Shkodër, asgjësohen 13 ton qumësht me baktere
RREZIKUSHKODËR- Shërbimet e Inspektoratit Ushqimor pranë drejtorisë së bujqësisë dhe ushqimit në Shkodër kanë asgjësuar 13 ton qumësht, i cili ka rezultuar me ngarkesë bakteriale. Sipas përgjegjësit të këtij inspektorati, Adnan Gradeci, veçanërisht në stinën e verës janë shtuar kontrollet në pikat e përpunimit të qumështit dhe të prodhimit të akulloreve, si dhe të restoranteve që shërbejnë për gëzime familjare. Gjatë kontrolleve të bëra dhe analizave përkatëse, në harkun kohor të një muaji janë asgjësuar rreth 13 ton qumësht i cili ka rezultuar me ngarkesë bakteriale dhe i dëmshëm për shëndetin e konsumatorit . Po kështu janë asgjësuar dhe sasi konservash të ndryshme të cilave u ka kaluar afati i skadencës, si dhe disa artikuj të tjerë ushqimorë me sasi më të vogla. Sipas Gradecit, gjatë kontrolleve që kanë bërë në restorantet që shërbejnë për gëzime familjare , kryesisht dasma ku dhe numri i konsumatorëve të ushqimit është i konsiderueshëm, ka rezultuar se disa prej tyre nuk janë të pajisur me leje shëndetësore për një aktivitet të tillë.