Malaj: “Deputetët e Lëvizjes për Mendim Ndryshe do të futen në Kuvend”
Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Malaj, ka deklaruar se Lëvizja për Mendim Ndryshe në Partinë Socialiste nuk e përjashton mundësinë për të thyer vendimin e Grupit Parlamentar për bojkotin e Kuvendit. Gjatë një interviste televizive, Malaj tha se përveç mendimit ndryshe, kjo lëvizje mund të organizojë edhe veprimin ndryshe duke u futur në Kuvend dhe duke u bërë pjesë e vendimmarrjeve të rëndësishme për të ardhmen e vendit. Malaj ka folur gjithashtu edhe për Marrëveshjen midis Greqisë dhe Shqipërisë për përcaktimin e kufijve ujorë. Malaj tha se kjo është një çështje kombëtare dhe nuk mund të trajtohet si një shou politik apo mediatik. Sipas tij, opozita duhet të jetë pjesë e një diskutimi të tillë kaq delikat. “Ne duhet të bëjmë që çështje të tilla t’u lihen ekspertëve dhe nëse duhet të shkojë në Gjykatën Kushtetuese, atëherë i duhet Parlamentit të presë një vendim të Gjykatës, në mënyrë që të mos ketë një sherr politik”, - tha Malaj. Përsa i përket Progres-Raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë, deputeti socialist tha se ky raport duhet të kthehet në një plan veprimi për maxhorancën, duke theksuar se opozita duhet të bëjë presion real për “gjysmën bosh të gotës”. Malaj e konsideroi bojkotin e zgjedhjeve të pjesshme të 15 nëntorit si të pajustifikueshëm, duke theksuar se ky bojkot do të krijojë një kosto shtesë për Partinë Socialiste. “Pjesa elektorale që nuk përfaqësohet në këtë garë do të krijojë vështirësi për të ngritur besimin në PS”, - tha Malaj.
Kryeministri Berisha feston 65-vjetorin e lindjes mes të rinjve dhe kabinetit qeveritar
Kryeministri Sali Berisha ka festuar dje 65-vjetorin e lindjes së tij në ambientet e Kryeministrisë së bashku me kabinetin qeveritar. Në këtë shkëmbim urimesh, kryeministri Berisha i falënderoi ministrat për kontributin dhe mbështetjen që ata i kanë dhënë gjatë këtyre viteve për realizimin e reformave të ndërmarra së bashku dhe i siguroi ata se katër vitet e ardhshme do të jenë edhe më të suksesshëm. Më pas, kryeministri Berisha ka pritur një grup nxënësish dhe studentësh, përfaqësues të shkollave e universiteteve të ndryshme, të cilët i uruan gjithashtu 65-vjetorin e tij të lindjes.
Studentët dhe nxënësit e falënderuan kryeministrin për të gjitha reformat e kryera deri tani në arsim dhe për sistemin e internetit të ngritur në të gjitha shkollat e vendit. Kryeministri i siguroi ata se në vitet e ardhshme do të vijohet edhe më tej me reformat në arsim, për të zgjeruar universitet, rritur cilësinë e tyre dhe për të siguruar vendet e lira të punës, që të gjithë të diplomuarit të mund të angazhohen për njohuritë e marra në shkollë.
Në fund të takimit, kryeministri i falënderoi studentët dhe nxënësit për vizitën dhe urimet e tyre, duke u shprehur se urimi i tyre ishte më i bukuri që kishte marrë për këtë përvjetor të tij.
16 Tetor 2009