E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atentat me eksploziv ish- shefit të krimeve

Lutfi Bufi ka punuar si shef krimesh në Elbasan dhe Pogradec. Hetuesit: Eksplozivi u vendos për shkak të detyrës

Një sasi tritoli ka shpërthyer në 5 të mëngjesit duke dëmtuar shtëpinë e ish- oficerit të policisë

POGRADEC- Atentat me eksploziv ish- shefit të krimeve të Elbasanit dhe Pogradecit. Ngjarja ndodhi në orët e para të ditës së djeshme në qytetin e Pogradecit, ku edhe banon prej kohësh ish- oficeri i policisë Lutfi Bufi. Fatmirësisht shpërthimi nuk ka shkaktuar asnjë dëm në njerëz por vetëm ka prishur disa orendi. Hetimet e policisë lokale kanë nxjerrë si motiv të atentatit detyrën që Bufi ka pasur në Policinë e Shtetit. Por deri tani hetuesit Pogradecarë nuk kanë mundur që të gjejnë një emër konkret të të dyshuarit si autor i ngjarjes.

Ngjarja

Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur lagjen numër pesë të Pogradecit, tek vendi i quajtur Përroi i Çaprazit. Sipas burimeve policore, të cilat kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, shpërthimi ka ndodhur në shtëpinë private të ish-shefit të krimeve të Elbasanit tani me banim në Pogradec, Lutfi Bufit. Ai tashmë është në pension por ai ka shërbyer si shef krimesh për shumë vite në Elbasan dhe më pas edhe në qytetin e tij të Pogradecit ku dhe doli në pension. Hetuesit dhe fqinjët e Bufit pohuan se ngjarja ka ndodhur rreth orës 05.00 të mëngjesit të djeshëm. Tek dritarja e katit të parë të shtëpisë private, nga ana e liqenit, ishte vendosur një sasi tritoli dhe diametri i gropës ishte 50 centimetra. Fatmirësisht nuk ka pasur dëme në njerëz pasi atë natë në familjen e Lutfi Bufit kishin ardhur edhe krushqit e tij nga Fieri dhe në shtëpi kanë qenë mbi 15 persona. “Ka qenë një mrekulli,- kanë thënë burimet policore, pasi tek dritarja e kuzhinës ku ishte vendosur tritoli ndodheshin duke fjetur dy vajza. Shpërthimi ka shkatërruar krejtësisht dhomën dhe të gjitha orenditë që ndodheshin në të por vajzat kanë shpëtuar pa asnjë problem. Nga rindërtimi i vendit të ngjarjes kemi mësuar se një bufe me dërrasa të trasha ka shpëtuar dy vajzat që të mos dëmtoheshin nga shpërthimi”,- thanë dje oficerët e policisë që ndodheshin në vendin e ngjarjes. Sipas tyre, dy vajzat janë terrorizuar krejt duke parë shpërthimin që ka tronditur krejt ndërtesën duke shkaktuar dëme të shumta materiale.

Hetimi

Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes duke kryer ekspertizën dhe grumbulluar provat e para. Por ato kanë qenë të pamjaftueshme për të zbuluar ndonjë detaj të rëndësishëm për hetimin. Më pas hetuesit kanë thërritur edhe qentë e kufirit për të parë nëse ata mund të nuhasnin ndonjë gjurmë të personave që kishin vendosur eksplozivin. Edhe ky veprim ka rezultuar pa sukses. Burimet e grupit hetimor pohuan se momentalisht janë duke hetuar në disa pista por më kryesorja mbetet ajo e hakmarrjes për shkak të detyrës. Pas marrjes në pyetje të vetë të dëmtuarit por edhe personave që e njihnin është zbuluar se ai nuk kishte asnjë konflikt tjetër apo probleme pronësie. Lutfi Bufi dhe familja e tij njihen në qytetin e Pogradecit si njerëz pa probleme me fqinjët. Ngjarja e djeshme ka tronditur edhe fqinjët e ish- oficerit të policisë. Kimet Ismaili, banor i kësaj lagjeje tha se ishte vërtet një shpërthim i frikshëm, i cili i ka tronditur gjithë ndërtesat e lagjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›