Shkodër, njësitë vendore refuzojnë të marrin pyjet
SHKODËR- Drejtues të njësive të qeverisjes vendore të qarkut të Shkodrës kanë paralajmëruar se nuk do të firmosin marrjen në dorëzim të sipërfaqeve pyjore që me vendim të Këshillit të Ministrave u kanë kaluar në pronësi komunave. Shkak për këtë, sipas tyre, është mungesa e hartave territoriale të këtyre sipërfaqeve pyjore. Problemi është evidentuar gjatë një takimi të zhvilluar për këtë qëllim në zyrën e prefektit Maxhid Cungu. Ky ka theksuar se kalimi i sipërfaqeve pyjore në pronësi të komunave e bashkive ndikon pozitivisht në menaxhimin e tyre, ruajtjen dhe shfrytëzimin në dobi të komunitetit, si dhe përkon me reformën e decentralizimit të pushtetit vendor.
Por kryetarë të komunave të qarkut të Shkodrës janë shprehur se edhe pse vendimi i qeverisë për kalimin në pronësi të tyre të sipërfaqeve pyjore është mirëpritur, mungesa e hartave territoriale të shkallës 1: 2500 bën që ato të ngurrojnë në marrjen në dorëzim të këtyre sipërfaqeve. Drejtues të njësive të qeverisjes vendore si komunat Gur i Zi, Dajç etj, janë shprehur se ato nuk do të firmosin në tryezë marrjen në dorëzim të pyjeve e kullotave që u janë dhënë nga qeveria, pa i parë ato konkretisht në terren dhe pa pasur hartat territoriale përkatëse. Sipas tyre, pa harta është e vështirë të caktohet kufiri i ndarjes së këtyre sipërfaqeve për çdo njësi të qeverisjes vendore dhe kështu mund të lindin mosmarrëveshje dhe të tjera probleme. Po kështu, ka rezultuar se jo e gjithë sipërfaqja pyjore që në letër u është kthyer si sipërfaqe pyjore njësive të qeverisjes vendore, të jetë e tillë, pasi ka raste kur nga evidentimi i bërë nga komunat rezulton se në këtë sipërfaqe nuk ka asnjë pemë të mbjellë. Për të gjitha këto, kryetarët e këtyre njësive kanë kërkuar sjelljen e hartave nga drejtoria e shërbimit pyjor, e cila i ka pasur në pronësi këto sipërfaqe deri tani dhe ngritjen e grupeve të punës së përbashkët për evidentimin real në terren të këtyre sipërfaqeve. Sipas specialistit të pyjeve, Islam Laçaj, hartat që kërkohen nga drejtuesit e komunave e bashkive nuk mund të realizohen teknikisht. Në qarkun e Shkodrës janë transferuar në pronësi të komunave e bashkive, 158 000 ha pyje, ku rrethi Shkodër ka marrë 51.640 hektar, Malësia e Madhe 53.151 ha dhe Puka 53.965 ha. E llogaritur në vlerë monetare, kjo pasuri është vlerësuar ne 23 miliard e 813 milion 628 mijë lekë.