Pranga dy shqiptarëve me 4.7 kg heroinë në makinë
MAL i Zi- Policia malazeze ka arrestuar në flagrancë dy shtetas shqiptarë që janë kapur me katër kg e 700 gram lëndë narkotike heroinë në mjetin e tyre. Përveç dy shqiptarëve, policia ka arrestuar edhe një shtetas kosovar që dyshohet se është bashkëpunëtor i tyre. Sipas burimeve nga policia malazeze, droga ka hyrë në territorin e tyre nga Shqipëria përmes pikëkalimit kufitar të Hanit të Hotit. Automjeti tip “Mercedes Benz” me targa “MA 1297 D “, në të cilin udhëtonin shtetasit nga Erand Dulaj dhe Albert Gjonaj nga Malësia e Madhe është ndaluar nga shërbimet e policisë malazeze në qendër të Tuzit në Mal të Zi në afërsi të një pike karburanti.
Gjatë kontrollit që i është bërë mjetit, në gomën rezervë të makinës janë gjetur pesë pako të fshehura e kujdes që pas ekzaminimeve të para ka rezultuar se kanë brenda lëndë narkotike të tipit heroinë. Menjëherë dy shqiptarët janë prangosur ndërsa polica ka kapur dhe shtetasin kosovar Prend Thaçi nga Prizreni me banim në Osjek. Sipas burimeve nga policia malazeze, Prend Thaçi dyshohet se ishte pritësi i mallit dhe kishte lidhje me dy shtetasit nga Malësia e Madhe. Ai nuk ka qenë në automjetin që transportonte drogën po përmes bisedave telefonike të përgjuara nga shërbimet e policisë malazeze, mendohet se kishte dijeni dhe bashkëpunonte me dy shqiptarët. Sapo ka mësuar se ato janë ndaluar nga policia, Prend Thaçi është nisur të largohet nga Mali i Zi, por është kapur nga shërbimet e policisë në autostradën në afërsi të Tivarit. Sipas policisë malazeze, kosovari njihet si person i dyshuar për veprimtari të jashtëligjshme. Sipas personave shqiptarë që e njohin kosovarin , javën e kaluar ai është parë të lëvizte nëpër qytetin e Shkodrës ku mendohet se ka bërë edhe porosinë e “mallit” që u kap dje.