Përgjaken rrugët, nis sezoni i aksidenteve
Aksidentet janë rikthyer frikshëm gjatë ditës së djeshme duke shënuar një të vdekur dhe gjashtë të plagosur. Brenda dy ditësh tre persona kanë humbur jetën dhe 12 të tjerë janë plagosur në aksidente rrugore në të gjithë vendin. Superstrada Fushë Krujë- Laç ka qenë edhe një herë vendngjarja e një aksidenti të rëndë ku janë plagosur pesë anëtarë të të njëjtës familje. Në një tjetër aksident në Elbasan ka mbetur i plagosur rëndë drejtuesi i motoçikletës ndërsa në Tepelenë ka gjetur vdekjen 48- vjeçari.
Laç
Shënohen aksidenti i radhës në superstradën Fushë Krujë-Laç, ku janë plagosur pesë persona të të njëjtës familje. Ka qenë një makinë tip benz, e cila është përplasur në orët e para të mëngjesit në hyrje të Fushë Krujës me një kamion, duke sjellë plagosjen e rëndë të pesë personave. Mësohet se aksidenti ndodhi kur A. Stafuka po kthehej nga dasma për në banesën e tij në Fushë Krujë. Ai ndodhej së bashku me katër njerëz të tjerë të familjes dhe rreth orës 04.00 të mëngjesit ka goditur kamionin që ishte i parkuar anash rrugës. Nga kjo përplasje janë plagosur të pesë personat, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë për jetën. Ata janë dërguar urgjentisht në spitalin ushtarak të Tiranës. Shkak i aksidentit, sipas hetimeve të para, del të ketë qenë pagjumësia e drejtuesittë veturës, që ka humbur kontrollin disa çaste para se të përplasej me kamionin.
Elbasan
Rreth orës 13.30 të ditës së djeshme, në afërsi të fshatit Vidhas të Elbasanit automjeti me targa “LB 2340A”, i drejtuar nga shtetasi Tomorr Skura është përplasur me një motor të drejtuar nga shtetasi Enver Motraxhiu me banim në fshatin Vidhas. Si pasojë e përplasjes është dëmtuar rëndë shtetasi Enver Motraxhiu ndërsa nuk ka pësuar dëmtime drejtuesi i automjetit. I dëmtuari është dërguar në spitalin kirurgjik të Elbasanit dhe ndodhet në gjendje serioze për jetën. Në vendngjarje shkoi policia dhe ekspertët për të përcaktuar shkaqet e aksidentit. Nga të dhënat e para rezulton se shkaku i aksidentit ka qenë ndërprerja e rrugës automjetit nga shtetasi që udhëtonte me motor. Gjithsesi pritet që hetimet të zbardhin edhe shkaqet e këtij aksidenti. Ndërkohë policia rrugore ka dyfishuar patrullimet në rrugët kryesore të qytetit të Elbasanit dhe po kështu janë shtuar patrullimet në rrugën nacionale për shkak të mbingarkimit nga ardhja e emigrantëve dhe lëvizja e turistëve nga Kosova dhe Maqedonia në drejtim të bregdetit.
Tepelenë
Një shtetas ka humbur jetën gjatë një aksidenti automobilistik në zonën e Tepelenës. Burime zyrtare të policisë kanë bërë të ditur se ngjarja ndodhi në vendin e quajtur Ura e Skaranit, në dalje të fshatit Bënçë. Ka qenë një bari i zonës ai që ka parë aksidentin dhe ka lajmëruar më pas uniformat blu. “Grupi hetimor konstatoi se në vendin e quajtur Ura e Skaranit në dalje të fshatit Bënçë, automjeti tip Fiat 131, me targa “TP 0967 B”, i cili drejtohej nga shtetasi Selami Qeli, 48 vjeç, si pasojë e humbjes së vëmendjes së drejtuesit, ka dalë nga rruga duke rënë në humnerë rreth 130 metrathellë. Si pasojë e kësaj daljeje drejtuesi i automjetit ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Në automjet nuk udhëtonte asnjë shtetas tjetër. Viktima punonte si pllaka shtrues dhe po zbriste nga Progonati për në Tepelenë”,- kanë bërë të ditur burimet zyrtare të policisë së Gjirokastrës.