E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atentat në Kuçovë, plagoset polici

Katër plumba pistolete janë shkrepur ndaj një efektivi policie mesnatën e mbrëmshme në Kuçovë, ndërkohë që vetëm një prej tyre e ka lënë atë të plagosur në krah. Astrit Pirja, punonjës i ruajtjes së objekteve pranë Komisariatit të Beratit, ka ngelur i plagosur rreth orës 23:00, ndërsa ishte nisur për në punë. Ngjarja ndodhi në lagjen "Meteor‘, kur 38-vjeçari sapo ishte larguar nga banesa për të shkuar në punë. Ai ishte nisur në drejtim të makinës së tij, të parkuar jashtë shtëpisë, në kohën që është qëlluar me armë zjarri. Pirja, një ish-agjent krimesh, mësohet se ndodhej shumë pranë makinës së tij tip "Fiat Punto", në kohën që është qëlluar nga një distancë e afërt. Por, ndonëse arma është shkrepur katër herë, vetëm një prej plumbave e ka prekur policin në krah. Ai mësohet të jetë shmangur, duke u hedhur në anë të rrugës pranë një kanali. Krismat e armës kanë alarmuar familjarët, të cilët kanë qenë të parët që i kanë ardhur në ndihmë 38-vjeçarit. Ai është dërguar në spitalin e Beratit, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore. Burime pranë repartit të kirurgjisë bëjnë me dije se polici është paraqitur me një plagë në krahun e majtë, shkaktuar nga armë zjarri. Mjekët i kanë dhënë ndihmën dhe 38-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por ende nën mjekim intensiv.

Drejt vendit të ngjarjes kanë mbërritur më pas ekspertët e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Berat, të cilët kanë nisur menjëherë nga puna për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, policia ka gjetur tri gëzhoja arme që i përkasin një pistolete të tipit TT. Në mjetin e policit janë gjetur dy gjurmë të plumbave, dy prej të cilëve kishin shpuar llamarinën e makinës dhe dy të tjerë në xhamin e parë. Nga hetimet policia mësoi se një prej plumbave, pasi ka prekur xhamin e makinës, ka goditur në trupin e policit duke e plagosur atë në krah. Policia tha se siguroi në vendin e ngjarjes prova të vlefshme rreth autorëve, por ende nuk ka bërë të mundur identifikimin e tyre.

Mëngjesin e djeshëm, Pirja, baba i dy fëmijëve, është marrë në pyetje rreth ngjarjes. Polici mësohet se ka pohuar prerë se nuk kishte mundur të shquante asgjë në errësirën e natës, por vetëm kishte dëgjuar krismat. Ai nuk ka pohuar asgjë rreth motiveve të kësaj ngjarjeje, por ka pohuar vetëm se nuk kishte asnjë konflikt personal apo për shkak të punës.

Por, me gjithë pohimet e pakta të dhëna nga Piraj, Policia e Beratit ka hedhur pistat e hetimet rreth shkaqeve të kësaj ngjarjeje. Kështu, policia bëri të ditur se po punon në dy pista: në atë të hakmarrjes për shkak të detyrës dhe atë të ndonjë konflikti personal. 38-vjeçari Piraj mësohet se prej 10 vitesh punon në Policinë e Shtetit dhe vite më parë ka punuar si agjent krimesh, ndërsa kohët e fundit, si punonjës në ruajtjen e objekteve. Policia tha se ngjarja e mbrëmshme mund të ketë lidhje me punën e tij, ose me ndonjë konflikt të mundshëm personal.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›