E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atentat me silenciator në Kombiat

Autori i Lajmit: red.
As nuk kanë parë e as nuk kanë dëgjuar ndonjë gjë të dyshimtë, kur papritur këmbësori që po ecte aty pranë ka rënë pa ndjenja përtokë. Ngjarja ka ndodhur pak para mesnatës së të martës në zonën e Kombinatit në kryeqytet, kur Aleksandër Akulli është qëlluar me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar. Për pasojë, Akulli ka marrë një plagë në trup dhe është transportuar me urgjencë për në spital. Ngjarja është konfirmuar një ditë më parë nga burime të Policisë së Tiranës, sipas të cilave, nga dëshmitë e mbledhura deri më tani nga persona që kanë qenë pranë skenës së krimit rezulton të mos jetë dëgjuar asnjë krismë arme. Për këtë arsye, dyshimet e ekspertëve të sektorit të krimit janë për një atentat ndaj të riut me silenciator dhe më pas autori është larguar me ndonjë automjet. Në këtë kuadër, burimet policore kanë thënë se në vendin e ngjarjes janë gjetur plot katër gëzhoja pistolete, por vetëm një plumb ka zënë objektivin. Ndërkaq, pista e parë ku janë përqendruar hetimet e policisë është ajo e hakmarrjes, pasi nga hetimet e deritanishme është nxjerrë në dritë se i plagosuri, Aleksandër Akulli, njihej nga policia si person me precedentë të mëparshëm penalë. Është qëlluar me pistoletë me silenciator nga një makinë teksa ecte në një nga rrugicat e zonës së Kombinatit në kryeqytet, për pasojë, Aleksandër Akulli, një i ri me banim në Tiranë është plagosur nga një plumb i vetëm në trup dhe aktualisht ndodhet në ambientet e Spitalit Ushtarak.

Ky lajm është publikuar: 10/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›