E Diel, 1 Nëntor 2026

Mungesa e gjakut, mjekët fushatë në fshatra

Banka e Gjakut është “në pikën e fundit” dhe mjekët lëshojnë apel për ndihmë. Më të rrezikuar, talasemikët

LUSHNJE- Mungesa e gjakut i ka detyruar punonjësit e bankës rajonale me qendër në Lushnjë të kërkojnë burime dhuruesish për të përballuar kërkesat e të sëmurëve. Prej kohësh ky institucion ka dhënë alarmin se rezervat e gjakut janë shumë të kufizuara dhe për këtë kërkohen dhurues vullnetarë e me pagesë dhe çdo pritje rrezikon jetën e qindra të sëmurëve. Edhe më e rrezikshme është situata për të sëmurët me talasemi, për të cilët transfuzioni i gjakut është i domosdoshëm. Në këto kushte ata i janë drejtuar fshatrave dhe komunave me shpresën se ndokush do të dëgjojë apelin për të shpëtuar jetë njerëzish.

Mjeku i transfuzioneve, Mehmet Xhindoli, pohoi dje se nuk i mbante dot vendi i punës pa siguruar rezerva gjaku për të sëmurët, të cilët presin çdo ditë para bankës së gjakut në radhë për lëngun e jetës. “Kemi kërkuar të zbresim në terrenin konkret të zgjidhjes së problemit. Në qytet jemi ndeshur me shumë vështirësi që do të thotë se në qytet dhuruesit vullnetarë dhe me pagesë jenë në numrat njëshifror. Kemi biseduar me drejtuesit e komunave në fshat dhe shpresojmë se do arrijmë diçka pozitive. Nga takimet e para që kemi bërë me njerëzit në fshat kemi marrë premtime dhe shpresojmë se do sigurojmë disa rezerva gjaku për të zgjidhur emergjencat”,- tha mjeku Xhindoli. Rezultati i parë i kësaj “fushate” ishte në komunën e Gradishtës ku banorët iu afruan vullnetarisht ekipit të specialistëve për marrjen e gjakut, në shenjë respekti dhe humanizmi për të sëmurët. Për punonjësit e bankës së gjakut rëndësi të veçantë kishte përgjigja e shpejtë e dhuruesve dhe jo numri i qeseve të gjakut të grumbulluar në harkun e tre-katër orëve.

Sipas specialistëve, ky problem ka një zgjidhje por ajo duhet të vijë nga Ministria e Shëndetësisë. “Të sigurosh rezerva gjaku nuk është e thënë t’i drejtohesh importit kur ka rezerva të konsiderueshme e me shumicë në vend. Të sëmurët i gjen çdo ditë mes prodhuesve të gjakut dhe të mbledhësh gjak është një punë si shume të tjera. Lushnja ka 14 komuna dhe dy bashki. Sikur të organizohet sistematikisht puna dhe të shkohet atje ku është gjaku, kriza me siguri do të zbutet. Në Bankën e Gjakut në Lushnje vijnë të sëmurë edhe nga disa rrethe si Vlora, Fieri, Berati. Angazhimi i institucioneve shëndetësore në rrethe për të siguruar rezervat përkatëse është në shifra të papërfillshme”,- thanë mjekët e Lushnjes. Por Ministria e Shëndetësisë ka kohë që ka rrëzuar idenë e dhuruesve me pagesë të gjakut, duke pohuar se ata janë të rrezikshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›