbur dhe njerëzit duke harruar.

Historia, si u retushua fotoja e Blloshmit

Dhimitër Telezi: Basorelievet e mia për arsimin

Teksa shkel në studion e tij, shikon se ai po punon mbi portretin e Kostaq Cipos, ndërsa në oborrin e shtëpisë ndodhet në pjesë basorelievi i famshëm i mësuesve të parë të Normales. Ky oborr me portokaj ka shumë objekte artistike aq sa çdokush do ta përjetonte mjaft vizitën aty. Skulptori i njohur na tregon se sa e vështirë ka qenë historia e këtij basorelievi. Teksa e zbulon artin e derdhur në allçi, ai thotë se më në fund është gjetur një mundësi që basorelievi të derdhet në bronz. Ai e ka rikrijuar duke vendosur edhe figurën e Hajdar Blloshmit, mësuesit që u retushua në komunizëm. Dhe pikërisht financuesi që është afruar për ta sponsorizuar është nipi i tij, sot në Amerikë. “Ky është një vit i rëndësishëm për arsimin. Shkolla Normale mbush 100 vjet nga themelimi. E kur më shumë se këtë vit vendosja e kësaj vepre do të kishte vlerë? Shpresoj që këtë herë ky objekt të vendoset në vendin që i takon. Dua të theksoj se në vitin 1997 ka qenë dora ime që e ka realizuar basorelievin për mësuesit e Normales dhe m’u kërkua nga drejtuesit e atëhershëm të partisë që të fshija figurën e Blloshmit. Mendoj se tani ka ardhur koha që ajo figurë e artë e arsimit të vendoset në vendin e vet. Dhe punën time e bazova në këtë rikthim për të përjetësuar atë foto origjinale të vitit 1909 dhe figurat e mësuesve Aleksandër Xhuvani, Hajdar Blloshmi, Luigj Gurakuqi dhe Hafëz Ibrahim Dalliu, Sotir Peci, Simon Shuteriqi, Petër Dodbiba dhe Hasan Mezja”. Por basorelievet janë specialitet i Telezit. Nëse kalon tek Kalaja e Elbasanit në një prej kupolave vëren një basoreliev që qëndron aty prej kohësh me simbolin e qytetit. Një tjetër e gjen në hyrje të Muzeut Etnografik, ndërsa një tjetër ndodhet në godinën e shkollës Pedagogjike. Po kështu autori mban disa basorelieve të tjera në shtëpi. Të gjitha punimet kanë si temë kryesore arsimin duke u mbështetur në ngjarje historike në këtë fushë. Veprat e tij janë një shembull i qartë i dashurisë së autorit për arsimin. Lidhja e Elbasanit me shkollën është e hershme dhe është e pasqyruar në gjithçka përfshirë edhe artin e skulpturës. Ëndrra më e fundit e Telezit është vendosja e Basorelievit origjinal të mësuesve të Normales përfshirë edhe figurën e Hajdar Blloshmit. Ai dëshiron që këtë vit të rëndësishëm që përkon me 100 vjet Normale, basorelievi të marrë vendin që meriton në historinë e kësaj shkolle.

Pak kujtesë

Cili qe Hajdar Blloshmi?

Hajdar Blloshmi ishte një përfaqësues i familjes së madhe të Blloshmeve të Bërzeshtës. Ishte një ndër atdhetarët, figurë e fundit e Rilindjes Kombëtare. Lindi në 1860 në Bërzeshtë. Mësimet e para dhe të mesme i ndjek në Turqi po kështu dhe shkollën e lartë. Ka qenë mësues në gjimnazin më të mirë të Stambollit. Zotëronte shumë gjuhë të huaja, turqisht, greqisht, persisht, frëngjisht dhe spanjisht. Punoi në pallatin e Sulltan Hamitit si përkthyes i frëngjishtes për 10 vjet. Qëndron afër me bashkatdhetarët dhe bashkëfshatarët e tij Halit Bërzeshta dhe profesorin e Universitetit të Stambollit Ibrahim Lytfiu. E radhiti veten ndër luftëtarët e arsimit shqip, mban lidhje me klubet shqiptare dhe shoqërinë “Drita” të Stambollit. Aktivizohet në lëvizjen e xhonturqve dhe largohet për në Rumani kur merr që merr vesh që Sulltani e kishte vënë në shënjestër. Qeveria rumune e zë dhe e dërgon në Stamboll. Blloshmi para gjyqit shprehet “Për një grusht gjak që doni ju, duke më dënuar me vdekje unë nuk mund të gënjej para zotit”. Hajdar Blloshmi merr pjesë në kongresin e Manastirit si i dërguar i Klubit të Selanikut; ndonëse përkrahës i alfabetit të Stambollit, pranon me bindje argumentet e Klubit “Bashkimi” për alfabetin latin. Ai merr pjesë edhe në Kongresin e Elbasanit për hapjen e shkollës Normale. Punoi shumë për hapjen e shkollave shqipe në Durrës, Pogradec, Librazhd, Korçë, Shpat e Bërzeshtë. Djali i parë i H. Boshmit ishte mësuesi i parë i shkollës së Bërzeshtës. Figurën e tij e shohim të rreshtuar në trupën e parë mësimore të Normales. H. Blloshmi caktohet delegat në Kuvendin e Vlorës si përfaqësues i krahinës së Starovës. Ai bëri krushqi me Ismail Qemalin duke i marrë mbesën (Sarën) për djalin e madh të tij Selaudinin. Ndërmjet luftërave ballkanike dhe Luftës së I Botërore me pushkë në dorë mbron tërësinë tokësore të vendit. Hajdar Blloshmi kishte miqësi të ngushtë me L. Gurakuqin dhe A. Xhuvanin dhe para pavarësisë mbante korrespondencë me shumë patriotë si p.sh: me Ibrahim Temon. Ai gjithashtu ka marrë pjesë edhe në Kongresin e Lushnjës. Në zgjedhjet e para të vitet 1923 zgjidhet deputet në parlamentin e parë shqiptar dhe i tillë qëndroi deri më 1932. Vitet e fundit e derisa vdiq më 1936 u largua përfundimisht nga aktiviteti politik. Hajdari, vëllezërit e tij, tërë Blloshmët lanë gjurmë si intelektualë e nacionalistë. Për gati 50 vjet diktatura heshti në veçanti për Hajdarin vetëm për faktin se kishte një prejardhje nga një familje e madhe dhe se kish qenë deputet i Zogut. Vetëm në fisin Blloshmi u pushkatuan 12 pjesëtarë nga kjo familje për vitet 1944-1945 me trokitjen e parë të diktaturës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›